“Aleanca e Konfederative e Lezhës”, 2 mars 1444

Në kuadrin e konkursit për 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi i rezistencës alban-epirote të shek XV, kundra okupacionit otoman – islamik dhe heroi nacional i alban-shqiptarëve të sotëm në Republikën e Shqipërisë/Albanisë

 Nga Agron Luka

Me rastin e 574 vjetorit të aleancës konfederative mbrojtëse me Capitaneus Generalis princin e albanëve – epirotëve, Gj. K. Skënderbeu. Në këtë Aleancë, me përbërie të ndryshme etnike të rajonit të bregut të Adriatikut e Jonit perendimor, bënin pjesë: princat albanë në teritoret e Albanisë, Epirit e Maqedonisë dhe enklavat me alban-epirotë; princat ilirikë/sllavojugorë të territoreve të Cërnagorës dhe enklavave ilirike/sllavojugore në Dibër e Maqedoni; Republika Veneciane si vëzhguese e garantuese dhe qytetet komuna autonome republikane nën protektoratin e saj.

Deformimi retrospektiv i terminologjive, i përmbajtjes origjinale dhe i gjith historisë reale  ndër vite, nga historiografia shqiptarologjike duke e interpretuar eskluzivisht si: “Kuvendi, Lidhja, Beslidhja shqiptare e Lezhës e princave feudal shqiptar”; “Bashkimi i Parë Kombëtar në historinë e Shqipërisë feudale”; “Konfederata e Princave arbërorë”; “Bashkimi më madh në historinë e kombit shqiptar deri atëhere si shtet i çentralizuar”, etj.  

I.

Po të klikosh, Besëlidhja e Lezhës ose në: https://sq.m.wikipedia.org.>wiki>Besëli…, ndër shumë përkufizime e emërtesa gjen edhe këtë: “Besëlidhja e Lezhës, njohur edhe me emërtime të tjera si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Prinërve Shqiptarë që u mblodh në Lezhë më 2 mars 1444, të cilët rrezikoheshin apo dëshironin shkëputjen nga lidhja me Perandorinë Osmane”.

Pa u futur ende në analiza se sa qëndron autentikisht e historikisht dhe se sa është i saktë ky përkufizim, le ta shohim paksa se nga buron dhe sa jetëgjatësi ka kjo multi emërtesë me disa variante.

Ideja e një dëshire për një film mbi Skënderbeun ishte hedhur qysh në shtator-tetor 1945… Prindi im Gjovalin Luka, një veprimtar i shquar i lëvizjes social-demokrate e komuniste dhe i luftës nacional-çlirimtare në Shqipëri, ka qenë edhe njëri ndër themeluesit e Shoqërisë së Miqësisë dhe Lidhjes për Marëdhënie Kulturale Shqipëri – BRSS, më 1946. Për meritat e tia u zgjodh si Sekretari i Përgjithshëm dhe njëkohësisht edhe si kryeredaktori i revistës Miqësia.

Më e afrueshme, idea për të realizuar një film mbi Skënderbeun u bë kur regjizori i famshëm Kopalin, vizitoi dhe eksperimentoi dy dokumentarë mbi vendin tonë, ku kishte një kontribut modest edhe Gjovalini. Më në fund erdhi koha kur filmi mund të realizohej. Me ndihmën e fondeve dhe mjeteve të sovjetikëve, me punën pregatitore të shumë intelektualëve shqipëtarë, bashkë me skenaristin Mikhail Papava, regjizorin Sergiej Jutkjeviç dhe me një grup të madh ekspertësh, aktorësh, ushtarë kavalerie etj, dora-dorës filloi të merrte jetë filmi. (shih, një serial, A. Luka, “Kur ideohej, skenarizohej e xhirohej filmi “Skënderbeu, heroi i madh i Albanisë”, vijim, “Ja si regjimi enverist çensuroi filmin dhe disa nga kontribuesit e filmit Skënderbeu”, botuar me shkurtime në gazetën SOT, dt. 26 prill 2009, f 22-23 dhe dt. 28 prill 2009, f 20-21 etj.)

