Zot na ruaj nga deputetët!

 

Nga Mevlud Buci

Që Kuvendi i Shqipërisë, tempulli i drejtës dhe vendi ku duhet të rimodelohet arketipi i etikës, sjelljes korrekte, përgjegjshmërisë së fjalës në raport me veprimin, etj është kthyer në një vend humori të zi, etiketimesh të gjithfarshme e demonizimesh të pafre të kundërshtarit, këtë e dinë tashmë të gjithë, e pranojnë me kokë ulur dhe vetë kuvendarët tanë. Ndodh kështu pasi në sitën e përzgjedhjes së partive politike kalojnë bashkë me miellin dhe krundet, njerëz me formim të cekët, për të mos thënë me precedentë penalë, gjë për të cilën kancelaritë e Perëndimit ka kohë që iu tërheqin vëmendjen dy oborreve të mëdhenj të politikës. Por kjo “tërheqje veshi”, me sa duket vazhdon të bjerë në vesh të shurdhër dhe parlamentarizmi ynë vijon të ushqejë një kompleks devijimi e paranoje që vjen nga një institucion, i cili, në fakt, duhet të ushqejë të drejtën kolektive mbarëshqiptare. Është folur, shkruar e diskutuar shumë për etikën. Sigurisht, të flasësh për etikën dhe të kesh etikë në praktikë janë dy gjëra shumë larg me njëra tjetrën. Përse? Të votëbesosh një deputet për elektoratin, për vendin, lagjen apo shtëpinë tënde e më pas të shikosh një dikë të tjetërsuar, një dikë të huaj për gjithçka që të rrethon jetën tënde, është tronditëse, shokuese dhe tepër e çuditshme. E them me zemër në dorë që në krye të herës, se këtu e gati pesëdhjetë vite të punës sime mësimdhënëse, publicistike apo si punëtor drejtimi i arsimit në bazë kam patur e kam respekt e nderim për secilin deputet, apo për këdo që qeveria, koha, populli e votëbeson. Pra, pa dashur të fyej askënd, veçse të argumentoj sesi çfarë dëmesh e shpartallimi sjell mungesa e etikës dhe e fjalëpeshimit njerëzor, nuk kërkoj asgjë tjetër.

