Zoti e dergoi Havelin te na mesoj çfare eshte demokracia
Nga Halil Matoshi –Kur në Kosovë sapo kishim nisë të mendojmë për një regjim ndryshe, për t’i rezistuar despotizmit komunist gjatë viteve 1988-1989, me Blerim Shalën e Hazir Rekën shkonim shpesh në Slloveni – atje sapo kish nisë «Pranvera sllovene» me Janez Janshën, Igor Bavçarin dhe të tjerë. Shkonim për t’i pyetur se ç’ishte dhe si bëhej në praktikë demokracia përballë një regjimi policor.
«E lehtë», na thoshin si në humor, «vrisni zyrtarët e Sllobës… nëse doni të jetoni në demokraci…». Porse, brenga e tyre ishte humane. E dinin fort mirë se ne sapo kishim dëgju diçka se si «bëhej» demokracia. «Jo. Mos përdorni kurrë dhunën», – na mësonin miqtë. Njëherë arritëm vonë në Lubjanë, trokitëm në derë të Ervinit. Ai u shfaq madhështor si një Hemingway i vërtetë, duke tymosur llullën e tij. Na e tregoi frigoriferin – «ka bukë të thekur dhe çaj» – u mahit. Pastaj u ngrit dhe na e tregoi banjën dhe ia zgjati Blerimit çelësat e veturës, për çdo rast. As unë, as Blerimi nuk dinim me i grah kerrit.
«Unë po dal, kam me shkrue për Mladina», tha – dhe doli duke na lënë në shtëpinë e tij.
Kur u kthye, na pyeti nëse kishim pushuar dhe ngrënë, pastaj po e thërriste Ivon. Ivo Shtandekerin, filozofin e Mladinas, përkthyesin e Hegelit në sllovenisht dhe studiuesin e Friedrich Nietzsches. Ivo u vra në Bosnjë si reporter lufte.
«Dodji Ivo, imam goste s’Kosova!», – i tha. (Hajde rrimë Ivo, me kanë ardhë mysafirë nga Kosova.)
Supozuam se Ivo do ta kishte pyetur se kush ishin kosovarët që kishin zbarkuar në Lubjanë dhe Ervini si hokatar që është i tha:
«Došao Blerim Shala i jedan kosovski albanac!» (ka ardhë Blerim Shala dhe një shqiptar Kosove). Kurrë nuk e kam vra mendjen se isha ekzemplar tipik i shqiptarëve kosovarë, saqë të më identifikonte dikush me të gjithë ata.
Më 1990 ishim takuar me Ervinin në New York. Ma bëri një fotografi te Statuja e Lirisë, me dy gishtat lartë si Victory! Këtë fotografi e botoi Mladina kur na arrestuan më 1990. Më quante «Doktor Matoshi», sepse në shoqërinë tonë kur ishte koha për lojë ose argëtim, unë nxisja «biseda akademike».
Natyrisht se Lubjana gjithnjë ka lezet me miqtë. Ne i kishim miqtë tanë Ervin Hladnik-Milharçiqin, Franci Zavrl dhe Ivo Shtandekerin. Ata na njohtuan me Janshën (pastaj ministër lufte, kryeministër e ministër i Jashtëm slloven), Igor Bavçar (u bë ministër policie), Peter Shkolç (kryetar Parlamenti). Të gjithë shkruanin kolumne për «Mladina». Shkruanim dhe ne.
Shala e kishte gallapin «Otto Grum», Ylber Hysa «Pavel Gregorec», ndërsa unë shkruaja si Halil.
Ia nisa të shkruaja kur e arrestuan Blerimin, më 1990. Dhe shkrimi i parë kishte të bënte me arrestimin e tij. Mladina ishte zëdhënëse e atyre që nuk kishin zë. Alfa dhe omega e shpërndarjes së ideve demokratike në Europën juglindore dhe posaçërisht në vendet e Ballkanit.
«Vetë e kam krijuar, botuar, censuruar, publikuar, shpërndarë, dhe … për të jam burgosur». Kështu e definonte Vladimir Bukovski praktikën e «Samizdatit», botimeve gjysmëlegale në nëntokën kulturore – ndërsa në sipërfaqe bënte kërdi sistemi komunist. Kjo praktikë e zbatuar për të shmangur censurën ishte e rrezikshme, meqë pasonin ndëshkime të ashpra kundër autorëve, riprodhuesve dhe njerëzve që u kapeshin materiale të censuruara ose kopjet e tyre. Ky «çelës» u përdor dendur edhe në Kosovë në fund të viteve 80-të, ndonëse të dendura ishin edhe orët policore, të shpallura me dekret e që kërcënonin këdo, që mendonte, jo sall ata që tuboheshin e rezistonin.
