Zbardhet skema – Në sitë 8 mijë biznese të mëdha, biznesi i vogël kontroll me zona

Me 1 tetor qeveria nis fazen e tretë të aksionit anti informalitet. Në fokus të tij do të jenë bizneset e mëdha.

Në përballjen e parë publike përballë bizneseve dhe ekspertëve, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero zbardhi skemën e kontrolleve në emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe.

Në sitë do kalojnë 8 mijë biznese të mëdha, por jashtë kësaj skeme nuk do mbetet as  biznesi i vogël, qe do kontrollohet me zona.

Vasilika Vjero: Shërbimi i tatim-paguesve nuk do ndalet vetëm në vizita në sportelet që kryehen pranë qendrave tona që mbulojnë të gjithë territorin ku parashikojmë të presim apo asistojmë ballë për ballë më shumë se 60 mijë tatim pagues gjatë kësaj periudhe. Do kemi më shumë se 68 takime me përfaqësues të biznesit për të diskutuar lidhur me planin anti-informalitet.Do organizojmë shumë vizita këshilluese, vajtje direkt në vendin ku biznesi zhvillon aktivitetin, biznese që paraqesin risk, kanë penalitete.Por dhe tek bizneset e reja. Do përqëndrohemi shumë dhe në kontrollin tatimor, administrata tatimore takohet me biznesin. Administrata parashikon të kontrollojë më shumë se 8000 biznese që janë të përzgjedhura nga modeli i riskut. Do përqëndrohemi dhe në kontrolle të detajuara, kontrolle nga zyra.

Do jenë të shumta verifikimet që do kryhen në terren përmes vizitave fiskale apo vizitave të panjoftuara. Do jenë në territor trupat e hetimit tatimor dhe zbatimit që do verifikojnë më shumë se 40 mijë biznese, kryesisht biznese të vogla.Do bëhet ndërmjet një ndarje zonale të përcaktuar, nuk do ketë asnjë devijim. Grupe të caktuara do kontrollojnë të gjithë këto minizona për elementë që lidhen me xhiron, numrin e të punësuarve, përdorimi i kuponave, pagesa e detyrimeve. Krahas kësaj është me rëndësi dhe mbledhja me forcë e detyrimeve. Kemi evidentuar një numër të konsiderueshëm të bizneseve që kanë probleme me administratën tatimore sa i takon pagesës në kohë të detyrimeve, kanë krijuar borxh të ri. Qëllimi është të reduktojmë borxhin por dhe mbledhjen e tij me forcë siç e përcakton ligji.Është duke u aplikuar ligji i faljeve me kusht, janë më shumë se 26 mijë tatim-pagues që u jepet mundësia që nëse paguajnë principalin mund tu falen detyrimet.

Ajo tha se do jenë prezent në territor me grupe inspektimi si tek bizneset e mëdha ashtu dhe të vogla.

Vasilika Vjero: Administrata tatimore dhe gjithë kjo fazë e tretë e antiformalitetit është vazhdim i zbatimit një strategjie të përcaktuar mirë që ka administrata, në qendër është tatim-paguesi, edukimi dhe shërbimi i tatim-paguesit, nxitja e pajtueshmërisë vulllnetare dhe vetëkorrigjimit. Nëse në dy fazat e para administrata u përqëndrua në kontrollin e biznesit të vogël, sepse kishim emergjencë tejet të madhe në lidhje  me mosregjistrimin e tyre. Ishte përdorimi i kasave fiskale dhe lëshimin i kuponit tatimor.Tani deklarimi kryehet online.

Tani do vimë në një fazë tjetër të luftës informalitet që tashmë u orientua drejt riskut, kontrolleve më inteligjente, orientimi drejt atyre tatim-paguesve që paraqesin më shumë risk krahasuar me të tjerët. Probleme në territor ka, faza e parë dhe e dytë ishte biznesi i vogël. Në këtë fazë të tretë do jenë kompanitë e mëdha, biznesi i madh. Do përpiqemi të ngushtojmë evazionin, informalitetin në këtë kategori biznesi.

Por nuk do lëmë jashtë vëmendjes asnjëherë tatimpaguesit e vegjël që janë të lidhur me këto kompani. Tatimpaguesit e vegjël janë të shumtë në numër por ajo përqindje që mund të zënë me përqindje në evazion apo të ardhura të munguara janë tejet të vogla krahasuar me të ardhurat e munguara që mund të vinë në rastin kur ky evazion iniciohet nga biznesi i madh. Do jemi prezent në territor me grupe inspektimi si tek bizneset e mëdha ashtu dhe të vogla. Në fokus do jenë dhe kushtet e punës.

/Oranews

SHKARKO APP