Zoti qoftë me ty më 21 qershor, si më 23!
Nga ARBEN MANAJ
Të thuash që fushata zgjedhore në Angli është tërësisht ndryshe në formë dhe përmbajtje nga ajo në Shqipëri, pa mëdyshje përbën klishe.
Po ndiqja të martën pasdite një monolog elektoral të Kryeministrit në Lezhë, dhe nisur nga ato që dëgjova këto ditë në Shqipëri, kam një parandjenjë të keqe për rezultatin e 21 qershorit.
Monologu kyeministror me një rekuizitë ku në sfond këmba-mbi-këmbë, deputetja e Lezhës tundte kokën në shenjë aprovimi, kur Rama fliste për Lala Gjonin paraardhës, që e kishte lënë Shqipërinë si atë shtëpinë ku babai e kishte luajtur në bixhoz, ndërkohë që burri i deputetes ishte bashkë-Lalagjoni i kësaj shtëpie, e sërish kryefamiljar i shtëpisë së trashëguar.
Një monolog ku flitej se shëndetësia e Berishës (dhe ashtu ishte me të vërtetë), nuk të ofronte mundësi shërbimi, përpos blerjes nga pacientët të shumë ilaçeve, nëse të zinte halli.
E i sapokthyer nga Tirana, për një hall të madh familjar, pasi një të afërmes time, i kërkohej po nga kjo shëndetësi publike dhe jo ajo private, që synon të bëhet falas, edhe pas 18 muajsh, të paguante 2 mijë euro për pajisjen e operacionit të saj delikat.
Një monolog ku si “në shakatë e kripura të Duçes”, flitej për një shkodran që kishte kërkuar nga Kryeministri tri ditë më pas, kur ai vetë kishte njoftuar për restaurimin e stadiumit për ndeshjen me Serbinë, se ku e ka stadiumin e Shkodrës?!
Normal që s’kishte si ta kishte pas tri ditësh se nuk është Rama si Kristiano Ronaldo.
Por se përse duhet një stadium rreth 15 milionë euro, kur sapo është bërë brenda standardeve të UEFA-s Elbasan Arena e kur ka aq shumë vrima në portën e Shqipërisë për të qepur, portë që po shqepet nga ikjet masive të shqiptarëve, një Zot e di.
E ndër këta të ikur janë edhe disa nga të njerëzit e mi më të afërm, dy të rinj të diplomuar, njëra në SHBA e tjetri në Turqi, që kanë shkuar në Gjermani, pa rënë pre e mashtrimeve, siç thuhet rëndom.
E ata, ikën se nuk kishin shpresë për veten e tyre edhe pse prindërit kanë biznes në Shqipëri.
Dhe kjo është akoma më e frikshme në këtë Shqipëri që Kryeministri me sa duket, e sheh jo siç e shohin vërsnikët e tij politikë në Angli, duke trokitur derë më derë, ndryshe nga monologët e Ramës me lidhje televizive live, me kranera e mbulime që një Zot e merr vesh se nga kush financohen e përse financohen.
E tëra kjo kur qeveria kërkon që të mos përdoren fondet publike për fushatë!
Mundem të jem subjektiv edhe unë, në konstatimet e mia për atë se çfarë po ngjet në fushatën e lokaleve, ashtu siç mendoj personalisht, po subjektivisht ndoshta, se kandidimi i Veliajt mbetet për mua, qëllimi më në shenjë i Ramës në këto zgjedhje.
Por kam një parandjenjë jo fort të mirë për atë çka mendojnë shqiptarët, (ata që unë njoh gjithsesi) dhe si do votojnë ata.
Ka shumë pakënaqësi me Ramën dhe qeverisjen e tij dhe këtë e them për t’i ardhur në ndihmë atij që ndoshta rrethohet nga puthadorë të rrumbullakosur, që janë rehat me të qenët pranë “të gjatit”, siç e cilësojnë gjerësisht.
E këtë pakënaqësi më shumë e kam dëgjuar me veshët e mi nga njerëz të majtë, e super të majtë, më shumë se nga të djathtë.
Rrethi im familjar dhe miqësia ime janë në shumicë të majtë dhe votues të Rilindjes, por një pjesë e frikshme e tyre, e ndoshta ky mund të mos jetë edhe aq indikator, por janë me dy mendje në rastin më të mirë, dhe me mendje të vendosur, në rastin më të keq, për të mos votuar fare në këto zgjedhje.
Reformat si ato të ndërmarra nga Rama dhe qeveria e tij, sepse janë antipopullore, dihet se kanë kostot e tyre politike dhe elektorale, por më shumë sesa pakënaqësia nga reformat e “babait”, ajo që e zvetënon Kryeministrin e tyre të Rilindjes është arroganca dhe fudullëku, që shohin “fëmijët e tij të sëmurë”, siç u shpreh në Lezhë, që vjen nga konsumimi i dukshëm i pushtetit dhe autokonsumimi i Kryeministrit, i cili me vetëbesimin se nuk ka opozitë formale konkurruese e të fortë përballë, harron se ka opozitë të fshehtë në oborrin e vet politik.
Apatia elektorale dhe menefregizmi politik ka gjasa të jenë barometri mes Ramës së 21 qershorit dhe atij të 23 qershorit; e për këtë arsye Zoti qoftë me të politikisht, në jetën e tij të dytë.
Gazeta "Shqip"