90 vitet e Gardës së Republikës

Nga Safet N. Ramolli-Më 24 qershor Garda e Republikës duhet të kremtojë Nëntëdhjetë Vjetorin e Datëlindjes së Saj: një përvjetor jubilar, një rrugë e gjatë e udhëtuar në histori; sakrifica dhe privime të mjaftueshme për t’u ndier krenare dhe e obliguar për kontributet që ka dhënë dhe detyrimin ligjor e moral për të përmbushur misionin e saj me profesionalizëm, me nder e dinjitet. Është një rrugë e gjatë e përshkuar në kushte e situata të ndryshme përgjatë historisë së popullit pas çerekut të parë të shek. XX. Janë mijëra kuadro e qindra-mijë ushtarë, që kanë vënë në ndërtesën e saj nga një gur si dhe kanë derdhur djersë. Gjithësesi, diçka që duhet vlerësuar, sepse është e çmuar si sinqeriteti edhe përkushtimi i këtyre qytetarëve të thjeshtë, të cilët në emër të nderit, të krenarisë dhe të atdhedashurisë kanë bërë sakrifica të shumta.

Humanisti ynë i parë Marin Barleti, historianët italianë M. Mikaeli e Xh. Biemmi, por edhe shqiptarë në zë si Fan Noli e të tjerë, në botimet e tyre, do të sjellin argumente bindëse, se populli shqiptar edhe përpara 24 qershoit 1928, ka bërë gjithëçka për ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve, prijësve, pushtetarëve etj. Heroi Kombëtar – Gjergj Kastrioti Skënderbeu – në të njëzet e pesë vjetët që drejtoi e komandoi duke dalë fitimtar mbi makinën ushtarake më të madhe të kohës, pati edhe një formacion ushtarak të emërtuar “Praetoria Cohors” (Garda Pretoriane, S.R), e cila përmbushte edhe detyrën e ruajtjes e të sigurimit të kryekomandantit, të gjeneralëve dhe të kapedanëve të tjerë. Me vdekjen e Kryetrimit dhe me nënshtrimin e plotë të vemdit nga osmanët, për gati pesë shekuj do të “venitet” edhe nocioni “Gardë”, për t’u ringjallur në vitet e para të shek. XX, kohë kur Shteti Shqiptar do të merrte formë të plotë pas asaj fitoreje historike të 28 nëntorit 1912.
Vitet 1912-1924 shënojnë një periudhë kohore tërësisht të destabilizuar. Fatet e vendit e të popullit do të përcaktoheshin dhe vendoseshin jashtë kufijve shtetërorë nga shtetet e Evropës sipas interesave të tyre, duke i cunguar trungut shqiptar autokton gjysmën e territorve por edhe të popullsisë. Ky qëndrim e veprim prej kohësh ishte planëzuar në kulisat e errëta dhe kurthet e pabesa të diplomacisë fqinje dhe më tutje, në hartat e copëtimit të trojeve shqiptare por edhe të të tjerëve.
Hapat e parë dhe konsolidimi i Gardës.
Mjaft analistë politikë kanë arritur në përfundimin se Shteti Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës (20 janar 1920, S.R), do të shënojë themelet e një organizimi të vërtetë për administrimin bashkëkohor të vendit dhe popullit. Në vitet 1920-1924, edhe pse ka destabilitet të theksuar politik për shkak të grindjeve dhe mërive “të politikanëve provincialë”, vendi e populli do të ndihen më të organizuar; rendi e qetësia publike do të jenë më të gjithëpranuara nga komuniteti; vrasjet për shkak të hakmarrjes do të pësojnë ulje nga viti në vit; zgjerimi i emigracionit ekonomik do të shoqërohet me përmirësimin e kushteve të jetesës etj., etj.
