Zef Preçi: Ngadalësimi i rritjes ekonomike, pasojë e parave informale të fushatës

Në një kohë kur Banka e Shqipërisë vëren ngadalësim të rritjes ekonomike në tre muaj e fundit, jo vetëm fushata por edhe klima e përgjithshme e biznesit në Shqipëri janë arsyet e renditura nga ekspertët e ekonomisë si faktorë ndikues. Eksperti, Zef Preçi, shprehet se pezullimi i prokurimeve publike do të frenojë më tej rritjen ekonomike dhe bllokojë sipërmarrjet që ofrojnë shërbime përmes kësaj skeme. Ndërsa rihapja e tenderimit në vjeshtë do të shoqërohet me shpenzime pa efektivitet.

Ngadalësimi i rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të 2017, për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, përpos ndikimit nga fushata elektorale, reflekton klimën e përgjithshme të biznesit në Shqipëri për të cilin flet qartë edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zef Preçi: Situata parazgjedhorë në ndryshim nga situatat e tjera është karakterizuar nga dy tendenca kundërthënëse. Së pari i ka munguar egërsia, ka qenë një fushatë paqësore që në thelb nuk ka ndikuar aq shumë tek bizneset dhe investitorët. Është një fakt i njohur që para me origjinë formale, informale por edhe kriminale janë përdorur në fushatë gjë që është shprehur si në sasinë serioze të parave të tërhequra nga bankat 6 mujorin e parë rreth 150 milion euro, ashtu edhe në faktin që kursi i këmbëmit të monedhës tonë kombëtare ka njohur një zhvillim të paprecedentë.

Pezullimi i prokurimeve publike për tre apo më shumë muaj në vijim, sipas Preçit do të frenojë rritjen ekonomike dhe bllokojë punën e sipërmarrjeve që ofrojnë shërbime përmes tenderimit.

Zef Preçi: Sistemi i prokurimit luan një rol shumë të rëndësishëm përmes një efekti zinxhir të bizneseve të lidhura me ofertën e mallrave dhe shërbimeve, çka pritet ta frenojë më tej rritjen ekonomike për vitin 2017. Diku në mes të tetorit, apo fillim të nëntorit do të vazhdojë procesi i prokurorimit çka nuk mund të mos shoqërohet me inefiçensë të përdorimit, paracaktim të fituesve, me përdorim të mekanizmave sikurse janë llogaritë ekstra buxhetore për të bërë shpenzimin e parave pa menduar shumë për efektivitetin e tyre.

Vendimi për pezullimin e prokurimeve publike konsiderohet nga ekspertët e ekonomisë si antikushtetuese, pasi qeveria i ka të gjithë instrumentet për të vijuar në kushte normale tenderimet për shërbime, ndërsa me risk për shpenzime joefektive shihet rihapja e tenderëve në shtator-tetor.

/Oranews

SHKARKO APP