Filmi Skënderbeu, edhe brenda vendit ka patur një seri kritikash, nga të cilat një pjesë fare e vogël qenë analizuar, ndërsa shumica dhe më të rëndësishmet mbetën si pakënaqësi e kritika mërmërima…

Konceptimi i skenarit nga M. Papava, ishte bazuar kryesisht mbi tekstet e Fan Nolit dhe M. Barletit dhe mbi një numër konsultuesish historianë rusë e shqiptarë. Por, në këtë mes duhet shënuar sidomos roli negativ që ushtronte personalisht Enver Hoxha mbi skenaristin. E, Hoxha, qysh aso kohe pretendonte disa lloje tezea e ide ekstremiste se, Skënderbeu kishte luftuar në dy fronte edhe kundër Perendimit, më konkretisht kundra Venedikut e Papatit ashtu edhe kundra Turqisë; se pushtimi regresiv venedikas kishte qenë njëlloj regresiv si ai turk e në mos më keq!

Edhe “ideja e pabesia e botës kristiane, si diçka specifike ndaj Shqipërisë”, edhe “supremacia e organizimit si shtet i çentralizuar, ku roli kultit të individit autokratik, na kishte avantazhe ndaj republikës me senat”, e kishin burimin tek improvizimet injorante, sektariste e antimarksiste të E. Hoxhës. (shih për këto trajtime edhe në Fjalimin e At. Gj. Fishta, në 1919, cit.; Shih edhe K. Marks, që cit. Makiavelin: “…forma më normale e qeverisies së ardhshme të borgjezisë do të ishte republika”, etj.)

Gj. Luka, ndër të tjera kishte patur dyshime qysh më 1952-1953, mbi të ashtuquajturën: “Aleanca, Kuvendi, Liga/Lidhja/Beslidhja e Princave feudalë Shqipëtarë në Lezhë, 1444” dhe mbi interpretimin e prezantimin e saj. (?!) Bëhej fjalë për aleancën dhe mardhëniet e Principatës alban-epirote të Skënderbeut, principatave të tjera alban-epirote, në relacion me Republikën e Venedikut dhe me ato territore tonat të qyteteve komuna nën protektoratin e tyre; për raportet e princave feudalë të kahershme me Turqinë dhe me pretendentë të tjerë konkurrentë si, Papati vetë, Mbretëria e Napolit etj.

Por, siç dihej Aleanca e Lezhës, kishte degjeneruar shumë shpejt edhe në një kundërvënie me armë! Atëhere, këtu ishte fajtore vetëm Republika Veneciane, apo kishin një dorë përgjegjësie edhe vetë Gj. K. Skënderbeu me disa princa vendas? Kishte bërë pala epirote-albane flirtime diplomatike sekrete edhe me Napolin e Papatin dhe gjithashtu e kishte ruajtur edhe “një portë hapur” duke zhvilluar diplomacy edhe me Sulltanin turk? Duhej patur parasysh se, mbi një bazë me kompromise e diplomaci me turqit, kishin vepruar shumë nga familiet e mëdha feudale alban-epirote (edhe princa të etnive të tjera), qysh nga shek XIV e përgjatë edhe shek XV. Po ashtu mbi një bazë të tillë me kompromise diplomatike, kishte vepruar edhe babai i Gj. K. Skënderbeut, feudali Gjon Kastrioti, i cili me ngritje-zbritje, kishte përparuar nga Dibra deri në Krujë e Adriatik në Kepin e Rodonit.

II.

Herët, ishte vënë re, realiteti dhe praktika e historiografisë pan vataniste otomano – islamike për të fabrikuar e falsifikuar retrospektivisht historinë tonë, më veçanërisht atë që na kish shoqëruar përgjatë pushtimit shekullor dhe këtu kontribuonin edhe mbeturinat feudale të ish kastës së lartë të otomanizuar – islamizuar shqiptare, pa përjashtuar edhe disa tipa servile kristianë, të cilëve, simbas një shprehje “ende nuk i kish dalë frika e rajallëkut”.

Në këtë çështje duhet thënë se, pjesën më të madhe të rolit negativ në historiografinë shqiptarologjike të shek XX, duke marrë parasysh edhe pretendimin si medemek përfaqësues i një ideologjie moderne socialist-komuniste, e kanë luajtur shkrimet e pafund me falsifikime e ndryshimet kameleoniste të E. Hoxhës, i cili nga fundi kishte imponuar edhe një kult individi si hazreti i mrekullisë së komunizmit orjental, “me forcat e veta”!.

