Zv. kryeministri kosovar: COVID-19 është përdorur për të goditur politikisht qeverinë Kurti

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Haki Abazi në një intervistë për Ora News u shpreh se pandemia e COVID-19 është përdorur për të goditur qeverinë e kryeministrit Kurti.

Abazi: Fatkeqësisht për kundër faktit që kishim një proces të mirë zgjedhor, kur erdhi koha tek llogaridhënia e COVID-19, u përdor për të goditur qeverinë e kryeministrit Kurti. Jemi një ndër shtetet e vetme që është përdorur politikisht COVID-19 për të goditur institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet. Është një moment i jashtëzakonshëm për të krijuar një konfuzion. Nuk ka zbehur punën që ka bërë qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Kosova vazhdon të jetë shembull në luftën kundër koronavirusit. Ka arritur që të përballojë pandeminë.

Ndërsa për sa i përket përplasjes mes Presidentit Thaçi dhe qeverisë Kurti, ai shprehet se është një tentativë e Presidentit për të zhvendosur fokusin e për të shkelur Kushtetutën.

Zëvendës kryeministri kosovar shprehet se tentativat e Presidentit janë për të larguar qeverinë legjitime dhe për t’ju shmangur zgjedhjeve të lira.

Abazi: Mendoj se Thaçi po tenton të zhvendosë fokusin për të shkelur Kushtetutën e për të arritur në një koalicion që nuk mbështetet nga legjitimiteti qytetar. Sa i përket zhvillimit ekonomik, ka një embargo të pashpallur ndaj Thaçit duke ditur se prej 8 viteve është premtuar prej tij liberalizimi i vizave. Shtetet e BE nuk i besojnë as Thaçit e as njerëzve rreth tij për të përmbushur kriteret dhe standartet e sigurisë së dokumenteve të udhëtimit dhe ato personale dhe rrjedhimisht qytetarët kanë paguar indirekt një embargo të pashpallur ndaj tij. Nëse vazhdon me këtë tentativë për të shkelur kushtetutën edhe me vërejtjet që i janë bërë atij dhe Isa Mustafës nga personalitete të BE-së, mendoj se Kosova do të jetë edhe më shumë nën një tentativë të tillë hipotetike për të larguar qeverinë legjitime dhe për t’ju shmangur zgjedhjeve të lira që do të ishte hapi i ardhshëm pas lirimit nga COVID-19.

SHKARKO APP