Dështimi i kabinetit qeveritar të drejtuar nga Fan Noli (24 dhjetor 1924, S.R) i dominuar nga krahu progresiv i intelektualëve të kohës, nxorri në krye të piramidës shtetërore Ahmet Zogun, një personalitet ky kompleks dhe mjaft i përfolur. Gjithësesi kishte jetuar në rrethet politike perëndimore, nga ku akumuloi edhe përvojë për organizimin shtetëror me të gjitha institucionet dhe instrumentet e domosdoshme. Problem parësor ai përcaktoi organizimin dhe mbajtjen në gadishmëri të përhershme të një force të armatosur të pajosur me cilësi bazë si: besnikëria dhe bindja ndaj Njëshit të Shtetit. Natyrshëm do të tregohej i kujdesshëm për përzgjedhjen e efektivit, për armatosjen e tyre, për pajisjen me uniformë dhe mjete të nevojshme, për përgatitjen profesionale por edhe për trajtimin moral dhe material. (50% e buxhetit të Shtetit konsumohej për mbajtjen e Forcave të Armatosura, S.R)
Sipas sugjerimeve të këshilltarëve të huaj (Miraç, Stirling, Percy etj. S.R) që në agun e vitit 1925, do të hartonte një program për organizimin e plotë të forcave ushtarake, duke përfshirë në të edhe një kontigjent “… me qëllim krijimin e Gardës për Ruajtjne e Presidentit …”. Këtë fakt na e sjell në kujtesë edhe Bernd Ficher – një nga njohësit më autoritarë të problematikës shqiptare midis dy Luftrave të Përbotëshme.
Gjithësesi, si datë krijimi për Gardën e Republikës është përzgjedhur dhe fiksuar 24 qershori 1928, e cila i referohet një Dekret-Ligji të Qeverisë së kohës, përmes të cilit jepet Ligji i Parë Organik i Ushtrisë dhe Xhandarmërisë, përcaktohet struktura e tyre si dhe e drejta juridike e komandimit të tyre vetëm e vetëm prej Kryetarit të Republikës. Midis komandave të larta do të hasim edhe emërtimin “Komandë Garde”, e cila epitetohet “Presidenciale”, duke patur në strukturë: Komandën; 1 Batalion me 4 Kompani; 1 togë kalorësish; 1 Bateri Artilerie me 4 topa të kalibrit 75/13 m/m, dhe Bandën Presidenciale (trupë frymore muzikore, S.R).
Më 1 shtator 1928, Asambleja e Dytë Kushtetuese, do të vendoste shndërrimin politik të Shqipërisë duke e emërtuar: “Mbretëri Demokratike dhe të Trashëgueshme”, kryetari i Qeverisë do të ishte edhe President i Republikës, ndërkohë Garda do të emërtohet “Garda Mbretnore”, të cilin do ta ruajë deri datën e pushtimit të vendit më 7 prill 1939, në atë ditë “Të Premte të zezë”, sikurse është fiksuar në memorien e popullit por edhe në historiografinë shqiptare e më gjerë.
Për këtë strukturë Mbreti do të tregojë kujdes të veçantë: efektivi do të ishte i përzgjedhur me shumë kujdes si në pikëpamje të gjendjes fiziko-shëndetsore, por edhe atë mendore, por sidomos për vullnetin për të qëndruar me çdo kusht në besë, pavarësisht nga zhvillimi i situatave; detyra e këtij efektivi ishte tepër e përcaktuar, e kontrolluar dhe e drejtuar nga kuadro vendas, por edhe e asistuar nga specialistë të huaj; trajtimi moral dhe financiar ishte mjaft i diferencuar krahasuar me ushtarakët e tjerë; ashtu si dinjiteti dhe personaliteti i kësaj trupe vendosej dhe garantohej me ligj të posaçëm.
Ashtu si strukturat e tjera të forcave të armatosura, edhe Garda Mbretrore, hera-herës do t’u nënshtrohej ndryshimeve strukturore organike, por edhe në trajtimin profesional dhe material, me pretendimin që ajo të bëhej më operative dhe më efektive. “Ligji i Ri mbi Organizimin e Fuqive Armate” i vitit 1929, do të organizojë Ushtrinë Kombëtare në: Forca Tokësore; Forca Ajrore dhe, Forca Detare. Ushtria Kombëtare pas këtej nuk do të varet më nga Komanda e Fuqive Armate, por nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare. Por gjithësesi, edhe përmes këtij ligji, Garda Mbretrore do të bëjë pjesë në strukturën e Forcave Tokësore, sikurse edhe Shkollat Ushtarake, Armët e Këmbsorisë e të Artilerisë, Roja Mbretnore e Kufirit, e të tjera. Garda në pikëpamje organizative merr këtë pamje: Komanda, 1 Kompani; 1 Eskadron dhe, Banda Muzikore, ashtu sikurse prej saj do të kishte varësi edhe 1 batalion këmbsorie, i cili, gjykuar sipas organikave të kohës, kishte një efektiv prej 808 (tetëqind e tetë) vetë. Studjuesi amerikan Ficher, vëren se trupa e shoqërimit të Kreut të Shtetit përbëhej kryesisht prej malësorësh të dalluar për besë, burrëri dhe vendosmëri. Po ashtu efektivi i Gardës Mbretrore përgatitej për të vepruar sipas okelios: “Besë! Nder! Burrëri!”. Përgatitja profesionale realizohej përmes kursesh brenda vendit, por edhe kuadrot do të kishin edhe mundësinë që të kualifikoheshin si dhe të thithnin përvojën e homologëve jashtë vendit. Shërbimi kryhej me shumë përgjegjësi, me korrektesë dhe me vendosmëri të spikatur. Pas një ndërprerjeje kohore, në vitin 1935, strukturës së Gardës Mbretnore do t’i rishtohej “Banda Muzikore”, si dhe do të përmirësohej në mënyrë të ndjeshme shërbimi ceremonial.
