Ylli Manjani: Apeli i GJKKO si çakalli që bën kërdinë
Nga Ylli Manjani
Apeli i GJKKO si çakalli që bën kërdinë.
Rasti i Aurel Zarkës, në fakt jo i vetmi, është kulmi skandalit që një gjykatë apeli mund të bëjë.
Sa për informacion, sipas ligjit procedural (shih nenin 425) apeli përkeqësues, kur apelon i pandehuri është I NDALUAR.
Pra me pak fjalë, je dënuar në shkallë të parë dhe ankohesh në apel ti e jo prokurori, Apeli nuk mund të të rëndojë më shumë pozitën.
Fiks kjo gjë që ndalohet i ka ndodhur Aurel Zarkës. Apeli i GJKKO sugjeron që të dënohet më shumë dhe në rrethana rënduese. Nuk ja kërkuan këtë gjë prokurorët e SPAK-ut gjykatës. E bën vetë ajo, në kundërshtim me çdo parim, nen e ligj të këtij rruzulli.
Është po e njëjta gjykatë që bën thuajse të njëjtën gjë me Lefter Kokën në çështjen e inceneratorit të Fierit. Në këtë rast Gjykata e Lartë e rrëzoi Gjykatën e Apelit, duke saktësuar pikërisht principin se apeli NUK MUND TË RËNDOJË pozitën e të pandehurit.
Por, Apeli i GjKKO nuk ndalet as nga ligji e as nga Gjykata e Lartë. Nuk e ndal askush këtë gjykatë antiligj, monstruoze e anti-njeri.
Apeli i GJKKO është sot mbi ligjin, mbi Kushtetutën e mbi çdo gjykatë tjetër, përfshi edhe atë të lartën.
Veçanërisht injorimin e autoritetit Kushtetues të Gjykatës së Lartë dhe të vendimeve njehsuese të saj, Apeli i GJKKO e ka bërë rutinë të saj!
E pabesueshme, por e vërtetë!
Është alarmante kjo situatë antikushtetutë e antiligj!
Gjykata, veçanërisht apeli, duhet të jetë garanci jo krematorium inkuizicioni. APELI i GJKKO është sot krematorium i të lirive dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, që halli i çon atje.
Asnjë lidhje nuk ka me sistemin demokratik akuzator të gjykimit.
Se themi vazhdimisht ne ujku-ujku për SPAK-un, por çakalli dmth Apeli i GJKKO bën kërdinë.
Ajo gjykatë duhet të marrë goditjen më të fortë të mundshme që shkruajnë ligjet, sepse ata nuk mund të jenë mbi ligjin dhe nuk mund të injorojnë gjykatat superiore të Republikës.
Ndërkohë, deri sa të zgjohen institucionet monitoruese e vendimmarrëse në këtë vend, mos u rëntë halli o njerëz!
KOHA JONË SONDAZH

