Zbulohet programi “gjerman” i PD, ja çfarë përmban oferta e Bashës

Ja disa nga premtimet kryesore ekonomike të opozitës, të hartuara me mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve të CDU-së së Kancelares Merkel dhe Fondacionit “Konrad Adenauer”.

PD u rikthehet në planin e saj taksave të ulëta dhe rritjes së shpenzimeve, duke shpresuar kësisoj të japë një impuls të ri në ekonominë e vendit. Qartësisht një politikë e djathtë që synon një shtet që prek sa më pak të mundet paratë e biznesit dhe qytetarëve, duke shpresuar në teorinë që iniciativa e lirë është shpenzuesi më eficient i mirë i parave.

PLANI PËR TAKSAT

Në programin e PD-së parashikohet një rritje ekonomike prej të paktën 5 për qind. Kjo, sipas premtimeve elektorale, do të vijë nga rritja e konsumit privat dhe të qytetarëve. PD premton që me ardhjen në pushtet Shqipëria do të jetë vend me taksat më të ulëta në rajon. Premtimi shkon më tej, ku theksohet se brenda vitit 2019, Shqipëria do të jetë një ndër 10 vendet me ngarkesën fiskale më të ulët në botë. “1 miliard euro do t’i kthehen ekonomisë dhe shqiptarëve nga ulja e taksave”.

Sipas PD-së, të gjitha taksat për biznesin dhe pagat në Shqipëri do të bëhen 9 për qind. Sot, këto taksa janë 15 për qind, dhe PD parashikon një ulje prej të paktën 6 për qind. Bëhet fjalë për tatimin mbi fitimin, të ardhurat dhe dividendin. Për këtë të fundit, ndryshimi është më i thellë. PD premton të bëjë 0 tatimin mbi dividendin. Ky i fundit është tatimi për ndarjen e fitimit të bizneseve. Për pagat, PD parashikon të vendosë tatim 9 për qind.

Ndërsa të lërë të patatuara pagat deri në 30 mijë lekë. Edhe sot pagat deri në 30 mijë lekë në muaj janë të patatuara, por për çdo lek mbi këtë shumë, tatimi është 13 për qind. PD e parashikon 9 për qind. Nga ana tjetër, janë mbi 120 mijë biznese të vogla që pritet të përfitojnë nga plani i PD-së. Opozita premton që “biznesi me xhiro deri në 12 milionë lekë në vit, do të kontribuojë për taksat kombëtare dhe vendore me jo më shumë se 1,5% të xhiros vjetore”.

Të gjitha këto, përveç tatimit mbi pagën, janë taksa që nuk e prekin drejtpërdrejt qytetarin. Premtimi i madh i PD-së është ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar. “Shqiptarët do të blejnë me lirë, do të jetojnë më mirë, sepse ne do ta ulim TVSH-në në 15%, nga 20% që është sot, duke nxitur konsumin”. TVSH është taksë mbi çdo produkt që konsumojnë qytetarët. Ulja e saj, parashikohet të ndikojë në uljen e të gjitha çmimeve.

Një tjetër pikë e fortë e programit është ulja e tatimit mbi pronën. Sot, për çdo shitje të shtëpisë, tokave, dyqaneve, paguhet 15 për qind taksë për fitimin që merr ai që shet pronën. PD parashikon ulje në 3 për qind. “Ulja e taksës për transferimin e pronësisë nga 15% , që është sot, në 3%, do të çlirojë kështu transaksionet e
pronësisë”. Plani i PD-së është taksa të ulëta, rritje e konsumit dhe si rrjedhojë të ardhura më të mëdha në buxhet. Një pjesë e premtimit është edhe çlirimi i kapitalit të fjetur në banka. PD i kthehet edhe një herë idesë së bursës, por këtë radhë me një incentivë. “Ne do të inkurajojmë krijimin e tregut privat të kapitaleve, duke ofruar përjashtim nga tatimi mbi fitimin për 2 vitet e para të të gjitha kompanive që arrijnë të shkëmbejnë në bursën shqiptare”. PD planifikon bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë me synimin që të “zhbllokojnë kreditimin e ekonomisë dhe vënë në përdorim mbi 3 miliardë euro depozita të fjetura”.

