A mund të pajtohet vetëdija, si liri individuale me “moralin” e përbashkët kolektiv?

Nga Besmira Xhaferasi
Në ka diçka të pashmangshme dhe të cilën ne e ndjejmë më afër, qoftë në kuadrin kushtëzues, të vendosjes së marrëdhënies me të tjerët ashtu edhe në kuptimin e vetëqënies (ndërgjegjes së liri për veten), ajo është vetëdija.
Vetëdija është ajo pjesë e pandashme e jona, pa të cilën nuk mund të kuptohej ekzistenca e natyrës tonë njerëzore apo vetë “uni” ynë. Krahas kësaj, vetë liria si pjesë e qënësishme e formësimit dhe garantimit të vetëdijes përfaqëson tek ne , një vlerë abstrakte. Ajo është një e drejtë e patjetërsueshme shpirtërore, atribut universal i çdo njeriu pa kurrfarë dallimi të shtresës shoqërore , gjinisë, të përkatësisë kombëtare, racore, fisnikërisë, paraqitjes fizike etj.
Nisur nga kjo qasje , përcaktimi i lirisë si koncept mbështetet edhe në faktin se njeriu është një qënie e pajisur me vetëdije dhe si i tillë, ai është i prirur vazhdimisht për të kerkuar dhe zbërthyer natyrën e vet përmes njohjes së tij objektive.
Kështu, duke e marrë në konsideratë vetëdijen, si element thelbësor konceptual lind e nevojshme të themi se, ajo s’është vetëm një shprehje e identitetit tonë të brendshëm . Në thelb, ajo përfaqëson vetëndërgjegjen e qënies tonë , e cila nuk mund të qendrojë si një instancë e pavarur, e vetmjaftueshme, e pandryshueshme në rolin e ekzistencës së saj. Nga ky kuptim, ne vetë jëmi qënie të dyzuara (trup dhe shpirt) dhe vetëdija vërtet është një proces i brendshëm (pra, që ndodh brenda nesh) , por ajo nuk mund kuptohet e shpjegohet e veçuar, në një status të vetëmjaftueshëm, pa lidhje me botën e jashtme.
Përkundrazi, duke e parë në rrafshin funksional, të mënyrës së përjetmit apo përftimit të sensacioneve tona (në raport me botën e jashtme), vetëndërgjegjia, shfaqet shpesh si, një pikëtakimi e përbashkët; si një hapësirë ndërmjetësuese që bën diferencën dhe vendos ekuilibrin, në perceptimin mes asaj çfarë ndodh brenda dhe jashtë botes së individit.
E thënë ndryshe, vetëdija, ndonësë është një pjesë e rëndësishme e të menduarit tonë, si “liri vepruese e brendshme individuale”; e vendosur përballë kontekstit veprues social (kulturës së përbashkët shoqërore), nuk mund të veprojë si e vetme dhe ndaj, ajo shpesh gjendet në një pozicion dual, të kushtëzuar.
Me këtë ide, duhet të kuptojmë se ndonjëherë ajo çfarë përfaqëson përmbajtjen, esencën apo identitetin tonë individual takohet dhe vjen si kushtëzim i jashtëm (i rrethanave, mekanizmave të ndryshëm konvencional veprues në një shoqëri) që duke patur një rol mbizotërues, e dominojnë rolin dhe interesin e individit.
Në këtë mënyrë mund të themi, se vlera e vetëdijes qëndron në faktin se në kushtet kur, ajo projektohet së jashtmi (pra, kur veçoritë e brendshme tonat, ndeshen e detyrohen t’i nënshtrohen një rregulli ose kushtëzimi të jashtëm) asaj i duhet të marrë rolin e një arbitri apo përgjegjësi te domosdoshëm. Në këtë rast, duket se vetëdija e kapërcen statusin e të qënit e vetmjaftueshme.
Kështu, paraprirë nga një marrëdhënie e tillë varësie, ku vetëndërgjegja si liri e brendshme individuale, ndodhet e kushtëzuar nga nevoja e saj për të jashtmen, kjo në thelb çon në lindjen e një funksioni tjetër të vetëdijes , që është ai “reflektues”.
Kjo, përfaqëson një formë të shfaqjes së vetëdijes, dhe shpreh mundësinë e pashmangshme të vetëndërgjegjës së individit për t’u prekur prej ndryshimeve të realitetit të jashtëm. Më konkretisht, raste të tilla (ku vetëdija, është produkt i një marrëdhënie të kushtëzuar të vetes me tjetrin) bëhen të mundshëm dhe vijnë në shoqëri si shprehje: e kërkesës së individit për barazi, e dëshirës per te qenë i afirmuar brenda një shoqërie, për të arritur synimet, interesat etj.
Në lidhje me këtë, kemi zgjedhur t’i referohemi idesë së Hegelit, i cili e trajton hollësisht këtë koncept në veprën “Fenomenologjia e shpirtit”:
“… është caktuar një vetëndërgjegje e kulluar dhe një ndërgjegje, e cila nuk është e kulluar për vetveten, por për një tjetër… Të dy çastet janë thelbësore; ato janë si dy figura të kundërta; njëra është një ndërgjegje e pavarur, thelbi i së cilës është qënia-për-vete; tjetra është ndërgjegja e varur, thelbi i së cilës është jeta ose qënia për tjetrin, tjetri është zotëria, një është shërbëtori”.
Pra, duke u mbështetur në këtë ide, vetëdija (vetëndërgjegja) funksionon në rivalitet, si shprehje e një marrëdhenie të kushtëzuar e të përhershme mes vetes dhe tjetrit në shoqëri. Në këto kushte, arrijmë në përfundimin se shumë gjëra të cilat në konsideratën tonë, na pëlqejnë apo nuk na pëlqejnë, të cilat ne i vlerësojmë si të mira apa të këqija, të drejta apo të gabuara, të bukura apo të shëmtuara, në thelb nuk janë gjë tjetër veçse, produkt i këtij koncepti të brendshëm , qe ne ndryshe e njohim me emrin vetëdije.

SHKARKO APP