Zgjedhimi i foljes “gënjej”  në të gjitha kohët e mënyrat

Kështu që deklarimi i punonjësve të padeklaruar e puna në të “zezë” vazhdon, sipas zgjedhimit të foljes “gënjejmë” në të gjitha kohët e mënyrat: Ne gënjejmë, ju gënjeni, ata apo ato gënjejnë.

Nga Hyskë Borobojka

Në një nga kompanitë e mëdha të kryeqytetit, presidenti i saj, sapo kishte zënë kolltukun pranë tavolinës të mbushur plot me fletëpalosje e reklama, kur trokiti dera. Ishte një nga punonjësit, që kishte nxituar sa s’po merrte dot frymë.

-Një lajm i hidhur, zoti president! Tek ne është nisur e po vjen një ekip kontrolli nga qeveria e bashkia për të parë sa punonjës kemi të deklaruar, domethënë legalë dhe sa të padeklaruar, ilegalë! Madje thonë se kërkojnë edhe tatimet që s’i kemi paguar.

       -Mos more! Nga e more vesh?- e pyeti presidenti.

       -E kam nga burime të sigurta, që nuk duan të identifikohen. Zoti përse na ka dhënë veshë e sy, për të dëgjuar e për të parë!

       Presidenti, si e mblodhi veten, nga ky lajm i pakëndshëm, dha urdhër të mblidhen në zyrën e tij të gjithë përgjegjësit e sektorëve. Urdhri vajti në vend dhe ata, një nga një, zunë vend në kolltukët e butë të zyrës së madhe..

       -Erdhën të gjithë? – pyeti presidenti.

       -Të tërë këtu jemi! – foli njëri prej tyre.

       -Ju kam mbledhur për një çështje me shumë rëndësi. Është e sigurt se tek ne vjen një ekip kontrolli, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga bashkia, për të verifikuar sa punonjës i kemi të legalizuar e sa të pa regjistruar marrë si dhe për tatimet që s’i kemi paguar. Marifeti është si t’i fshehim ata, që i kemi të pa legalizuar ose, si thonë, punojnë në të “zezë”!

       Sytë e të gjithëve u drejtuan te goja e presidentit, ndërsa ky i fundit iu drejtua atij që kishte më paranë:

       -Pa më thuaj, ti zoti Adem, sa punonjës ke në repartin tënd?

       -Ti e di, o zoti president, se kemi edhe “legalë”, por edhe “ilegalët” nuk mungojë! – iu përgjigj tjetri.

       -Leri “legalët” se nga ata s’na vjen ndonjë e keqe, por po të pyes për “ilegalët”?

       -Kam ca!

       -Kam ca, më thotë ky, sa ke?

       -E kalojnë numrin me një shifra!

       -Çfarë masa ke marrë për ta?

       Tjetri tundi kokën sikur donte të pyeste, se për këtë e kishte njoftuar presidenti. Por ky i fundin nuk ia zgjati  e i shfryri:

       -Mos më tund kokën, por bëju derman. Fshihi gjëkundi të mos duken sa të jetë kontrolli nëpër këmbë!

       -Ku? – pyeti ai, duke ngritur supet.

       -Ku, thotë ky?! Ja futi në ata vagonët e vjetër që i kemi braktisur në fund të oborrit!

       -Dakord, por janë mbushur plot me hedhurina e papastërtira!

       -Ti pastrojnë e të futen brenda, – e ndërpreu ai e vazhdoi: – Sikur do të dimërojnë e verojnë aty, le të durojnë deri sa kontrolli t’i ktheje majat nga thembrat, pastaj të dalin e të shkunden si rosat kur dalin nga pellgu me ujë! E more vesh?! Pikë, copë, të them!

       Radha i erdhi një tjetri nga përgjegjësit e sektorëve. Edhe këtë kreu i kompanisë e pyeti:

       -Pa na thuaj, ti Bashkim Bandilli, sa punëtorë të padeklaruar ke në sektorin tënd?

       Janë disa! – iu përgjigj ai, duke nxjerrë gishtat e të dy duarve.

       -Kur gënjejnë të mëdhenjtë, politikanët e qeveritarët e lartë, që mbjellin sa lodhen premtime gjatë fushatave zgjedhore dhe korrin dështime, ne s’paskemi të drejtë të gënjejmë e t’i fshehim?! Prandaj, të lutem shumë, mos e zgjat,por merr masa e bëju derman të mos i shohë kontrolli, se na fike me ndonjë dënim a gjobë të madhe sa s’na i mban kurrizi!

       Tjetri rrudhi ballin, sikur donte të vriste mendjen, se ku mund tua gjente vendin, por presidenti nuk e la të  mundohej shumë e i tha:

       -Le të futen në ato banjat e vjetra!

       Tjetri iu afrua dhe, me zë të ulët, i tha në vesh:

       -Ato nuk janë fort të pastra, i kenë ndotur e i kanë mbushur plot!

       -Të pastra, të papastra, i ndotin s’i ndotin, bien erë, s’bien erë, sikur do të jetojnë aty . Le të durojnë sa të jetë kontrolli nëpër këmbë dhe, me t’u larguar ai, të dalin të marrin ajër të pastër! Pikë, copë, të them?!

Këtë punë presidenti e zuri me radhë, me të gjithë përgjegjësit e sektorëve, duke u kërkuar që “ilegalet” t’i fshinin me çdo kush, që të mos e akuzonin se kompania e tij mban punëtorë në “të zezë”.

Pasi i pyeti, me rrënjë e degë, një për një të gjithë përgjegjësit e sektorëve e dha udhëzime të vlefshme si të vepronin, u ngrit në këmbë dhe urdhëroi:

-Porositë e mia vëthë në veshët tuaj. Prandaj, o burra të gjithë në aktivitet?! Pikë, copë, u them!

Të thirrurit në zyrën e madhe të Presidentit u ngritën në këmbë e po dilnin me të shpejtë njëri pas tjetrit për të plotësuar sa më parë porositë e tij. Në këtë moment ati iu kujtua edhe një porosi tjetër e u thirri të ktheheshin. Njëri nga përgjegjësit e sektorëve i tha shokut të tij në vesh:

       -Kushedi ç’porosi tjetër do na japë!

       -Dëgjoni, – vazhdoi presidenti,- kam vënë re se ajo parulla në hyrje të zyrave, “Ruaj nderin e kompanisë” është fshirë germa e parë dhe lexohet “Ruaj derrin e kompanisë”, sikur ne të mos jemi kompani prodhimi, por kompani mbashtrimi derrash. Prandaj të vendoset germa e fshirë ose të hiqet që të mos e shohë kontrolli e të na akuzoje, jo vetëm se kemi disa punonjës “ilegalë” në të “zezë”, e s’kemi paguar të gjitha tatimet, por merremi dhe me derrat!

       Ky marifet, për të mos deklaruar numrin e saktë të punonjësve, praktikohet në shumë biznese në Tiranë e gjetkë. Njëri deklaron se ka pesë, kurse në të vërtetë ka pesëmbëdhjetë. Tjetri thotë se në sektorin e tij, është punësuar vetëm një, kur këtij numri i shtohet një zero nga pas. Kështu që deklarimi i punonjësve të padeklaruar e puna në të “zezë” vazhdon, sipas zgjedhimit të foljes “gënjejmë” në të gjitha kohët e mënyrat: Ne gënjejmë, ju gënjeni, ata apo ato gënjejnë.

SHKARKO APP