PENSIONET DHE FAMILJET E VARFRA

Nuk janë pak, por 650 mijë pensionistë që preken direkt nga politikat që qeveritë parashikojnë për këtë shtresë. Premtimi elektoral i PD-së është që pensionet minimale të rriten çdo vit, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj në fund të mandatit. Sot pensioni minimal është rreth 13 mijë lekë, që do të thotë gati dyfishim. Por në program është parashikuar edhe ndryshimi i skemës së pensioneve. “Do të mbështesim integrimin e skemaveprivate te pensionet, që shqiptarët të gëzojnë pensione edhe më të larta se 25 mijë lekë në muaj, përmes kolonave të dyta dhe të treta, sipas parimit “kontribuo që të kesh më shumë”. Këto kontribute do të jenë të trashëgueshme”. Krahas pensionistëve, programi parashikon ndihmë edhe për shtresat vulnerabël. “Faturat e energjisë deri në 300 kw dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga shteti për të gjitha familjet në nevojë”. Pra, familjet me ndihmë ekonomike, do të kenë të sigurta 300 kilovat energji dhe konsumin e ujit. Nga ana tjetër, edhe pse akoma i pallogaritur se sa është, PD premton: Çdo familjeje shqiptare do t’i garantohet minimumi jetik nga shteti”.

ARSIMI DHE PREMTIMI PËR MENSAT

“Dita e shkollës do të bëhet me orar të plotë, 8:00 deri në 16:00, dhe nxënësit do të dalin nga shkolla atëherë kur dalin prindërit nga puna. Ne do të garantojmë drekën e paguar nga shteti për çdo nxënës”. Ky është premtimi më i madh në programin e PD-së. Një skemë e tillë funksionon edhe në vendet perëndimore, por ushqimi në mensa paguhet nga familjet me një çmim sa më afër kostos. PD premton edhe pagesën e kësaj fature. Duke kaluar tek arsimi i lartë, premtimet janë edhe më të mëdha. “Asnjë student shqiptar që pranohet në universitete publike, nuk do të ngelet pa shkollë për shkak të pagesës. 10 mijë studentëve, në bazë të meritës, do t’u garantojmë stazhe të paguara me 20.000 lekë në muaj me qëllim aftësimin profesional dhe punësimin”. Qeveria e PD-së premton edhe rritje pagash për mësuesit, por pa e speci fikuar sa.

BUJQËSIA, SI REKORD PREMTIMESH

PD premton se në qeverinë e saj financimet e buxhetit për bujqësinë të arrijnë në 22 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që janë sot. Sipas programit, 100 milionë euro do të jetë financimi i drejtpërdrejtë për fermerët dhe gjithë zinxhirin agro-përpunues dhe 50 milionë euro do të jenë investimet në infrastrukturë, si vaditje, kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore. Por premtimi më i madh, i cili prek rregullat e tregtisë së lirë, është për ndalimin e importeve. Ekspertët e PD-së kanë gjetur një skemë: “Doga nat do t’i pengojnë të gjitha produktet dhe nënproduktet bujqësore, që konkurrojnë në mënyrë të pandershme prodhimet shqiptare përmes tarifave proporcionale apo doganore”. Kjo do të thotë që prodhimet e importit të jenë më të shtrenjta ose të barabarta me ato të vendit.

TË PËRNDJEKURIT, PRONARËT DHE LEGALIZIMET

PD nuk parashikon të ndryshojë skemën e qeverisë për ish-të përndjekurit, por premton që të zgjidhë përfundimisht problemin e dëmshpërblimit. “Kompensimi i të përndjekurve politikë do të kryhet brenda vitit 2021”. Edhe për pronarët, programi i PD-së është i njëjtë me atë të qeverisë, por favorizimi vjen te fatura financiare. Sot kompensimi i pronave bëhet me çmime të vendosura fikse nga qeveria. PD premton ndryshe. “Kompensimi për pronarët do të bëhet sipas vlerës së tregut, pasi nuk mund të ketë zhvillim ekonomik apo qëndrueshmëri të shoqërisë shqiptare, pa garantuar paprekshmërinë e pronës private. Të gjitha pronat do të jenë të regjistruara në sistem dixhital”. Për legalizimet në program ka shumë pak vend. “Proceset e legalizimit bashkë me hartimin e një rregulli kombëtar të zhvillimit hapësinor, do të mbyllen brenda vitit 2018”.

PA BORXHE

Basti i PD-së është që të gjitha uljet e taksave dhe rritja e shpenzimeve, të mos mbulohen me borxh. Në programin me ndihmën e ekspertëve gjermanë, parashikohet ruajtja e balancave të buxhetit. PD premton se do të mbajë shpenzimet “nën 31% të PBB-së, me një zbatim rigoroz të buxhetit të shtetit dhe auditim të produkteve buxhetore”. PD parashikon të ketë një disiplinë financiare sipas Kritereve të Mastrigtit me deficit buxhetor 3% të PBB-së. “Ne do të vendosim rregullin fiskal të borxhit publik në 60% të PBB-së. Ulja e borxhit publik do të jetë sinjal i fortë besimi për të gjithë investitorët e huaj dhe sistemin financiar shqiptar”./Panorama/

SHKARKO APP