Zgjerohen investimet italiane në Shqipëri

Një tjetër kompani italiane nis aktivitetin e saj në vendin tonë në fushën e prodhimit të pajisjeve elektronike.

Burime nga Agjencia e Zhvillimit te Investimeve të Huaja bënë të ditur se bëhet fjalë për kompaninë B810 nga Reggio Emilia, e cila do ta ushtrojë aktivitetin e saj në rrugën industriale Tiranë-Durrës.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka asistuar kompaninë në të gjitha procedurat për nisjen e aktivitetit të saj në Shqipëri, me një plan të qartë investimi, që do të kontribuojë edhe në rritjen e punësimit.

Që prej fillimit të këtij viti, AIDA ka asistuar në hapjen e biznesit të disa kompanive prestigjioze italiane siç ishte HiFly, e cila tashmë ka shtrirë shërbimet e saj në fushën e shërbimeve aeronautike, me kompaninë e re në Shqipëri, Luxury Wings. Prania e sipërmarrësve italianë në Shqipëri është gjithnjë e në rritje.

Sipas të dhënave të QKB-së, deri në fund të muajit gusht të vitit 2016, rezultojnë në total 3760 subjekte italiane që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë.

AIDA ka bere te ditur se regjistrimet kanë ardhur duke u rritur vit pas viti dhe kjo si rezultat i klimës tërheqëse të investimeve dhe të bashkëpunimit që kemi me shtetin fqinj.

SHKARKO APP