Zgjedhjet, po hetohen 14 ‘dosje”, komandot ruajnë objektet e rëndësishme
Kur kanë mbetur vetëm 5 ditë nga data e zgjedhjeve forcat komando marrin në ruajtje 93 objekte të rëndësishme,
Policia publikon masat për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor por dhe procesin gjatë ditës së votimit.
Drejtuesi i lartë i policisë Altin Qato informoi se është përgatitur urdhri i Përbashkët i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Mbrojtjes, Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 93 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat ‘Komando’. Ky urdhër është miratuar.
Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen 14 vepra penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.
Masat gjate fushates
Nga strukturat e Policisë së Shtetit, nga data 26 maj – 18 qershor, është përballuar një ngarkesë pune për mbarëvajtjen e rreth 2.049 aktiviteteve elektorale, duke aktivizuar 9.443 punonjës policie me 19.600 orë shërbimi, 1.836 automjete dhe nuk kemi patur asnjë incident gjatë këtyre aktiviteteve.