Pra, në tërë Prishtinën e vitit 1988-1989 funksiononin variantet kosovare të «samizdat-ëve», debatet e hapura, në grupe më të vogla intelektualësh dhe artistësh, forume të ndryshme, gazeta e madje edhe libra me shkrime autoriale, që fotokopjoheshin e shpërndaheshin dorë më dorë, ekspozita të artit modern e koncerte klasike nëpër kafene, deri tek instalimi i qasjes alternative në mediat ekzistuese.
Atëbotë Karol Vojtila, Papa nga Polonia, përdorte auditorët e Selisë së Shenjtë që tek audienca të tejçonte mesazhe paqeje, në të cilat demokracia dhe liria ishin bërë psalme të përmasave biblike; në anën tjetër Zëri i Amerikës shpërndante në eter mesazhet e disidentëve më të njohur të kësaj pjese të Europës.
Ndërkaq që polakët kishin ringjallur unionin e sindikatave «Solidarnosc», historia e të cilave fillon me unionin joqeveritar të punës, themeluar nga Lech Walesa me të tjerët në gusht të vitit 1980 në Portin e Gdanjskut, njëherësh organizata e parë jokomuniste në tërë Europën Lindore të dominuar nga sovjetikët.
Në Çekosllovaki shfaqet dramaturgu, eseisti e disidenti Vaclav Havel. Pasi bëri detyrën e tij të engjëllit mbrojtës të lirisë dhe demokracisë, ra me fjetë përjetësisht më 18 dhjetor 2011, duke lënë gjurmë në vetëdijen e njerëzimit, pra edhe te kosovarët, se si duhet mbrojtur e vërteta dhe liria, vetja dhe tjetri, se si duhet rezistuar dhunës pa rënë në grackat e saj, se si duhet refuzuar diktaturat pa u bërë pjesë e tyre dhe pa i përdorur mjetet e tyre, se si duhet mbrojtur i shtypuri dhe e vërteta për të.
«Milosheviqi i ka duart tepër të ndotura me gjak», shkruante humanisti çek, për ta tumirur intervenimin e NATO-s kundër Serbisë më 1999, sepse «ajo që ky regjim po u bën shqiptarëve, është njësoj si të ma bënte mua», këmbëngulte Havel.
Ai nuk ishte antikomunist ekstremist, por luftëtar kundër totalitarizmit dhe gardian i lirisë njerëzore, fjalës së lirë dhe lirisë politike.
Por, thuaja të gjitha televizionet nacionale dhe madje disa gazeta të Prishtinës lajmin për vdekjen e Havelit e mbështollën me diçka që vërtet ai s’ishte: me antikomunizëm fanatik! Havel nuk kishte qasje terroriste antikomuniste. Ai ishte humanist. Ai madje ka bashkëpunuar me komunistët e linjës së butë dhe me ta e ka rrënuar totalitarizmin. Haveli e ka mbështetur Alexander Dubcekun që proklamonte «socializmin me fytyrë njeriu» më 1968 gjatë «Pranverës së Pragës» dhe nuk mund të krahasohet me antikomunistët e tërbuar, të cilët përpiqeshin ta luftonin komunizmin ose me mjetet e fashizmit ose me mjetet e vetë komunizmit: përmes ndjekjeve, përjashtimit dhe demonizimit.
Ishte viti 1989.
Europa Juglindore po zgjohej.
Aty mes njerëzve kryengritës ishte edhe Haveli, i pashmangshmi.
Për kosovarët sapo kishte nisur një lloj katarze, tek hiqnim nga vetja mbetjet e mendësisë totalitariste të shkollës real-socialiste, të imponuar si kulturë, kryesisht nga Tirana dhe si politikë nga Beogradi. Shoqëria kosovare ishte e brumosur me idetë e dy totalitarizmave, atij shqiptar enverian dhe atij jugosllav, titoist. Gjatë tërë vitit ‘89 Europa Qendrore dhe Juglindore po mbushte sheshet e rrugët, që nga lëvizja sindikale polake, «samizdatat» çeko-sllovake dhe «Pranvera sllovene».
