ZYRTARE/ Vasil Shkurtaj rikthehet te skuadra e Kukësit, firmos deri në fund të sezonit
Vasil Shkurtaj është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Njoftimi u dha nga vetë klubi verilindor në faqen e tij. Në fakt, bëhet fjalë për një rikthim, pasi 29-vjeçari ka luajtur edhe më parë me fanellën blu.
Vasil Shkurtaj gjatë përvojës së parë me Kukësit u aktivizua në 46 ndeshje të Superiores, duke shënuar në total 27 gola.
Njoftimi i Kukësit
Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi Vasil Shkurtaj është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Sulmuesi 29-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë deri në fund të sezonit me opsion rinovimin edhe për një tjetër sezon, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Sulmuesi shtatlartë rikthehet te skuadra jonë, pas një aventure në Kinë, duke u vënë menjëherë në dispozicion të skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Shkurtaj bëhet kështu afrimi i dytë në merkaton e janarit.
Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje sulmuesit dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirë se vjen Vasil!