Zgjedhjet në Tiranë, Rama: Opozita do dalë e humbur përballë Manastirliut
Kryeministri Edi Rama thotë se kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka gjetur një mbështetje të gjerë brendë strukturave të PS-së. Rama tha se në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, asnjë qytetar nuk e ka mendjen te kandidati i opozitës përballë Manastirliut, por te zgjidhja e halleve të përditshme të tyre.
“Më vjen shumë mirë që siç edhe ju të gjithë e keni konstatuar, kandidatura e Ogertës ka gjetur menjëherë mbështetjen e plotë të familjes sonë të madhe politike. Të gjithë janë të një mendjeje se është radha e saj ta udhëheqë Tiranën, me qetësinë që e ka karakterizuar në të gjitha detyrat që ka mbajtur deri më tani.
Aq e fortë është mbështetja e PS-së ndaj Ogertës, saqë është krejt pa interes se kush do të jetë kandidati apo kandidatët e saj rivalë, të cilët do të hyjnë në garë të humbur dhe do të dalin nga gara edhe më të humbur. Edhe nga anketimi që kemi bërë në Tiranë, rezulton se qytetarët nuk e kanë fare mendjen te ndonjë rival i Manastirliut, port e hallet që duan zgjidhje në kryeqytet.
Qeveria nuk do të qëndrojë më anash duke pritur që Bashkitë të kryejnë shërbimin e duhur për qytetarët, por do t’u bashkohet atyre dhe do të udhëheqë duke marrë të gjithë përgjegjësinë për ecurinë e gjithë këtij procesi”, tha mes të tjerash Rama.
KOHA JONË SONDAZH

