Zgjedhjet, policia vëzhgim personave të dyshimtë, kontrolle me qen pranë QV
Kur ka ngelur një javë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e planit të masave për të kontrolluar territorin. Burime të Report TV nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se ka filluar patrullimi në çdo lagje të Tiranës, por edhe në qytete të tjera. Policia ka filluar të jetë e pranishme në vendet ku shqiptarët do të votojnë në 25 qershor, por edhe në qendrat e numërimit.
Synimi i këtyre kontrolleve paraprake, sipas burimeve, është që të mos lejohen incidentet pranë qendrave të votimit. Përveç patrullimit po bëhen edhe kontrollet me qen apo dokumentimi me video i ambienteve të votimit. Gjithashtu Policia do të mbajë në vëzhgim personat me precedent penal.
Me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako është kërkuar që gjatë kësaj jave, të 12 drejtoritë në qarqe, të vëzhgojnë personat që mund të shkaktojnë problem gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. Nëse policët marrin informacion për persona me precedent penal pranë qendrave të votimit, atëherë do të raportojnë direkt në qendrën e monitorimit në Policinë e Shtetit, e cila do të vendosë se çfarë duhet të bëjnë.
Në të gjitha qendrat e votimit, përveç policëve me uniform do të ketë edhe civil. Burimet sqarojnë se policët civil do të jenë të pranishëm për të identifikuar personat që mund të shkaktojnë incidentet. Ndërkohë Policëve u është dhënë urdhër që të mos përfshihen në tubime apo të mbshtesin partitë politike, në të kundër do të përjashtohen nga Policia e Shtetit.
Pak ditë më parë Policia e Shtetit ka ngritur edhe një qendër monitorimi për zgjedhjet, e cila do të kontrollojë të gjitha qendrat e votimit në 25 qershor dhe më pas qendrat e numërimit. Policia pritet të kalojë me shërbim të përforcuar përgjatë gjithë javës që do zhvillohen zgjedhjet, ku pritet të angazhohen rreth 7 mijë policë në të gjithë vendin.