Zyrtarizohet bursa, hap dyert për investitorët në vjeshtë
Bursa e parë private shqiptare do të hapë dyert për publikun në vjeshtë. Në një intervistë për TV SCAN, Artan Gjergji, drejtor i bursës së sapolicencuar ALSE shprehet se së shpejti do të nisë puna me Bankën e Shqipërisë për të koordinuar infrastrukturën teknike që do të mundësojë tregtimin e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.
Në vitin e parë të aktivitetit, Bursa do të përqendrohet kryesisht në tregtimin e titujve qeveritarë, ndërkohë që pritet të licencohet edhe Regjistri i Titujve dhe të përgatitet gjithë infrastruktura e nevojshme për të mundësuar tregtimin e titujve të kompanive private.
“Biznesi shqiptar nuk e ka më fobi të pasurën në strukturën aksionere të aksionerëve të tjerë që nuk janë nga familja. Kemi mjaft biznese të mëdha tashmë që janë korporata, që janë të hapura ndaj kapitalit të huaj, ndaj aksionerëve të tjerë që s’janë nga familja, që funksionon krejtësisht në organet e tyre drejtuese në bazë profesionale dhe teknike. Kështu që biznesi, gjykoj, në gjithë këtë periudhë dy dekadëshe ka evoluar me shpejtësinë e dritës. Unë jam plotësisht i bindur, mund të përmend emra pafund biznesesh, që jo vetëm plotësojnë kriteret për të qenë të denjë për t’u listuar në bursën shqiptare të titujve, por realisht plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të praktikave më të mira të bizneseve për mënyrën e tyre të funksionimit”, u shpreh drejtori ekzekutiv i ALSE.
Gjergji shprehet se nevoja e tregut është e prekshme dhe cikli i rritjes së biznesit në Shqipëri e kërkon si nevojë shtimin e kapitalit përmes instrumenteve të bursës. Në fazën e parë, pritshmëritë janë që biznesi ta përdorë bursën sidomos për huamarrje përmes obligacioneve.
“Në të gjitha variantet, potenciali që një kredi të konvertohet në një obligacion korporate është gjithmonë është shumë i madh dhe instrumenti, gjykoj unë, që ka të ardhmen më të mirë në një periudhë afatshkurtër. Kështu që besoj se një pjesë jo e vogël e kredive aktuale që bizneset e mira kanë në sistemin bankar, dhe në të gjitha bankat mund të gjeni nga dy-tre biznese shumë serioze. Mirëpo të mos harrojmë se kemi 16 banka në Shqipëri, pra i bie që gjithë kjo gamë na bën besimplotë që oferta e titujve nuk do të mungojë në bursën e Shqipërisë”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi dje zyrtarisht licencimin e ALSE, si një zhvillim shumë të rëndësishëm për tregun financiar shqiptar. Sipas AMF-së, hapja e bursës sjell mundësinë që biznesi të sigurojë financime afatgjata për projekte të cilat bankat mund të mos jenë në gjendje t’i financojnë. Bursa iu mundëson bizneseve të rrisin kapitalin duke tërhequr aksionerë të rinj. Nga ana tjetër, investitorët do të kenë mundësinë të investojnë në një treg të rregulluar, që ofron besim dhe transparencë të plotë.