Zgjedhjet janë çelësi për hapjen e negociatave

 

Nga Llazar Semini, Associated Press

Shqiptarët kanë nisur të votojnë për zgjedhjet vendore, një hap i rëndësishëm në përpjekjet e tyre për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Vitin e shkuar Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit të BE dhe tani Tirana pret të marrë miratimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit të plotë.

Përveç rezultateve të prekshme në shtetin e të drejtës, sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Brukseli pret gjithashtu zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipërinë post-komuniste, ku ato gjithmonë kanë pasur probleme me dhunën, manipulimin apo grindjet politike.

“Testi i zgjedhjeve të qershorit, thuajse një vit pas marrjes së statusit të vendit kandidat, duhet të shërbejë si investimi ynë më i madh në nisjen e negociatave me Bashkimin Europian,” tha presidenti Bujar Nishani të premten, duke bërë thirrje për pjesëmarrje.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale dhe 3.4 milionë persona kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur 61 kryebashkiakë dhe 1.595 këshilltarë bashkiakë.

Rreth 600 oficerë policie janë dërguar në 5300 qendra votimi dhe qindra trupa speciale të ushtrisë janë duke ruajtur ndërtesat qeveritare dhe ambasadat.

Fokusi do jetë Bashkia e Tiranës, ku një koalicion me 37 parti, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka kandiduar ish- ministrin e Çështjeve Sociale, Erion Veliaj, ndërsa koalicioni opozitar me 15 parti garon me Halim Kosovën.

Pasi votuan, dy liderët, Rama dhe Basha- që kanë dy vite në postet respektive, bënë thirrje për pjesëmarrje në votime.

“Kush nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet,” tha Rama.

Rreth 200 monitorues ndërkombëtarë po vëzhgojnë zgjedhjet. Ata do raportojnë të hënën për gjetjet paraprake.

Ligji thotë se rezultati duhet të dalë jo më vonë se tre ditë pas votimit.

SHKARKO APP