A kush kurajon ta pyes Edi Ramën përse po e burgosin William Argeros
Nga Ilir Levonja –
”Ndihem i turpëruar dhe mbaj përgjegjësi të plotë për çfarë kam bërë”. Janë fjalët e William Argeros përpara Gjykatës, një qytetar amerikan me banim në Tampa, të Floridës. Ai akuzohet se ka mundësuar një donacion në fushatën e elektorale të Barack Obamës më 2012. Ky donacion vinte nga një vend i vogël Shqipëria dhe personi të cilit ai po i shërbente ishte kryetari i opozitës së kohës Edi Rama. Ligji amerikan i ndalon sponsorizimet e huaja në fushatat elektorale të kandidatëve përkatës për në Shtëpinë e Bardhë. Ndaj nuk është edhe e rastësishme që në internet, në webe të ndryshme ka indinjatë, mjaft të ndjekësh komentet e qytetarëve për të kuptuar se sa i pa pranueshëm është në konteksin e ditës një veprim i tillë. Për më tepër kur bëhet fjalë vetëm për një foto të cilën liderë të vendeve të treta e përdorin për propogandë.
Sikur edhe në Twitter të klikoni emrin e Argeros do verifikoni lehtësisht efektin e këtij lajmi nga ana tjetër e Atlantikut. William Argero një nënpunës rehabilitues ka pranuar fajin. Ndërkohë që në vitin 2017 po për të njëjtën ngjarje është dënuar me kusht edhe një shtetas shqiptaro amerikan, pra Argero është i dyti. Ky gjyq ka të bëj sot drejtpërdrejtë me kryeministrin aktual të shqiptarëve Edi Rama. Ai vet kurrë nuk mbajti përgjegjësi. Atëherë zëdhënësit e tij mohuan gjithçka. Madje siç e kanë zakon mjeshtrat e lindjes, shpikën skupe të tjerë për të hequr vëmendjen nga vetja, si lobimet ruse pranë Pd etj. U futa tek Fb e kryeministrit shqiptar, të shikoja se çfarë po ndodhte me këtë rast, a ka indinjatë civile apo jo? Ndonjë debat koment nga ato që zakonisht kryeministri i kthen me finte në sportivitet batutash. Me një fjalë doja të shihja ndonjë qytetar që mund t’ia kujtonte. Por jo, madje edhe webet pranë tij e japin si lajm, por vetëm kaq. Njësoj si me thënë, grini ju, grini.
Megjithëse edhe mund t’ia kujtojnë por gërshërët e kuratorëve janë aty. Nga ana tjetër një naivitet njerëzor më çon tek pandehma se a i vret sedra këta soj njerëzish? A kanë familjarë përqarkë, fëmijë, motra, vëllezër që t’u thonë, po dënohen njerëz për fajin tonë. A kemi vepruar drejtë? A jemi në udhën e duhur? Por nuk ia vlen, shpesh ata përkrah dalin po aq katran sa i pari, madje bashkëpunëtorë me ndërgjegje të kulluar. Mjafton tu referohesh çfarë po shkruhet e thuhet këto vite rreth Enverit, Mehmetit dhe kastës byroiste. Përjashto ndonjë kokërr si djali ish kryeministrit Mehmet Shehu, Liri Belishova, kërkush nuk i pranoi krimet dhe përndjekjen. Kërkush nuk ia përmend Edi Ramës. Kësisoj është fare e kuptueshme përse tek ne kulti i individit dhe diktaturat gjejnë kollajsisht terren. Shkurt, jemi shoqlri e manipulueshme, e përvetësueshme dhe të nënshtruar. Vetë Edi Rama këmbë mbi këmbë me qetësi flet për arritjet e tija imagjinare. Sikur një skandal i tillë të ndodhte në një vend perëndimor, shoqëria e përditshmja, gjindja e kishin tërhequr zvarrë shefin e qeverisë. Tek ne nxitojnë ta mbrojnë me strategjinë arkaike për inat të sime vjehrre po shkoj me mullixhiun e fshatit. Nëse do i kthehesh shkeljeve ligjore, se a përbën një të tillë një veprim financiar i pa deklaruar dhe tatuar nga një lider opozite, s’ka prokuror që ta çoj nëpër mend, po të ishte fjala për ndonjë të dorës së tretë do çahej nata nga fenelinat e policisë. Gjithkush mund të bëj krim, mund të vrasi e presi, veç Edi Rama jo, prandaj pa asnjë diskutim ky është një tjetër skandal që tregon rënien tonë totale si shoqëri.