Dihet se populli, ky “oqean’ i madh, kjo “gurrë” e pastër të nderon, të zgjedh, të beson, por nuk do harruar, se edhe të “sitë”, të ç’burrëron, të korit si i thonë.  Përse? Të zgjidhesh, të votëbesohesh si deputet dhe të të këshillojnë për etikë, për mosofendime a shpifje, kjo është sa e çuditshme, aq dhe e pabesueshme! Nuk kam ndërmend të këshilloj deputetët, por si mësimdhënës e punëtor drejtimi arsimor në bazë këtu e mbi 45 vite, siç e theksova, e them bindshëm, çiltër se dëmtimi apo të këqijat që na kanë sjellë e sjellin deputetët në edukimin e fëmijëve tanë është mjaft e madhe, e rëndë, shokuese. Përse? Qoftë mësuesit apo drejtuesit, qoftë prindërit, edukojnë e ndihmojnë nga e mbara, si i thonë, kurse deputetët, me fjalët fyese, me batutat pa vend e amorale, me cinizmin ngjyracak e karrierën e pamerituar, të ngritur mbi përbaltjen e tjetrit, na kanë çedukuar fëmijët, brezin e ri. Është interesante e domethënëse fjala e një emigranteje nga Italia në emisionin “Koha për tu zgjuar”: “Ore Bashkim (iu drejtua të nderuarit Bashkim Haxha). Unë nga Italia, kur shoh Parlamentin, shijoj komedi, çuditem dhe më vjen për të qeshur e për të qarë!”… Shqiptarja e mërguar, e vuajtur, e stërmunduar gati një çerek shekulli edhe tani në demokraci, (demokratrahurë), bën çudi, qesh e qan nga larg. Përse? Ata që ngjiten, që përbetohen, që vrullojnë në fushata, kanë vetëm dy shina: pasurimin dhe përdaljen (qejfin amoral të degraduar). Populli i vëren, i shikon, i dëgjon, i regjistron dhe bën çudi sesa atyre iu mungon parësorja; sinqeriteti dhe etika. Nuk fitohet lavdia me akuza, iluzione e shpifje maktbethiane. Nuk mbahet pushteti duke lartësuar antivlerat, në emër gjoja të konkurseve e nën rrogoz bëhet taraf! Shembujt konkretë të drejtoreshave të arsimit rajonal të Lushnjes, Tiranës, Korçës e plot të tjera, dëshmojnë se si vriten mësuesit e shquar, sesi mungesa e etikës së deputetëve shpartallon apo më mirë minos punën edukative në shkolla. Është fare e pa denjë që që në Parlament të flitet për etikë deputeti, domethënë që atyre t’u këshillohet apo t’u vihet re sesi të mos ofendojnë njëri-tjetrin. Pra, s’do harruar mençuria popullore se i shari të shan, i ligu e shpif të mirin, se është vëlla me vampirin… E ritheksoj se kam nderim për cilin deputet të thjeshtë, të drejtë e korrekt, i cili flet aq sa bën dhe bën atë që thotë. Por kurrë jo për ata deputetë që i thonë të lara e të pa lara në foltore, ku atje është rrezatimi i syrit të popullit, atje është kombi, kultura, modeli. Ja një fakt: “Ju jeni qenef deputet, -i tha një deputet i opozitës një deputeti të mazhorancës. “Ju jeni palo deputet, iu përgjigj hazërxhevap deputeti i mazhorancës!… Nëse qeni të kafshon, kurrsesi nuk mund të hakmerresh duke e kafshuar atë! I madhërishmi Migjeni thoshte: “Lere shejtanin n’hajninë e vet!”… Nuk kam ndërmend të këshilloj deputetët, as t’i përbalt ato, kurrë jo, por ngase kam nderimin më të madh për cilindo të votëbesuar, e them troç: etika për deputetin apo për cilindo kurrësesi nuk imponohet, ajo është vyrtyt e formim, ajo është dritë mendje e shpirti, është mbi të gjitha pasqyrë e kulturës njerëzore e intelektuale të vetë deputetit. Ka nga ata deputetë që shajnë me libër shtëpie, përbaltin familjarët e kolegëve të tyre, shpifin e sajojnë, duke treguar jo një model etike por një model shthurjeje e primitivizmi. Për të mos treguar rastet kur nga dhuna dhe llangosja verbale kalohet në akte dhune fizike, të stilit rrugaçëror e të gjitha këto janë shfaqje të përditshme të teatrit komedian parlamentar shqiptar!   

Nëse e këshillon një grua të përdalë (përvojë shekullore dibrane), ajo të përbetohet të kundërtën, bëhet kryeneçe, më e harbuar, kthehet e të urren, të shpif dhe bile (Zot ruajna) triumfon me lajkatërinë e saj! Pra, nëse populli dëgjon akuza, batuta, citate, slogane dhe nuk vëren të rrezatojë ajo për të cilën i ka votëbesuar, shtrohet pyetja: Etikë deputeti apo batuta laneti?! Pasqyra, gërshëra dhe peshorja e popullit ju kontrollon votëbesimin, irritimin, qëndrimin, pasurimin dhe dështimin, të nderuar deputetë! Sinqeriteti e maturia, përkushtimi e lartësimi i vlerave tek masat ju mungon. Pra: Etikë deputeti apo batuta laneti?! Etikë deputeti apo demonizim i kundërshtarit?! Etikë deputeti apo konkurs përbaltje, ku më i nderuari është ai që hedh më shumë baltë në kurriz të tjetrit?!… 

 

SHKARKO APP