Të frymëzuar pikërisht nga «samizdatat» dhe Haveli, nga Walesa, nga «Pranvera sllovene» dhe Mladina, edhe Kosova ishte ngat, shumë ngat këtyre zhvillimeve. Ndoshta më e afërta nga tërë rajoni me kryengritjet kundërtotalitariste të kohës, si frymë kulturore, refuzim estetik dhe rezistencë politike.
Shfaqja e Ibrahim Rugovës si disident politik dhe jokonformist fillimisht nën ombrellën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (gjatë dhe pas bisedave të shkrimtarëve jugosllavë në Novi-Sad, 1988), hapja e debatit publik në Fakultetin Filozofik nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës, ku për herë të parë u fol hapur për pluralizmin politik, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe fjalën e lirë, dalja në skenë e Veton Surroit duke sjellë debatin politik demokratik në Kosovë përmes rrjetit të intelektualëve nga hapësirat e ish-Jugosllavisë (UJDI-i) dhe pastaj themelimi nga ai i së parës sindikatë jokomuniste të punëtorëve të KNI «Ramiz Sadiku» (më 16 dhjetor 1989), si dhe themelimi i Parlamentit Rinor, verë-vjeshtë ‘89 (e para organizatë autoktone pluraliste kosovare, që u pasua me burgosjen e tërë lidershipit të saj) për të shkuar, si kulmim organizimi, te themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si parti politike, më 23 dhjetor 1989.
Këto ishin ngjarje në kohë të duhur, krahas vlimeve në Lindje, që e thyen përfundimisht frikën dhe heshtjen në Kosovë.
Paralelisht me këtë frymë nis edhe lëvizja masive popullore në rrugë, duke e bërë vitin kosovar 1989 të krahasueshëm për nga vlerat demokratike dhe kundërtotalitariste me lëvizjet qytetare në tërë Europën Qendrore dhe Juglindore. Gjë që hala nuk po ndodhte në rajon. Pra, Kosova i ka prirë rajonit në rezistencë kundër autoritarizmit komunist dhe për demokratizimin e shoqërisë.
Por çfarë i ndodhi kësaj shoqërie që, 26 vjet më vonë, pasi që e fitoi lirinë dhe e krijoi shtetin, ra në kthetrat e një sistemi politik që burim e ka njëmendësinë, urrejtjen, vjedhjen e shtetit. Përse kosovarët nga të parët në vlimet demokratike më 1989 mbetën të fundit në realizimin e këtyre idealeve të lirisë më 2016?
Google na ka treguar se çfarë kërkojnë kosovarët në internet. Dominojnë emra këngëtarësh të turbofolkut, ilahi vajtimi dhe këso tingëllimash të Adem Ramadanit, që ta çajnë kafkën si çekan kovaçi.
Cili është morali i këtij rrëfimi: në sfond të këtij trendi qëndron galuc modeli qytetërimor tallava i elitave aktuale kulturore dhe politike. Ky model tallava është implantuar dhe injektuar në mendjen dhe shpirtin e qytetarëve nga njerëzit e fuqishëm të pasluftës në Kosovë që i morën fatet e atdheut me hu n’krah! Ata e bënë lidhjen e realizmit socialist me neootomanizëm dhe derivatet e tij turbo-folk e tallava, duke nisur me Universitetin publik të Kosovës, përmes Lidhjes së Shkrimtarëve, RTK-së, shumicës së gazetave e deri te majat e pushtetit të Hashim Thaçit, i cili e personifikon më egërsisht këtë model. Ky model i mbajtjes së masave në injorancë dhe errësirë të pazhbirueshme është mburoja mesjetare e pushtetit despotik.
Në këtë vend s’ka më refuzim, as etik, as estetik. Ne ende presim të lind një rezistencë qytetare, sepse ky vend u përket komandantëve e popullohet prej qyqanave. Lamtumirë Havel!
Lamtumir Ivo!
Mirë se erdhët në askundland.
«Thaçi, realisht do të duhej me të shti në burg. A durohet doktor Matoshi?» – më pat thënë me shpoti më 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ervini.
Për Ervinin kam me shkrue gjatë, kur të fuqizohet rezistenca civile.