“Zemra e shkretë gruaje! Kur ti rreh nga dashuria, sa pak duhet të jesh e lumtur!
Lajme E Shtunë, 18 Shtator 2021 16:17
(PASHKO VASA – “Bardha e Temalit”)
…Dashuria është jeta, është lumturia që ia mbush zemrën plot e përplot, është atmosfera në të cilën ajo merr frymë lehtësisht, dëshirat e tjera nuk janë veçse të dorës së dytë…
Zemra e shkretë gruaje!
Kur ti rreh nga dashuria, sa pak duhet të jesh e lumtur! Një buzëqeshje, një fjalë e ëmbël, një vështrim, një e puthur, një nga ato gjepurat, me një fjalë, që nuk na kushtojnë asgjë ne burrave, mjafton të të mbushë me lumturi, të të bëjë t’i harrosh të gjitha mundimet e tua, të gjitha dhembjet e jetës!
Mjerë burri që lëndon këtë zemër të mbrujtur me dashuri dhe sakrificë! Mjerë ai që e fyen, e poshtëron dhe e bën me turp! Ai nuk meriton të ftohet në gëzimet misterioze, thesarin e të cilave e ruan gruaja…Ai burrë, që do të ishte i aftë të bënte një poshtërsi të tillë, duhej të dënohej si Kaini, të endej mbi tokë pa gjetur asnjë copë bukë, as një pikë ujë, asnjë shtrat për të çlodhur eshtra!
Midis një loti dhe tjetrit, Bardha kishte sjellë nder mend të gjitha kujtimet e së kaluarës, të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur njëra pas tjetrës qoftë gjatë qëndrimit në Shkodër, qoftë pas kthimit në Temal.
Kur njeriu e ka zemrën plot me dashuri, shpirti ushqehet me shpresë dhe mendja bëhet më e hollë e më e mrehtë; ajo fluturon në lartësira të panjohura dhe ngrihet përmbi kufijtë që ia ka caktuar materia: ajo rreh të zbulojë të ardhmen.