Opinion/Lidhja Islamike e Prizrenit
Aktualitet E Shtunë, 10 Qershor 2023 17:59

Nga Nest Zefi-
Tashma asht ba nji traditë inerciale me qasje akritike që në blogosferën virtuale të përkujtohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit, bash në sintoni të plotë me sponsorizimin zyrtar të hershëm të historiografisë shqiptare, ashtu sikur përkujtohen edhe ngjarje të tjera analoge. Emnuesi i përbashkët i ktyne përkujtimeve të induktueme asht mungesa totale e nji minimumi të sensit kritik për me germue, xjerr në pah dhe nderue minimalisht të vërtetës historike të ktyne ngjarjeve në fjalë, madje tue shpërfillë leximin korrekt të dokumentave dhe pasojave logjike që janë përftue prej eventeve të tilla.
Shpesh herë në shkrimet e mia mbi kto tema, i kam mëshue nevojës me u emancipue prej nji fiksimi dogmatik të trashiguem prej të kaluemes moniste, e cila i ka përpunue disa ndodhi në histori, përfshi Lidhjen e Prizrenit, në funksion të marrisë apo “inteligjencës” të vet artificiale për me kamuflue vazhdimsinë e pushtetit otoman. Prandej, nji qasje “liberalizuese” plurale në raport me përkujtimet e ngjarjeve historike, tue pasë parasysh realitetin faktik e kompleks shqiptar, mendoj se do të ishte hapi i parë metodologjik per me u dhanë mundësinë njerzve vullnetmirë, studjuesve objektivë për me fillue me dallue rrenën prej së vërtetës, metodikën e perdorun dhe interesat që janë mrapa në leximin e historinë me mrapavijë ideologjike apo asgjalogjike..
Në fakt, duhet thanë qysh në krye të herës se “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” mbart nji emërtim krejtësisht abuziv, mbasi asht “bojatis” ex post gjatë rregjimit të Enver Hoxhës, ashtu si kryengritja e Haxhi Qamilit, e vlersueme si pararendëse e revolucionit komunist..
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, tue pasë parasysh vërtetë qëllimin e vërtet e parësor të saj mund të konsiderohej thjesht, Lidhja Otomane e Vilajeteve Arnaute që donin me pshtue Babën Sulltan në Ballkan dhe privilegjet e mëkambësve të tij otoman apo të kshtenë renegat, në momentin kur pushteti i perandorisë kishte fillue me hy në agoni të pakthyeshme.
Mjafton me pa disa pika të vendimeve të kësaj lidhjeje pa lidhje, saktësisht pikën 4, në të cilën evidentohet nji referim ndaj mbrojtjes të elementi jo islam me kusht që ata të sillet taman si besnikë të sulltanit…pra te jenë të tredhun e të nenshtruem…
Historiografia gjonturke shqiptare, e përfaqësueme prej historianëve diletant shqipëfolës të kohës së Gjonturkut ma të madhë në histori, pra, Enver Hoxhës, e që vazhdon ende sot, e potretizon këtë lidhje me paturpsinë ma të madhe si laike e antiturke, tue mashtrue trashë dhe në mnyrë të pacipë; madje shumë vetë duen me heq edhe paralele me Beslidhjen e Lezhës të kryesume prej Gjergj Kastriotit për sa i përket sponsorizimit të kauzës artificiale shqiptare e cila në substancë asht thjesht kauzë meskine otomane.
As domethania simbolike dhe substanciale e vendit të mbledhjes të Beslidhjes së Lezhës me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk i ka ndihmue kto historianët gjonturq me kuptue diferencën abisale mes ktyne dy ngjarjve dhe perspektivat apo implikimet e tyne diametralisht të kundërta.
Beslidhja e Lezhës u mblodhë të Kisha për me mbrojtë fenë e Krishtit, si kolanti eskluziv i nji populli e kombi të rrezikuem prej shpatës islamike otomane, ndërsa Lidhja shqiptare e Prizrenit u mblodhë të Xhamija për me mbrojtë autorët e pushtimit gjakatar disa shekullor të trojeve shqiptare nen flamurin e panislamizmit në ballkan.
Kriza e identitetit ndër shqiptar nuk zgjidhet tue u kacavjerrë te rivizitimi apo modifikimi i historisë simbas interesave të kontingjencës apo leverdisë të momentit, te shpikja e origjinave të rrejshme apo idhujtaria feticiste ndaj tyne, shkurt, të ngushillimi i rrenës dhe shpërfillja e të vërtetës.
Fatkeqësisht ndër shqiptarët e sotëm, madje edhe ndër disa nga ata që janë formalisht të kshtenë e katolik, megjithëse jetojmë në liri të paktën të mendimit, po ravijëzohet vokacioni i nenshtrimit ndaj rrenës, i akomodimit në artifice slloganesh të paundyr, tue gjetë pretekste të dobta harmonie medemekë fetare e shoqnore në nji kohë që unitetin e ban e vërteta e jo autocensurimi hipokrit për pak vegjetim mbijetojës.
Mandej habitena pse në Shkodër, kryeqendra e mbetun e katoliçizmit, anatemohet Nanë Tereza, apo hoxha gjys katolik, “shejtënon” nji sulltan vrasës të provuem me fakte historike kryefort, apo merrena me temat e diktueme prej otomanëve të cilat konsistojnë në përçamje politike e shoqnore e ngritje në sistem të konfliktit pemanent mes qytetarëve të shtetit tonë. Analizimi objektiv i historisë në itinerarin e saj me kthesa , përpjeta e disheza ka shumë valencë pedagogjike vetëmbrojtëse e paqëtuese për njerzit që duen me jetue si qytetar të lirë e të përgjegjshëm ndaj të mirës së përbashkët. Purifikimi i memories, shkrimi i historisë ashtu si asht kenë, përqafimi pa paragjykime i të mirës dhe burimeve të saj nuk ka pse me kompleksue askand, pavarsisht se në histori të parët e tyne ishin apo u detyeruen me kenë nga ana e të keqes.
Lidhja shqiptare e Prizrenit asht pararendese e ideologjisë otomano-komuniste dhe e parisë despotike që asht alternue deri ne ditët tona. Ashtu si antarsimi ne Konferencën Islamike, asht event problematik në historinë e përgjakun të trojeve shqiptare.