Duke gjykuar misionin e qartë ligjor, përgatitjen serioze profesionale, kryerjen e detyrave të ruajtjes e sigurimit me përgjegjësi e përkushtim, si dhe trajtimin e diferencuar financiar, moral e material që i bëhej Gardës Mbretrore, mund të arrijmë në përfundimin se, Garda Mbretrore ishte në fakt një Repart Prestigjioz krahasuar me strukturat e tjera ushtarake. Po cili do të ishte fati i saj në të pastajmen?
Shpërbërja, riorganizimi dhe konsolidimi.
Shqipëria më 7 prill 1939 do të pushtohej nga Italia, për t’u sjellë kështu për gati 6 vjet në vorbullën e zhvillimeve të Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të pasohej me shpërbërjen e gjithë institucioneve shtetërore, me shkoqitjen e forcave të armatosura dhe të Gardës Mbretërore. Por Xhorxh Kastellan (George Castellan, S.R), autori i veprës madhore “Histori e Ballkanit”, profesor i një universiteti në Paris për çështjet e Historisë së Ballkanit, do të evidentojë qartësisht edhe faktin se “… përballë politikës së italianizimit shqiptarët manifestuan shpejt pakënaqësinë e tyre”. Ajo herët do të organizojë lëvizjen e armatosur, duke krijuar edhe formacionet e para ushtarake, ashtu sikurse më 10 korrik 1943 do të krijohej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare me detyrë: drejtimin dhe komandimin e formacioneve ushtarake, tashmë mjaft të shtrira në të gjithë territorin. Meqense veprimet kryheshin në territore të ndryshme, u gjykua e domosdoshme që të merreshin masa për ruajtjen dhe sigurimin e tij. Kështu, më 12 shkurt 1944, me partizanë të ardhur nga forcat ushtarake, do të organizohej një kompani me 34 partizanë me detyrë: “Të sigurojë dhe shoqërojë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm…”. Ky formacion do të siguronte edhe misionet e huaja ushtarake të atashuara në Shqipëri.
Zgjerimi i Lëvizjes Ҫlirimtare dhe shtimi i njësive ushtarake, si dhe shtrirja e veprimeve luftarake në gjithë territorin, shtronte edhe nevojën e lëvizshmërisë të Shtabit të Përgjithshëm. Natyrshëm edhe Kompania e Ruajtjes duhej të shtohej në numër. Për rrjedhojë më 25 tetor 1944 ky formacion u emërtua “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm”, me detyrë: “Të sigurojë personalitetet dhe qeverinë Demokratike të Beratit”. Pas çlirimit, në mars 1945 riemërtohet “Batalioni Special i Shtabit të Përgjithshëm” dhe inkuadrohet në strukturën e “Divizionit të Mbrojtjes së Popullit”, për t’u riemërtuar në vitin 1947 “Garda e Republikës” me efektiv të dy kompanive, njëra nga të cilat kryente detyrën e ruajtjes së afërt fizike të Personaliteteve të Larta Shtetërore.
Në të pastajmen, deri në vitin 1990, kjo Njësi e Specializuar hera-herës do të pësojë ndryshime strukturore, por gjithësesi i pandryshueshëm do të mbetet thelbi i misionit të saj. Në vijimësi do të jetë në vëmendjen e posaçme të Shtetit, duke u vizituar disa herë nga drejtuesit më të lartë, ashtu sikurse puna e efektivit do të vlerësohet dhe çmohet pozitive, sepse efektivat “ … e kanë kryer me nder shërbimin ushtarak, kanë mbajtur lart emrin e gardistit…”.
Ecuria e Gardës së Republikës në kushtet e shoqërisë pluraliste.
