Zbuluan “orën biologjike”
Tre baballarët e të ashtuquajturës “orë biologjike e trupit” janë fituesit e këtij viti të Nobelit për Fiziologjinë ose Mjekësinë. Shkencëtarët amerikanë Jeffrey C. Hall, Michael Rosbash dhe Michael W. Young u vlerësuan për zbulimin e mekanizimit molekular që kontrollon ritmin cirkardian.
Praktikisht u detyrohemi atyre për zbulimin se organizmi njerëzor udhëhiqet nga një orë biologjike. Ora e trupit është aryeja përse ne duam të flemë natën. Por ajo prek gjithashtu humorin, vigjilencën tonë, e madje ndikon edhe në rrezikun për një sulm kardiak.
Asambleja e Nobelit në Institutin Karolinska të Suedisë njoftoi përmes një deklarate se, studimet e tyre kanë pasur një ndikim të madh te shëndeti dhe mirëqenia e njeriut.
“Shkencëtarët zbuluan sesi bimët, kafshët dhe njerëzit i përshtaten ritmit të tyre biologjik, në mënyrë që të sinkronizohen me revolucionet e tokës”, thuhet në deklaratë.
Ai i Mjekësisë është Nobeli i parë që jepet çdo vit. Çmimet për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe u krijuan me vullnet të shpikësit të dinamitit dhe biznesmenit Alfred Nobel, në vitin 1901.