A tremben djemtë nga vajzat me vetëbesim?
Nisur nga puntata e fundit e ”Love Story”, shumë ndjekës shkruajnë në rrjete sociale se djemtë në këtë rast protagonisti, Saimiri, tremben nga vajzat e forta. Ndjekësit i referohen marrëdhënies së Saimirit me një prej vajzave pjesëmarrëse në program, Vivien.
Për këdo që nuk është i përditësuar me ndodhitë, Vivien u eleminua mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që para eleminimit debatoi me Saimirin. ”Ne nuk po tallemi këtu. Si Silvana si Suela që u dha puthje, duhet të merren pak seriozisht nga ana e Saimirit. Dashuria nuk është aventurë televizive, të paktën për mua”,-tha ajo. Ajo nuk ra dakord me Saimirin, i cili e konsideron puthjen “stacion” dhe jo “destinacion”.
Ndjekësit në rrjete sociale janë të ndarë në tri mendime: 1. Vivien u eleminua se Saimiri thjesht nuk e pëlqente. 2. Vivien u eleminua nga Saimiri për “hakmarrje” pas debatit. 3. Vivien u eleminua se Saimiri u tremb nga një vajzë e drejtpërdrejtë. Ndoshta nuk është rasti, por nuk është çudi që djemtë t’i shmangin vajzat që i kundërshtojnë, që janë të drejtpërdrejta dhe me vetëbesim. A e konsiderojnë të gjithë vetëbesimin si diçka tërheqëse? Kur vetëbesimi mund të jetë frikësues? Shpjegimi në vijim nuk ka lidhje me “Love Story” në veçanti, por trajton këtë qasje në përgjithësi.
Në një artikull për Psychology Today, Mark D. White, kryetar i Departamentit të Filozofisë në College of Staten Island, New York, thotë se zakonisht mendohet se të gjithë njerëzit e shohin vetëbesimin si diçka tërheqëse, por sipas tij, kjo është shumë e ekzagjëruar. Ai thekson se shumë njerëz, që kanë prirjen të mos ketë besim në vetvete, nuk e shohin si diçka pozitive te të tjerët. “Besimi është një gjë e mrekullueshme, por në disa raste është shumë frikësuese për dikë të cilit i mungon,” thotë ai.
Gjasat janë që burrat heteroseksualë, kur pyeten nëse u pëlqejnë vajzat e vetëbesim dhe të zgjuara, zakonisht thonë po. Studime të kryera nga psikologia Lora Park me bazë në New York e vërtetojnë këtë. Ajo pyeti disa djem nëse do ta shihnin si partnere romantike një vajzë hipotetike e cila ishte më e zgjuar se ata dhe dilte më mirë në mësime. Të gjithë thanë po. Por kur u kryen disa testime në matematikë dhe u manipuluan rezultatet dhe vajza kishte nota më të larta, studimi tregoi se djemtë kishin më pak interes romantik ndaj saj dhe tërhiqeshin. Pa e kuptuar, burrat mendojnë “Uau, partnerja ime është e suksesshme” ose “Uau, partnerja ime është e suksesshme dhe unë jam i pasuksesshëm”.
Psikologia Park thotë se mund t’ia atribuojmë këtë qasje për të mos u afruar me gratë inteligjente roleve tradicionale gjinore, biologjisë dhe paragjykimeve evolucionare që favorizojnë agresionin dhe rivalitetin. Një burrë mund të ketë frikë se një grua e tejkalon atë. Ka edhe të tjerë që ndihen mirë kur një grua ua kalon, gjithmonë nëse e shohin marrëdhënien si burim emocional. Studimet kanë treguar se nëse një burrë i përqëndron mendimet në aspektin “ne” dhe jo “unë” zhvillon më shumë strategji për të kapërcyer krahasimet përçarëse në çift.