Një vit pas vdekjes – sa shumë na mungon Rruzhdi Baxhaku

Nga Kujtim SULA –

Drejtor i Objekteve në Bashkëpronësi dhe Administrimit të Njësive Administrative

Bashkia Tiranë 

Në organigramën e Bashkisë së Tiranës është ndoshta rast unikal mbajtja bosh për afro një vit e vendit të shefit të sektorit të Emergjencave Civile. Është ky, treguesi më sinjifikativ i vlerave intelektuale e njerëzore të Rruzhdi Baxhakut që e drejtoi këtë sektor me kompetencë e profesionalizëm për afro dy dekada. Ndaj dhe gjithkush që e ka njohur shpreh bindjen se ai është i pazëvendësueshëm.

Kur po mbushet viti nga ndarja e përjetshme me shokun e mikun tim, përjetoj sërish dhimbje e mall të pashuar për të.

Prezantimi i parë me të ka qenë në vitin 2003, kur kryeja funksionin e nënkryetarit të Njësisë Bashkiake nr.2.

Që në fillim konstatova tek Ai gatishmërinë për të ndihmuar qytetarët që prekeshin nga fatkeqësitë. Një pjesë të ditës e kalonte duke ndihmuar të tjerët, duke instistuar në të drejtat e tyre, thuajse në çdo instancë të Bashkisë së Tiranës. Madje nuk nguronte për t’i ndihmuar qytetarët deri dhe për regjistrimin e fëmijëve në shkolla, çerdhe e kopshte.

Baxhaku la gjurmë me veprimtarinë e tij të shumanshme dhe të shtrirë në më shumë se katër dekada. Për 16 vjet ai ka drejtuar Emergjenat Civile, ndër sektorët më të vështirë e të ndërlikuar në Bashkinë e Tiranës.

Për mua ka qenë fat që për pësëmbëdhjet vjet miqësi dhe shoqëri të pandarë me të, njoha dhe bashkëpunova ngushtë me njeriun që mishëronte virtytet më të mira njerëzore: mirësinë, mençurinë, shpirtin human.

Ka patur plot raste kur më kapte për krahu dhe insistonte ta përmbushte me çdo kusht një premtim që i kishte dhënë dikujt, tregues ky i mbajtjes së fjalës së dhënë nga një kuadër i devotshëm dhe i përkushtuar maksimalisht ndaj bashkëqytetarëve të vet.

Përgjegjshmëria dhe serioziteti në punë e karakterizuan Ruzhdiun, si gjatë karrierës së tij në Ushtri, ku shërbeu deri në repartet e njësitë më të largëta e më të larta të saj, ashtu edhe për dy dekada si Shef i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës.

Ishte njeri i ndershëm dhe korrekt, por dhe shumë miqësor. Dhe këtë unë pata rastin ta provoj para tre vitesh, kur m’u bënë dy propozime për të filluar punë në Bashkinë e Tiranës: ose tek Tatimet e Bashkisë, ose te Drejtoria e Koordinimit më Njësitë Administrative. Disa miq më rekomandonin tek Tatimet me aludimin se atje bën ndonjë “nder”.  Ditën që kisha lënë takim për të vendosur, mendova të pij një kafe me shokun tim të vjetër, pastaj të vendosë.

I thashë: Jam në dilemë Rruzhdi, ku të filloj punë, tek Tatimet apo tek Drejtoria e Koordinimit më Njësitë Administrative.

-Nuk je ti për tek Tatimet…fillo tek koordimi me Njësitë Administrative….

Ishte një këshillë nga një mik i sinqertë. Më doli fjala e tij dhe puna pati rezultate.

Rruzhdi Baxhaku ishte njeri me sedër dhe shumë i ndjeshëm. Njerëz të njohur e të panjohur nga zona e tij vinin për ta takuar dhe e ftonin për kafe, tek “Sahati” pranë zyrës  së tij e Ai  bënte çmos për t’ua zgjidhur hallin.

