A mund të miksohen dozat e vaksinave anti-Covid? Ja çfarë thotë epidemiologu
Në vendin tonë dita ditës po vaksinohet një numër i konsiderueshëm qytetarësh me vaksinat anti-Covid. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit në Shqipëri janë vaksinuar 10.549 persona. Por çfarë ndodh nëse një individ injekton dy doza vaksinash anti-Covid të ndryshme? A sjell përzierja e dozave të vaksinave anti-covid efekte anësore?
Mjeku e epidemiolog, Ilir Alimehmeti, në një intervistë për emisionin Ditë e Re, thotë se vaksinat parimisht mund të miksohen, por nuk është bërë ende studim mbi efektin e përzierjes tyre. Sipas mjekut, kompanitë e vaksinave nuk kanë bërë studim as prova klinike se çfarë efekti mund të sjellë vaksina e tyre nëse miksohet me një vaksinë tjetër anti-covid të një kompanie tjetër.
“Parimisht mund të miksohen, kur flasim nga ana parimore dhe teknike. Por nuk është bërë studim, kompanitë nuk kanë bërë studim se çfarë efektesh mund të sjellë kombinimi i vaksinës tyre me vaksinën e kompanive tjera. Ndoshta mund të ketë efekte pozitive, sepse mund ta shtojë spektrin e mbrojtjes. Është njësoj sikur të kesh pirë një ilaç A, pastaj të kesh pirë një ilaç B , këto janë dy molekula të ndryshme.”
Mjeku këshillon qytetarët që t’i bëjnë të dyja dozat e vaksinave, sepse imunizimi nuk është i plotë vetëm me një dozë.
“Doza e dytë duhet bërë , sepse imunizimi nuk është i plotë vetëm me një dozë të vetme. Një dozë të vetme që edhe AstaraZeneca dhe Pfizer e kanë testuar ofron një mbrojtje nga 70% deri 80% që është një efektivitet goxha i lartë. Ndërkohë që efektiviteti me vaksinat e tjera nuk është kaq i lartë me një dozë. Diferencë bën Jonson por ne nuk e kem i fare këtu. Me vaksinat tjera ( kinezen që e kemi masivisht në Shqipëri), me një dozë, efektiviteti është shumë i ulet. Edhe vaksina Sputnik që aktualisht janë shume pak vaksina, duhen bërë patjetër të dyja dozat. Për vaksinën kineze efekti i dozës së parë është i vogël . ndodh që disa njerëz e kanë kaluara kovidin dhe doza e parë ngjan pak a shumë si dozë e dytë, sepse është dozë kujtesë.”