Aborti me bazë gjinore, Bardhi: Shqipëria në listën e zezë

Aborti në Shqipëri është akoma një temë tabu. Ligji lejon ndalimin e shtatzënisë deri në javën e 12, përjashtuar rastet kur fetusi rrezikon jetën e nënës. Sipas INSTAT, numri i aborteve në vitin 2018 ishte 5.532. Për çdo 1 mijë lindje, pati 191 aborte. Ato spontane mbajnë peshën më të madhe.

Drejtorja ekzekutive e shoqatës ‘Together for life’, Eglantina Bardhi u shpreh se kjo shoqatë ka kryer një studim të gjerë lidhur me këtë temë, nga ku ka rezultuar se jo vetëm që aborti me bazë gjinore ekziston ende në vendin tonë, por në disa zona disbalanca mes lindjeve të djemve dhe vajzave është alarmante.

“Tashmë Shqipëria është në listën e zezë në aspektin e abortit selektiv, renditemi me vende si Armenia dhe Afrika. Raporti i lindshmërisë djem-vajza tregon se jemi përballë këtij fenomeni. Çuditërisht, edhe pse jemi në kohë moderne, ende shqiptarët duan të kenë një djalë në shtëpi. Në disa zona raporti djem-vajza ka arritur 118 djem për 100 vajza, si në Mirditë, Korçë etj”.

Nga ana tjetër, ajo tha për ”Euronews Albania”, se shoqata që ajo drejton i ka adresuar shqetësimet në ministrinë përkatëse dhe në kuvend ku ka kërkuar rishikimin e ligjit të vitit 1995, pasi fakti që teknologjia ka ecur me hapa të mëdhenj dhe gjinia e bebes mund të identifikohet që në javët e para, ka çuar në shtimin e rasteve të abortit selektiv.

SHKARKO APP