Zonat ku priten incidente apo ku rezultati do të jetë i ngushtë
Ditën e sotme 3.382.295 zgjedhës janë thirrur të votojnë për kryetarët e 61 bashkive të reja, të krijuara me reformën e re territoriale , si dhe për 1595 anëtarë të këshillave bashkiakë.
Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 62 subjekte zgjedhorë, 52 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të majtë, “Aleanca për Shqipërine Europiane”, i cili përfshin 37 parti dhe një koalicion i spektrit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, që grupon 15 parti.
Përballjet
Edhe pse në të gjithë vendin janë 61 përballje, gara në këto zgjedhje pritet që të fokusohet vetëm në disa bashki të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut.
Zgjedhjet në Tiranë pritet që të mos kenë ndonjë surprizë.
Tirana u qeveris nga e djathta pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2011, ku PD ishte në koalicion me LSI. Mandati u mor me përmbysje të rezultatit në tavolinë.
Pavarësisht konsumit në këto 18 muaj qeverisje, Erion Veliaj dhe e majta pritet që ta kenë të lehtë përballë Halim Kosovës që garon për të djathtën.
Në Elbasan, PD dhe PS kanë menduar që të vënë kandidatura me eksperiencë të gjatë në drejtimin e njësive vendore.
Qazim Sejdini do të tentojë të ruajë statusin aktual të Kryetarit të Bashkisë, kundrejt Ardian Turkut, i cili ka qenë më parë në krye të kësaj bashkie.
Me ndarjen e re, në Bashkinë e madhe do të përfshihen Elbasani, Labinot Mal, Funar, Gracen, Labinot Fushë, Bradashesh, Shushicë, Papër, Shirgjan, Tregan, Gjergjan, Gjinar, Zavalinë.
Bashkia e Kamzës pritet që të jetë një nga zonat e nxehta.
Xhelal Mziu do të kërkojë mandatin e tretë, ndërsa e sfidon Safet Gjici që vjen nga fusha e biznesit. Pritet që fati i kësaj “ndeshje” të vendoset nga popullsia e lartë e ardhur nga Kukësi. Në këtë Bashki bëjë pjesë Kamza dhe Paskuqani.
Vora gjithashtu është një nga zonat ku do të luftohet nga partitë për çdo votë, pasi rezultati mendohet se do të ndahet me shumë pak vota.
Prej afro 3 javësh, PD dhe LSI kanë filluar akuzat e ndërsjella për blerje votash. Por zyrtarisht, vetëm LSI ka depozituar në Prokurori fakte në të cilat pretendohet se Fiqiri Ismaili i PD-së po ndikon votuesit me lekë ose me miell të kompanisë së tij private Agro Blend.
Edhe në Durrës, diferencat midis kandidatëve priten që të jenë të vogla, por aty nuk priten incidente.
Vangjush Dako rikandidon për një mandat të tretë dhe e sfidon Grida Duma, njeriu i besuar i Lulzim Bashës, që ka ngjitur shkallët në PD me shpejtësi paralel me kreun e ri të PD-së.
Në Lezhë incidentet kanë filluar. Vetëm dy ditë më parë do të qëllohej me armë ndaj makinës së deputetes Monika Kryemadhi e cila kishte qenë në një mbledhje të shtabit elektoral të LSI në këtë zonë.
Si kandidati i propozuar nga LSI, Viktor Tushaj, ashtu edhe kandidati i propozuar nga PD, Fran Frrokaj kanë një eksperiencë në drejtimin e njësive vendore.
Tushaj aktualisht është Kryetar i Bashkisë së Lezhës. Bashkia e re përmbledh Lezhën, Dajçin, Balldrenin, Blinishtin, Ungrejn, Kallmetin, Shëngjinin, Kolshin, Zejmenin dhe Shënkollin.
Në zgjedhjet e kaluara, këto komuna kanë pasur probleme, qoftë me komisionerët, qoftë me militantët e partive politike.
Edhe në Shkodër, gara duket tepër e fortë. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, e majta do të kërkojë të përsërisë rezultatin me anë të kandidates Keti Bazhdari nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe Voltana Ademi nga Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet.
Në Kukës, e djathta duket me një avantazh. Hasan Halilaj që do të kërkojë një mandat tjetër nën siglën e ASHE si i propozuar nga LSI, duket se do e ketë të vështirësi të arrijë suksesin e katër viteve më parë. Ai fitoi mandatin e parë nën siglën e PD-së.