Akuzat e qëllimshme të BE-së
Nga Koço Kokëdhima –
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi sot, pas presidentit, anulimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë. Tërheqja ishte e pritshme, pas akuzave për krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura të ngritura dje nga Prokuroria e Hagës për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Akuzat për epopenë e lavdishme të UÇK-së i ka rrëzuar koha. Bota mbarë e di se Kosova ishte viktimë e genocidit të rregjimit të Millosheviçit dhe ajo e pagoi shumë shtrenjtë çlirimin 21 vite më parë, ndërsa Serbia ishte një agresore që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e shumta ndaj popullsisë së pambrojtur dhe shumë prej kriminelëve janë ende në pushtet e të lirë në Beograd.
Fakti që këto akuza u ngritën tri ditë përpara takimit në Washington, i bën ato të qëllimshme dhe si mjet presioni nga ana e BE-së për zyrtarët e lartë të Kosovës, që besojnë më shumë te ndërmjetësimi i SHBA-ve për marrëveshjen me Serbinë.
Ato janë një përpjekje e BE-së për të mos humbur protagonizmin në raport me SHBA-të dhe të fitojnë kohë për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, në samitin e ardhshëm të Parisit. Europa u bëri thirrje publike drejtuesve të lartë të Kosovës që të mos pranonin marrëveshje “të pista”, për shkëmbim territoresh dhe ndryshim kufijsh dhe u kërkoi SHBA-ve që në takim të ishte i pranishëm edhe Miroslav Lajçak, i Dërguari i Posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi.
SHBA-të dhe BE-ja janë aleatë të shqiptarëve dhe Kosova e Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me të dyja, por duke mos pranuar asnjë marrëveshje në kurriz të integritetit territorial dhe sovranitetit. Akuzat në emër të Hagës, që bëhen për hir të rivalitetit SHBA-BE, duhet t’i ndërgjegjësojnë politikanët shqiptarë që të tërhiqen përfundimisht nga idetë personale apo të imponuara për të bërë marrëveshje që tradhëtojnë luftën shekullore të shqiptarëve për liri, gjakun e derdhur të UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve kudo ku janë. Pushteti politik është i përkohshëm, por trojet shqiptare, kaq pak sa kanë mbetur pas plotësimit të orekseve të fqinjve shovinistë nga Fuqitë e Mëdha, janë dhe duhet të jenë përjetësisht të shqiptarëve.