Zv/Kryeministrja: Korrupsion me punësimet në Ujësjellësin e Durrësit
Zyra e Zv.Kryeministres, Ledina Mandia i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për vlerësim të mëtejshmetë materialeve mbi punësimet e kryera në shkelje të Kodit Elektoral të konstatuara në Drejtorinë Ujësjellës Kanalizime sha Durrës për periudhën 25 Maj deri në 13 qershor 2017.
Bazuar në VKM-në Nr.473, datë 1.06.2017, pika 31, germa ë, zyra e zv,Kryeministres Mandija njofton se ka dyshime të arsyeshme që janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Zyra e zv.kryeministres thekson edhe njëherë se Task Forca nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.