Zbulohet grupi kriminal i vrasësve me pagesë dhe eksplozivit
Policia e Shtetit nuk ka më dyshime se një i dënuar me burgim të përjetshëm, Admir Tafili, i cili tentoi pak kohë më parë edhe arratisjen, është drejtues i grupit të tritolit, që terrorizoi vendin gjatë javëve të fundit. Terrori arriti deri aty sa u vendos edhe një sasi eksplozivi në njësinë tregtare të familjarëve të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Zëvendës-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u shpreh dje i bindur se është zbuluar një organizatë e strukturuar kriminale, që drejtohej nga Admir Tafili, anëtarët e së cilës kanë vendosur sasi eksplozivësh në vende dhe kohë të ndryshme, kundrejt porosive. Çako theksoi se policia zotëron prova të forta, për të dëshmuar veprimtarinë e këtij rrjeti kriminal. Admir Tafili, i arrestuar më parë dhe që vuan aktualisht dënimin në burgun e Peqinit, madje është i dënuar me burgim të përjetshëm, pretendohet se ka drejtuar të gjithë aktivitetin e vendosjes së eksplozivëve të javëve të fundit, nga qelia e burgut ku qëndron i izoluar. – “Pas një hetimi intensiv dhe disa mujorë të Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Drejtoritë e Policisë në qarqet Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Shkodër, në lidhje me disa ngjarje të rënda të ndodhura në Tiranë dhe qytete të tjera gjatë vitit 2014, si dhe në muajt e parë të viti 2015, më datë 16 shkurt 2015 është bërë e mundur zbulimi dhe dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal, me tendenca të vrasjeve me pagesë me armë zjarri dhe vendosje të lëndëve shpërthyese, eksploziv.” Numri dy i Policisë së Shtetit, radhiti edhe personat e përfshirë në këto ngjarje, si dhe krimet e zbuluara deri tani që janë kryer prej tyre. Materialet në ngarkim të shtetasve të arrestuar pas këtij operacioni, i kanë kaluar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat “vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë” , si dhe “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” , “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “grupi i strukturuar kriminal” parashikuar në Kodin Penal. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit njoftoi se vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi kriminal. Nga hetimet e deritanishme, sipas Policisë së Shtetit, rezulton se ky grup kriminal drejtohej në qeli, nga i dënuari i përjetshëm Admir Tafili, i cili merrte porosi nga persona të tjerë të interesuar për kryerjen e krimeve.
Grupi kriminal i dokumentuar përbëhej nga shtetasit:
Admir Tafili, 39 vjeç, lindur në Shkodër, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese dhe armëmbajtjes pa leje, ku vuan dënimin në burgun Peqin.
Alfred Qefalija, 32 vjeç, lindur e banues në komunën farkë e Vogël Tiranë, arrestuar më 11 shkurt 2015.
Kristi Pine, 24 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për “vjedhje me dhunë” .
Aleksander Gora, 31 vjeç, lindur dhe banues ne Buçimas të Pogradec, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë”. Arrestuar më 16 shkurt 2015.
Shtetasi me iniciale A.O, 50 vjeç, banues në Tiranë , i dënuar më pare për “armëmbajtje pa leje” dhe “mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”, aktualisht i shpallur në kërkim, si dhe shtetasi me iniciale DH.Z, 22 vjeç , banues në Tiranë, i shpallur në kërkim.
Ngjarjet, për të cilat akuzohet grupi i drejtuar nga Admir Tafili:
Vrasjes me armë zjarri të shtetasit me iniciale Ibrahim Mani, ngjarje e ndodhur më 25 qershor 2014 në qytetin e Shkodrës, në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjës”
Vrasjes së mbetur në tentativë e shtetasit Edmond Çakmashi (ndodhej në një makinë “Audi”, bashkë me kushëririn e tij, Andi Çakmashi), ngjarje e ndodhur më 4 shtator 2014 në qytetin e Tiranës, lagja Shkozë.
Vrasjeve të mbetura në tentativë me vendosje lëndë eksplozive të shtetasve me iniciale A.C, J. Ç, dhe A.SH, ngjarje të ndodhura më 26 shkurt 2014, në Rrugën “Budi” Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit mbetën të plagos tre persona. (në këtë ngjarje u vendos 500 gram C4 hotelit të biznesmenit, ku u gjymtua pronari Armando Ceka, juristi Julian Çela, si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale)
Vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta me vendosje lëndë eksplozive në automjetin e shtetasit Arben Suloj, Drejtor i Burgut Fushë-Krujë.
Marrje porosi me 25 mijë Euro, për vrasjen e shtetasit Leonard Murataj, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor 2014, në qytetin e Durrësit.
Marrje porosi me 50 mijë Euro, për vrasjen e dy biznesmenëve në qytetin e Pogradecit.(ngjarje e parealizuar).
Marrje porosi me 20 mijë Euro, për vrasjen e hasmit të shtetasit Aleksandër Gora, me iniciale A.V, (ngjarje e parealizuar).
Policia: Anëtarëve të grupit iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri model “Scorpions” me 10 fishekë në krehër kalibër 7.65-mm.
Një armë zjarri tip pistoletë e markës “Smith”: mod 9604 me 5 copë fishekë kalibër 9-mm.
Dy silenciator
6 aparate telefonikë celularë, karta SIM
9000 (nëntëmijë) euro
Një motoçikletë tip skuter “Piaggio”
Një armë zjarri tip “Zastava”, mbushur me 15 (pesëmbëdhjetë) copë fishekë luftarake të kalibrit 9 mm.
Një armë zjarri tip “Shot-Gan”.
Një gjerdan fishekësh, material meshini me ngjyrë të zezë dhe togëz inoksi me ngjyrë kafe, ku në të janë të vendosura 9 (nëntë) copë fishekë të kalibrit 12- mm, të cilët kanë mbishkrimin N-92 speciale, 46 (fishekët janë me kapsollë të paplasur).
Një jelek anti-plumb me ngjyre blu dhe te zezë me mbishkrimet përkatëse .
10 (dhjete) fishekë armë gjahu të kalibrit 12 mm, me kapsollë të paplasur me ngjyra të kuqe dhe të zezë.
Një pajisje plastike në formë rrethore me ngjyrë të zezë dhe të kuqe ku kanë dalje dy fije teli përcjellës me ngjyrë të kuqe të zhveshura në skajet e tyre.
Një palë dylbi material plastik me ngjyre të zezë teke.
Një çantë material rrobe me ngjyrë të zezë me mbishkrimet përkatëse.
Një avi në formë pistoletë, me ngjyrë gri me mbishkrimin “PEMCO.MODEL NOSG-109.”
Një motor tip “Skuter” me ngjyrë të zezë pa targa me mbishkrimin “TECH FOR FUND”, me parafango të thyer.
Karta SIM të kompanive të ndryshme