Afred Peza: Pse Urdhëri i Prokurorisë për të mos publikuar përgjimet, është i gabuar!

Nga Alfred Peza – Në kulmin e debatit politik dhe mediatik që riktheu botimi i fundit në gazetën gjermane “Bild”, të disa përgjimeve telefonike nga Dosja Nr. 339, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda nxorri urdhërin: “Për ndalimin e publikimit të akteve”. Më duhet ta them që në fillim se ky urdhër i prokurorëve drejtuar gazetarëve dhe mediave shqiptare për mospublikimin e materialeve të rrjedhura nga kjo dosje e shumëpërfolur, është sa i gabuar po aq edhe i pajustifikueshëm.

Një vendim i marë nën presionin e debatit publik, mediatik dhe politik nuk është një gjë fort e këshillueshme për profesionistët që drejtojnë një institucion të rëndësishëm kushtetutes, që presupozohet të jetë më i ftohti nga ndikimet dhe interferencat e jashtme.

Duke qenë se opozita po e shfrytëzon këtë çështje për të bërë beteja dhe luftra politike për nevojat dhe hallet e saj të ditës, të ndalosh me urdhra publikimin nga gazetarët dhe mediat të përgjimeve nga një dosje hetimore, pa dashje përcjell mesazhin e gabuar se shoqëria shqiptare ka frikë nga ky debat. Sepse të ndalosh qoftë edhe idetë e gabuara që mund të krijohen nga shpërdorimi politik i përgjimeve, do të thotë që tu japësh atyre, besueshmëri.

Çfarë është ky urdhër dhe përse sipas mendimit tim, ai është i pajustifikueshëm? Në të thuhet se, bazuar në nenet 103, 104 dhe 105 të Kodit të Procedurës Penale urdhërohet “Ndalimii i publikimit të akteve të procedimit penal Nr. 339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo forme tjetër informacioni masiv.” Në pikën e fundit shkruhet gjithashtu se “shkelja e këtij urdhëri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të Kodit Penal.

Ky urdhër është i gabuar sepse:

E para, liria e fjalës dhe e informimit në Republikën e Shqipërisë, është një e drejtë e fituar dhe e garantuar këtu e 30 vjet më parë. Jam një nga ata të shumtët gazetarë në këtë vend, që përgjatë këtyre tri dekadave kemi bërë shumë beteja dhe gjithmonë i kemi fituar ato. Kolegët e mi kanë bërë burg, janë shoqëruar në polici, janë përndjekur dhe torturuar për këtë mision të shenjtë. Ndaj, këto beteja do ti fitojmë edhe tani, edhe në të ardhmen. Askush nuk i ka fituar kurrë në demokraci betejat me gazetarët, me lirinë e shprehjes dhe me të drejtën e publikut për informim.

E dyta, nuk është detyrimi i gazetarëve dhe mediave për të ruajtur sekretin hetimor apo shtetëror. Apo edhe çfarëdolloj tjetër sekreti, qoftë ai. Ajo është detyrë e zyrtarëve të shtetit e të qeverisë dhe e profesionistëve të fushës, që u janë besuar ato. Në këtë rast ruajtja e sekretit hetimor është detyrë e oficerëve të policisë gjyqësore, prokurorëve, punonjësve dhe drejtuesve të institucionit që po e heton Dosjen Nr. 339. Njerëzit që menaxhojnë dhe punojnë me sekrete, paguhen për ti ruajtur ato. Ndërsa gazetarët, për të kundërtën: Për ti botuar këto sekrete në funksion të detyrës, transparencës dhe në interes të së mirës publike.

Ky qëndrim, duket si kontradiktë mes profesionit si gazetar dhe pozicionit tim si Sekretar për Marrëdhëniet me Mediat dhe Shoqërinë Civile në PS. Por, JO. Ato janë në sinkron. Sepse jo vetëm në princip, por edhe në praktikë kjo çështje kështu ka qenë, kështu është e kështu do të jetë gjithmonë në këtë sistem ku jetojmë. E majta në përgjithësi dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, e kanë këtë ndarje përgjegjësish, një parim të panegociueshëm. Ndaj kjo mazhorancë, ka ndërmarrë edhe reformat më të thella në fushën e drejtësisë e të shteformimit modern, në historinë e Shqipërisë.

E treta, siç thotë edhe Samuel Gompers, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit nuk i janë dhënë njerëzve, në mënyrë që të thonë gjërat që u pëlqejnë të tjerëve dhe të cilat bazohen në mendimin e gjithëpranuar. Por, në të drejtën për të thënë gjërat që nuk u pëlqejnë. Të drejtën për të thënë gjërat që përcjellin mendime të reja dhe ende të papritura. Të drejtën për të thënë gjëra, edhe pse mund të gabojnë”.

Edhe në rastin që po analizojmë janë thënë shumë gjëra të pavërteta. Janë bërë shumë spekullime. Janë luajtur e vazhdojnë të luhen lojëra politike nga më të pistat dhe interesa nga më të ndyrat në raport me ato që thuhen publikisht. Por as kjo e asgjë tjetër, nuk e justifikon dot vendimin e fundit të Prokurorisë për mospublikimn e sekreteve të Dosjes Nr. 339.

E katërta, ajo që duhet bërë në këtë rast, është nxitja e organit të Prokurorisë, për ta përfunduar sa më shpejt hetimin e kësaj çështje. Madje, nëse është e nevojshme mund të shkohet edhe më tej. Për të mirën profesionale, të nxitet deri edhe përfshirja e ekspertëve më të mirë të huaj, në zbardhjen një orë e më parë, të së vërtetës. Vetëm kështu do të shkojnë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që duhet të përballen me drejtësinë. Vetëm kështu do ti japim fund kësaj maskarade për përfitime politike, e cila përveç të tjerash dëmton imazhin e vendit dhe rrezikon të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe e fundit, për të gjithë ata që kanë abuzuar dhe spekulluar me të vërtetat e kësaj çështje, u kujtoj maksimën e njohur të Volterit, i cili edhe për këtë rast do të thoshte: “Nuk jam dakord me atë që thua, por do të mbroj deri në vdekje, të drejtën tënde që ta thuash atë”!

Ndaj për të gjitha këto, e ndoshta edhe shumë arësye të tjera, urdhëri i Prokurorisë për gazetarët dhe mediat, që të mos i publikojnë përgjimet e Dosjes Nr. 339, është i pajustifikueshëm.

SHKARKO APP