Afrikani që i dha një mësim të mirë shqiptarit

”Racizmi, kërcënimi më i madh i njeriut ndaj njeriut, maksimumi i urrejtjes për një minimum arsyesh”. Abraham Joshua Heschel. Një skenë e xhiruar rastësisht gjatë realizimit të rubrikës “Me Provë” të “Hostel by Anabel” shkaktoi reagimin e jo pak njerëzve në internet. Siç mund ta shihni në vijim, një burrë ndalon pranë vendit ku është vendosur Alberta, ndërkohë që një turist i afrohet dhe e pyet “Pse më quajte ashtu?”.

Nisur nga fjalët e afrikanit, duket se shqiptari – në përpjekje për t’i thënë “më hap rrugën” i është drejtuar me “Blackie” (nga anglishtja, black-ngjyra e zezë). Fill pas u publikua pjesa, të shumtë qenë njerëzit, pa dallim moshe e gjinie, të cilët kritikuan ashpër racizmin përmes komenteve në chat-in e videos livestream. Ndonjëherë mund të jemi më shumë skeptikë seç duhet për njëri-tjetrin, megjithatë pa përjashtim askush nuk u tall me të huajin, i cili e trajtoi situatën në mënyrën më qytetare të mundshme.

“Njerëzit duhet të bëjnë dallime midis ngjyrave vetëm kur fusin rrobat në lavatrice,” shkroi dikush në chat. “Kur do bëhemi ndonjëherë njerëz,” shtoi i/e revoltuar një tjetër pasuar nga të tjera komente të ngjashme. Pavarësisht shijes së hidhur që të lë një moment i tillë, siç u shpreh dikur aktori Denis Leary, “racizmi nuk është i lindur, mësohet”. “E dini çfarë urren djali im 2-vjeçar?”, tha ai. “Gjumin. Dhe me gjumin mbaron lista. Kaq.” Thënë kjo për të theksuar faktin se për fat të mirë, referuar reagimit të menjëhershëm në rrjete sociale, brezi i ri nuk është rritur në një frymë me paragjykime me bazë racën.

SHKARKO APP