Shpesh i thoja: do dalësh defiçit. Të ngeli rroga këtu tek “Sahati”!! Por, njeriu shpirtmirë e zemërgjerë më përgjigjej buzagaz: -Me kafe mbaj gjithë Tiranën….

Kafenë e mëngjezit e pinte me bashkëshorten tek “Sahati” dhe sapo e përcillte për në punë, kafen e dytë e pinim bashkë…dhe në shumë raste edhe me Vasil Premçin, autori i këtij libri.

Ai jetonte si askush tjetër me shqetësimet e miqve e shokëve. Këtë unë kam patur rastin ta provoj në kohën që kisha babain të sëmurë.

Me çiltërsinë që e karakterizonte më tha ta njoftoja nëse ndodhte që babai im të ndahej nga jeta……

Po, i thashë, ndërkohë ia bëra të ditur se është rrugë e largët deri në Kukës.

Atë ditë që ndërroi jetë babai nuk i tregova, por e kishte marrë vesh nga të tjerët, dhe bashkë me kolegë të tjerë erdhi në vendlindjen time, atje rrëzë Korabit për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait tim.

E tregova këtë rast për të evidentuar modestinë dhe sedrën e tij, që ishin të pashembullta.

Kur u mor vesh sëmundja e rëndë që e kishte prekur, Burimet Njerëzore të Bashkisë po mendonin të bënin një thirrje për ta ndihmuar, sepse kishte shumë shpenzime për kurimin në Turqi..

Më thirrën dhe më thanë ta bisedoja me Baxhakun. Por përgjigja e tij ishte: Faleminderit shumë. Do bëj si do bëj, mos i veni shokët në siklet!

Duke i përjetuar si mik e shok i ngushtë dhimbjet dhe vuajtjet që i shkaktonte sëmundja e rëndë, shpesh i thoja: -Je ushtarak, mos u dorëzo!

-Pse si të dukem,- më përgjigjej.

Gjithsesi mua më ka mbetur në kujtesë rrëfimi për premtimin që i kishte bërë vajza e tij.

-Babi, sa të bëj dokumentat dhe do të të marr në Hollandë!….Dhe sytë i mbusheshin me lotë…

Ishte shumë kurajoz dhe si i tillë nuk iu nënshtrua sëmundjes derisa jeta e tij u shua përfundimisht.

Ditën e ceremonisë së varrimit, ishte caktuar Zëvendëskryetari i Bashkisë, Andi Seferi, të mbante fjalën e  lamtumirës, por ai u shpreh: Nuk mundem dot të flas…Jam shumë i mërzitur….Ndaj fjalën e mori Drejtori i Emergjencave Civile, Erion Koka, i cili u shpreh për vlerat që mishëronte intelektuali e burri i rrallë Rruzhdi Baxhaku. Me organizimin e ceremonisë së përcjelljes, Bashkia dëshmoi vlerësimin maksimal për të. Mijëra shokë e miq e përcollën atë me të gjitha nderimet që meritonte.

Në profilin e tij ai punoi me devotshmëri e përkushtim. Personaliteti dhe karakteri i tij në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos dinjitoz për afro dy dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të këtij sektori jetik në bashkinë e Tiranës. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri Ai mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare.

Dhe jo vetëm kaq, si intelektual bashkëkohor demokracinë e konsideronte sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të tij ishte vetëm konkurrenca në vlera. Ai besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. I qetë, i pjekur, shumë i kulturuar nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyes dhe autoritar në ndëshkimin e tij individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet ai ishte individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e tij mund t’i shërbenin shumë një institucioni, një misioni.

Po mbushet viti që ai s’është më mes nesh dhe ne na mungojnë këshilltat e tij të sinqerta, lezeti në tavolinë, gatishmëria për të ndihmuar të tjerët.

Ai iku para kohe për në botën e përtejme, duke lënë pas kujtime të mira tek të gjithë ata që e njohën.

SHKARKO APP