Zbulohet zonë me naftë në Berat, rriten investimet në Shqipëri

“Zbulimi i një zone me naftë në Berat ka tërhequr Kompaninë e Naftës “Shell” për të rritur investimet në Shqipëri”,- shkruan agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”.

Drejtori i kësaj kompanie për Shqipërinë ka deklaruar se ekspertët kanë zbuluar në zonën e Shpiragut një fushë nafte, e cila ka gjithashtu edhe gaz natyror. “Kemi patur sukses me kërkimet në Berat, pasi kemi zbuluar një fushë nafte në Shpirag. Megjithatë, nuk kemi të dhëna sa iu përket rezervave të naftës dhe të gazit natyror në atë zonë”-thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.

“Kompania jonë në bashkëpunim me kompaninë “Petromanas” ka vendosur të rrisë investimet në eksplorimin e zonës në fjalë në kërkim të rezervave të naftës dhe të gazit natyror. Gjithashtu ne po punojmë për të hapur tre puse nafte në atë zonë. Në këtë mënyrë do të kemi pamje dhe të dhëna më të qarta rreth rezervave të kësaj zone”- thuhet më tej në deklaratë.

Kompanitë “Shell” dhe “Petromanas” përbëjnë konsorciumin më të madh në Shqipëri dhe ndërmarrin operacione sa i përket kërkimit, zbulimit dhe eksplorimit në të gjithë vendin për identifikimin e rezervave potenciale të hidrokarbureve.

Aktualisht, e gjithë puna e këtyre kompanive është e përqendruar në zonën e Shpiragut, pas kërkimeve pa sukses në zonat e Krujës dhe Shkodrës, ku zbulua se rezervat e gjetura ishin shumë të ulëta dhe të pakonsiderueshme për të ndërmarrë operacione zbulimi.

SHKARKO APP