“Yjet” e burgjeve përballë kombëtares “All-stars”, nesër miqësore në Kavajë
Disa nga ata që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare dhe luajnë mirë futboll do të kenë fatin të përballen nesër në një miqësore me disa nga ish-lojtarët më të mirë të kombëtares sonë ndër vite. Kjo ndeshje do të luhet në Kavajë dhe organizohet nga FSHF. Ditën e enjte në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës do të zhvillohet ndeshja finale e Turneut Futbollistik të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale 2015. Të dënuarit që vuajnë dënimin në Burgjet e Peqinit, Kavajës, Fushë Krujës etj, janë përzgjedhur në ekipin e tyre më të mirë dhe do të vihen përballë një ekipi të përbërë nga ish-futbollistë të njohur të kombëtares së Shqipërisë. Aktiviteti organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe disa prej Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ndeshja do të fillojë në ora 12.00. Gjatë gjithë kësaj periudhe Federata Shqiptare e Futbollit, është munduar që të organizojë aktivitete futbollistike me të dënuarit e disa Institucioneve të vuajtjes së dënimit. Madje, me iniciativën e saj, FSHF njoftoi se ka investuar në ndërtimin e disa fushave të minifutbollit, si për shembull në Burgun e Peqinit apo në atë të Fushë Krujës, që u inagurua vitin e kaluar. Ndërkohë, që skuadra e përbërë me ish-lojtarë të kombëtares ka luajtur edhe më herët me ekipe të dënuarish. Gjithashtu FSHF, i ka ndihmuar këto institucione edhe me bazë materiale për ekipet e të burgosurve. Pritet që ndeshje të luhet nën masa të forta sigurie, pasi ndonjëri nga të burgosurit mund të tentojë arratisjen nga fusha e blertë.