10 vjet pa At Zef Pllumin, Shkodra përkujton françeskanin e mirë

Në përkujtim të 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit u prezantuan për herë të parë 8 botime të plota, përfshirë edhe librin e tij të famshëm “Rrno vetem për me tregue” në aktivitetin shkencor të organizuar në Shkodër.

Provinca françeskane, ku frati shërbeu gjithë jetën e tij kishte menduar që përmes miqve, bashkëpunëtorëve të padër Zefit dhe studiuesve e shkrimtarëve të botonte edhe disa shkrime të papublikuara më parë.

At’Aurel Gjerkaj, i cili i qëndroi pranë At’Zef Pllumit deri në momentet e fundit të ndarjes nga jeta, tha se vlerësimi më i madh që mund t’i bëjmë sot atij, është të dimë të jemi shenjë drite në një shoqëri që ka shumë terr.

At’Aurel Gjerkaj:“Është minimumi që mund të bëjmë, të botojmë veprën e plotë të tij. Është minimumi që mund të bëjmë, të kujtojmë dashurinë, forcën me të cilën padër Zefi i mbrojti gjithmonë bindjet e veta.”

Për drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, At’Zef Pllumbi nuk e ndjente veten mirë pa u botuar të plota veprat e françeskanëve, ku mes të tjerash ka meritën e jashtëzakonshme për veprën e At’Gjergj Fishtës.

Persida Asllani:“At Zef Pllum dëshironte të sillte botimet françeskane dhe unë ende e re i thoja që bërë të bërë këtë që thua ti do të duhen edhe 10 vite. Ende e kujtoj sot fjalinë e tij: ‘E çka janë 10 vjet!”

“Unë gjithë jetën e kam kaluar në burg, por mendimtar i lirë. Ta mendojmë vehten zogj të lirë e të fluturojmë ku të duam” ishte një nga mesazhet që at Zef Pllumi e shpërndante vazhdimisht.

Në këtë konferencë, morën pjesë edhe shumë emra të njohur të botës akademike dhe medias gjithashtu. Akademiku dhe gjuhëtari, Sabri Hamiti, Mark Marku, pedagog në Fakultetin e Gazetarisë në Tiranë, Keda Kaceli, përkthyesja ekskluzive e veprës së At Zef Pllumit në gjuhën italiane, Ledri Kurti pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Evalda Paci, Pedagoge, etj.. ishin disa nga emrat që kujtuan dhe nderuan me kumtesat e tyre figurën e ndritur të At Zefit.

Me rrëfimin e saj, znj. Kaceli preku të gjithë të pranishmit, jo vetëm duke pasqyruar me detaje njohjen me At Zef Pllumit, por edhe me publikimin për herë të parë të korrespondecës së saj me fratin, i cili ia besoi dhe la amanet jehonën në gjuhën italiane të Biblës së dhimbjes, “Rrno për me tregue”.

(B.Kolvataj – A .GJergji)

Ora News – Shkodër, përkujtohet At Zef Pllumi, në 10-vjetorin e vdekjes botohen 8 vepra të plota

SHKARKO APP