Jehona e pasthirmave të Evropës Lindore : “Për një botë pa armë, pa luftra dhe pa ushtri”, në Shqipëri në fundvitet 1980 do të artikulohet në okelion: “Ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa!” Kështu që proceset demokratizuese do të përfshijnë edhe Gardën e Republikës, e cila do të përjetojë evenimente të reja: i caktohet data e krijimit (24 qershor 1928, S.R) mbi bazën e të dhënave që ofrojnë dokumentet e kohës; do të pajiset me një ligj të veçantë, si dhe do të pësojë ndryshime strukturore në përputhje me misionin ligjor. Caktimi i datës së re të krijimit përbënte një akt pozitiv përmes të cilit rivlerësohet rruga e përshkuar nga efektivi ndër vite; ishte një homazh dhe rivlerësim i veprës së tyre – përfshi edhe ata që kishin shërbyer me devocion e ndershmëri edhe përpara shkurtit të vitit 1944. Ligji përcakton qartë vendin që zë dhe rolin që luan kjo strukturë specifike në sistemin pluralist; varësinë dhe lidhjet e saj me Ministrinë e Rendit Publik (Ministrinë e Brendëshme, S.R); mënyra e kompletimit dhe e bashkëveprimit me strukturat e tjera shtetërore, e të tjera si këto. Garda e Republikës specifikohet “Njësi e Specializuar Ushtarake” me mision: “Të ruajë Personalitetet e Larta Shtetërore, Selitë dhe Rezidencat Qeveritare të përcaktuara me ligj ose që urdhërohen nga Titullari i Ministrisë”. Në këtë periudhë me përparësi janë trajtuar çështje që kanë të bëjnë me: përmirësimin strukturor; plotësimin me dokumente që normojnë përmbushjen e detyrave; thithja e përvojës të simotrave perëndimore, etj. Në fundvitin 1994 u bë rivlerësimi i gradave ushtarake, u sistemua përvoja e grumbulluar për kryerjen e shërbimeve etj. Për këtë hark kohor puna e efektivit është çmuar pozitive edhe nga personalitetet e huaja; në Njësi kanë qenë të pranishëm disa herë drejtuesit e Shtetit Shqiptar të kohës, të cilët edhe do të premtojnë, se Garda e Republikës do të fitojë tiparet e një “Reparti prestigjioz të veçantë”.
E p i l o g
Por për fat të keq nuk do të ndodhte plotësisht kështu. Në të kundërtën, viti 1997, i cili filloi i prapshtë për gjithë vendin, do të linte shije jo të mirë edhe për Gardën e Republikës. Gjatë muajve mars-qershor ajo do të pësonte dëmtime në vlera materiale e teknikë, do të shpërdoroheshin vlera monetare, do të cënohej dinjiteti i saj, çka në të ardhmen do të ishin objekt kontrolli nga institucionet e specializuara. Rimëkëmbja e shtetit dhe riaktivizimi i gjithë jetës pas mesit të vitit, do të pasohej me rivënien e veprimtarisë në Gardë mbi baza ligjore; do të jenë më shpesh të pranishëm drejtuesit e shtetit, vlerësimi pozitiv i tyre do të shërbente si një motiv më shumë nxitës drejt progresit. Me shpresën dhe ëndrrën e mirë efektivi shkoi në 70, 75 dhe 80 Vjetorin e Krijimit të saj, me disa shkallë më lart në përmbushjen e misionit ligjor, duke merituar vlerësime pozitive nga drejtuesit e Institucionit të Rendit dhe të Shtetit.
Përfshirja e vendit në pështjellimet e pazakonta të shtatorit 1998, atakoi direkt Gardën e Republikës në misionin bazë të saj: njohu dëmtime të pjesëshme në përmbushjen e detyrës, iu gjakosën me armë zjarri 12 efektiva, por asesi nuk i mungoi vullneti për të qenë në krye të misionit juridik. Ajo ndihet e cënuar moralisht edhe nga fakti se më 21 janar 2011 drejtuesit e saj vranë 4 protestues, çka e bëri të palavdishëm 85 Vjetorin e Krijimit të saj.
Por vit pas viti, në të pastajmen, motua e punës ka qenë: të reflektojë më shumë atdhedashuri e përkushtim; të përsosë më tej profesionalizmin; të bëjë sa më normale kushtet e jetesës, stërvitjes dhe shërbimit, si dhe të rritë e përmirësojë shëndetin psikologjik të efektivit, çka e sjell atë në 90 Vjetorin e Krijimit me arritje mjaft pozitive dhe premtuese për progres në të ardhmen. Përmbushja e misionit ligjor me profesionalizëm, përkushtim dhe besnikëri, do të jetë traseja në të cilën do të ecë Garda e Republikës në të ardhmen.

SHKARKO APP