60 fëmijë në Bulqizë tashmë e kanë të arreduar me të gjitha kushtet çerdhen e re

AlbChrome i është përgjigjur pozitivish kërkesës së Bashkisë së Bulqizës për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të Çerdhes Nr .2 duke realizuar mobilimin e saj para fillimit të dimrit.
Çerdhja e Lagjes së re të qytetit të Bulqizës frekuentohet nga 60 fëmijë të moshës 1 deri në 3 vjeç. Tashmë këta të vegjël do të kalojnë një dimër më të ngrohtë pasi ambientet e brendshme të çerdhes janë mobiluar nga e para falë kontributit të AlbChrome. Çerdhja është pajisur me mobilie, krevate dhe tavolina ngrënie fëmijëve që kalojnë një pjesë të ditës këtu.
Shazie Basha, djetoreshë e çerdhes, u duk entuziaste për këtë mbështetje: “Pajisjet e reja të dhuruara krijojnë një atmosfere shumë më të rehatshme për fëmijët e çerdhes nr. 2. Mirënjohje dhe falënderim për Balfin Group dhe Albchrome për këtë donacion. Falë mbështetjes së tyre, fëmijët gëzojnë tashmë një ambient më komod dhe më të ngrohtë, me të gjitha parametrat e nevojshme për të cilat kanë nevojë në përditshmëri, me qëllim që të zhvillojnë më së miri programet e tyre ditore.”
Drejtori i minierës së AlbChrome në Bulqizë Mikel Demçe u shpreh: “Pasi Bashkia e Bulqizës ja kishte drejtuar kërkesën Presidentit të Grupit Balfin Samir Mane, ai angazhoi menjëherë kompaninë tonë për ta përmbushur një kërkesë të tillë, duke pasur parasysh afërsinë që ne kemi me komunitetin në fjalë dhe kujdesin e veçantë që ka treguar gjithnjë zoti Mane për këtë zonë ku ne operojmë”.
Mbështetja për rritjen e shëndetshme e të vegjëlve dhe edukimi i duhur për të rinjtë janë në qendër të kontributit social të AlbChrome për komunitetet. Mobilimi i çerdhes së Bulqizës është një ndër shumë investime të shoqërisë në qytetin e Bulqizës. Pavarësisht krizës së rëndë që ka shkaktuar COVID-19 në industrinë minerale, kompania do të vijojë të mbështesë komunitetet pranë zonave ku zhvillon aktivitetin, kjo edhe në kuadër të politikave sociale të Grupit Balfin, i cili vetëm gjatë vitit 2019 lëvroi rreth 500 mijë euro në përkrahje të komuniteteve të ndryshme ku operojnë kompanitë e tij, pa llogaritur donacionet për të prekurit nga tërmeti.
AlbChrome nuk e ka ndalur këto vite përkrahjen për studentët dhe gjimnazistët e Bulqizës, ku përveç shkollës së mesme profesionale “Asllan Keta” të qytetit që e vazhdon funksionimin me mbështetjen e saj, edhe institucione të tjera para arsimore përkrahen vazhdimisht, si kopshtet apo çerdhet dhe studentët më të talentuar që vijojnë studimet në Tiranë në Degën e Gjeologji-Minierave, mbështeten gjithashtu nga kompania me bursë të plotë.
AlbChrome, është pjesë e Grupit BALFIN, është një ndër shoqëritë më të rëndësishme të industrisë minerare në rajon dhe përfaqëson një ndër eksportuesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri.

SHKARKO APP