“Zhdukja” e Klemend Balilit, TIMS: Nuk ka kaluar kufirin
Zhduket Klement Balili. Drejtori i Transporteve të Sarandës, prej momentit që dha dorëheqjen paraditen e së enjtes, nuk dihet se ku është. Ai është shpallur në kërkim nga policia greke, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, pas bllokimit të një sasie prej gati 700 kg droge më 8 maj, në brigjet e Zakinthos.
Fillimisht u arrestuan dy skafistë shqiptarë, të kapur në flagrancë, e më pas policia greke identifikoi si drejtuesin e tyre zyrtarin shqiptar. Edhe pse nuk konfirmohet se ndaj Klement Balilit pala jonë të ketë një urdhër ndalimi, një kontroll në shtëpinë e tij provoi largimin në drejtim të paditur të 44-vjeçarit. Mëngjesin e së premtes, efektivë të Komisariatit të Policisë në Sarandë, në bashkëpunim edhe me forcat e FNSHsë, të ardhura nga Tirana, kanë kryer kontroll në banesën e Klement Balilit, në fshatin Stjar, Bashkia Delvinë. Burime konfidenciale thanë se fillimisht policia u ka kërkuar familjarëve nëse ndodhej në banesë Klement Balili, ndërkohë që ka vijuar më tej kontrolli i banesës. Burimet thanë që në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e Klement Balilit dhe dy fëmijët e tij.
Njëri prej vëllezërve të 44- vjeçarit tregoi dje se paraditen e së enjtes, i vëllai është larguar drejt Tiranës dhe që prej atëherë nuk kanë pasur më kontakte me të. Ndërkohë, edhe telefoni i Balilit gjatë ditës së djeshme rezultoi i 덇㉜kur. Nga ana e familjarëve të tij pyetjes se nëse drejtori i shkarkuar ishte larguar nga Shqipëria, iu përgjigjën se nuk kishin asnjë dijeni. Pas verifikimit në sistemin TIMS, nuk rezulton që ai të ketë lënë në rrugë zyrtare vendin. Që prej ditës së djeshme, në qytetin e Sarandës janë shtuar edhe dy furgonë me efektivë policie, raporton Panorama.
Pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit nga ana e policisë greke, ai shkoi në zyrë për të formuluar dorëheqjen. Më vonë, nga Tirana u mësua se për drejtorin e Transporteve në Sarandë ishte firmosur shkarkimi, me qëllim që autoritetet të jenë të lira të kryejnë veprimet. Vetë Balili i ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, si drejtuesi i grupit që kalonte drogën nga Shqipëria në vendet e tjera të Europës Sipas tij, dosja penale e tij është e pastër dhe në Greqi, aty ku është lëshuar urdhri i ndalimit, nuk ka qenë që në vitin 2009.
Por largimi i tij në mënyrë të paditur ka ngritur të tjera mistere. Një ditë më parë, Policia dhe Prokuroria u përplasën mes tyre në lidhje me hetimin e këtij rasti. Nga ana e Policisë së Shtetit u deklarua se hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, ndërsa Prokuroria tha se nga përgjimet e kryera nuk ishte konstatuar emri i Klement Balilit. Për këtë arsye, pritet nga pala greke për të vepruar në këtë rast, edhe pse 44vjeçari është zhdukur tashmë.