Agjërim në karantinë, Samarxhi: Ramazani është pranverë e shpirtit, njerëzit t’i luten Zotit me sinqeritet
Gazetari Ferdinand Samarxhi tha në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, se Muaji i Shenjtë i Ramazanit e bën njeriun më të dhimbshëm, më të mirë, dhe që mendon më shumë për të varfrit, për të skamurit.
“Ai tani është njeri më i dhimbshëm, më i vuajtur, mendon për më të vuajturin, më të skamurin. Pra, krijohet në njeri tjetër.
Në këtë muaj, njeriu shkon drejt një përsosmërie. Ramazani është pranverë e shpirtit dhe e zemrës. Njeriu arrin përsosmërinë shpirtërore”, theksoi Samarxhi.
A plotësohet ky muaj si adhurim për besimtarët?
Patjetër që plotësohet. Sa më afër të Gjithëmëshirshmit të jemi, aq më të emancipuar mund të jemi. Ky Ramazan do të jetë ndër më të mirët, pasi ky muaj është një sakrificë, dhe njeriu duke iu drejtuar Zotit, do të kalojë këto peripeci, këto sfida të pandemisë. Njerëzit do të jenë më të devotshëm, më të përkushtuar, lidhja direkte e njeriut do të jetë me Zotin. Vetëm kur njeriu të ketë siguruar vetë botëkuptimin e tij, ai do jetë një qenie me diapazon, që mendon për të varfrit, për më të pashpresët, do jetë me integritet të lartë njerëzor. Edhe pse është kohë pandemie dhe besimtarët nuk do të shkojnë nëpër xhami, ritet do të jenë në shtëpitë e tyre, në zemrat e tyre, mjafton që t’i lutem Zotit me sinqeritet dhe pastërti.
Çfarë kërkon sot shoqëria shqiptare?
Zoti e krijoi njeriun, por duke qenë se njeriu është një qenie kozmike, Krijuesi e ka bërë atë të jetë një qenie shoqërore, aktive. Njeriu duhet të jetë koherent me zhvillimet. Ndaj, shoqëria shqiptare sot kërkon të jetë në koherencë me zhvillimet. Sfida është gjithmonë në rritje, njeriu duhet të përsoset vazhdimisht.
Ka nostalgji Ramazani i parë nga ato në vazhdim?
Ishte Ramazan i lirisë, madhëri e jashtëzakonshme shpirtërore. Pas shumë persekutimeve, vrasjeve, pushkatimeve, njerëzit ishin të lirë. Është një nostalgji e tmerrshme, një privilegj i madh shpiërtor. Ishte Ramazani i parë i lirisë.
Ç’është program “Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit”?
Ramazani është një ngjarje e madhe, që ofron njerëzit me Krijuesin. Njerëzit kthehen në një botëkuptim tjetër, bëhen qenie më njerëzore, më humane. Ndaj unë vendosa të përgatis këtë program, që e bëra me shumë dashuri, dhe që vendosa të transmetohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni. Arrita ta realizoj këtë program duke pasur pjesëmarrjen me të gjithë, me vetë besimtarët, se si e përjetojnë këtë muaj. Ky program filloi që në Manastir, aty ku ishte themeluar alfabeti, pastaj shkova në Ulqin, ku edhe aty u ruajt besimi, shkova në Tivar, ku gjuha shqipe është ruajtur me aq dashuri. Kam vazhduar në Prizren, në qytetin ku u mbajt Lidhja e Prizrenit, dhe ku vetë besimi përjetohet si ideal. Shoh që besimi prevalon dhe kjo është arsyeja pse e realizoj këtë program.