Qysh me rastin e përkujtimit të 35 vjetorit të pamvarësisë më 1947, dolën mbi sipërfaqe disa divergjenca teorike mbrenda vetë lëvizjes socialiste – komuniste, kur u ngrit çështja se evenimenti i pavarësisë dhe i qeverisë së Vlorës 1912 me Ismail Qemalin, përmbante falsifikime të shumta. (Gj. Luka kishte mbajtur një fjalim në L. Sh. Sh.) Nga një lëvizje e interpretuar kryesisht me karakter diplomatik dhe marrëveshjesh të fuqive të mëdha dhe Turqisë, ideatori e sektaristi Enver Hoxha, dora-dorës, do të tentonte ta paraqiste këtë mëvehtësi-vetqeverimin, si: “si një vazhdimësi e kryengritieve të pandërprera shekullore, si një kryengritie e përgjithshme popullore nacional – çlirimtare antiturke me armë e me beteja legjendare e udhëhequr nga Ismail Qemali, Hysen Hoxha, Çerçiz Topulli, Haxhi Qamili, etj!”  

Fillimisht E. Hoxha u përpoq ta paraqiste popullin shqiptar si solidar e kontribues me lëvizjet nacional-çlirimtare antiturke të popujve vëllezër ballkanikë etj, por pastaj kur u prish me Jugosllavinë, filloi të propogandonte krejtësisht të kundërtën, duke nxjerrë mbi ujë edhe ish tabanin otomanist nga vinte, të një vllazërimi e miqësie natyrore të përjetshme turko-shqiptare!

Ka qenë E. Hoxha, që më 1958 u kujtua të ribotonte shifrat hiperbolike mbi genocidin e krajlave më 1912, duke vrarë 200.000 shqiptarë kosovarë, shifër e nxjerrë nga Arkivi At Gj. Fishta 1919; ka qenë Enveri ai që “denoncoi”, 36. 000 kosovarë të ekzekutuar nga v. 1944-1956 nga jugosllavët e Titos dhe Rankoviçit, dhe madje pa pikë ftyrësie, “denoncoi”  edhe “Masakrën e Tivarit” me 1000 të pushkatuar, ku “Terrori i Shefqet Durgut Pashës më 1910, kishte qenë lule” … (Shih broshurën, “Lufta e PPSH kundra ndërhyrjes armiqësore të LKJ në punët e brendëshme të vendit tonë”, bot. Drejt. Prop. Agjitac. të KQ PPSH, Tiranë 1958, tirazhi 30.000 kopje)

Simbas Enverit, që na kish mbajtur në çantën e partizanit edhe “Manifestin” e Sami Shemsetin Frashërit, “Shqipëria çka qenë ç’është e çdo të bëhet?” dhe dramën Besa: Lidhja e shqiptarëve me Turqinë e popullin vëlla turk na kishte patur arësye të thella e të largëta natyrale: Ku shqipetarët e shqiponjave na kishin zënë të marrin besën/fenë e turqve edhe pa ardhur Turqia; se, shqiponjatarët e kishin shpëtuar fëmijën e Osmanit pa u shuar..; se, Turqia na kishte qenë përkundrazi mbrojtësi ynë, karshi pushtuesve bajlozë të zi kristianë evropianë dhe sidomos ndaj fqinjëve që kishin dashur të na genocidonin e shuanin komplet nga faqia e dheut!

Ndërsa E. Hoxha, kërkonte ta denigronte dhe mundësisht ta zhdukte krejtësisht veprën e shkrueme të At Gjergj Fishtës (Siç e urdhëruan më vonë edhe për eshtnat!), në të vërtetën kishte kërkuar t’ia plagjiatonte-përvehtësonte trajtimet, vijën historike dhe sidomos ato shifrat hiperbolike, me të cilat, Fishta i deklarohej botës mbarë se, sllavojugorët dhe grekët na i kishin bërë një genocid popullit shqiptar në vitet 1912-1914, me asgjësimin fizik të rreth 250.000 shqyptarëve! Është i njohur “botërisht”, Fjalimi që kishte pregatitur At Gjergj Fishta për ta mbajtur e lexuar para Konferencës së Paqes në 1919 në Paris, ku nënvizonte: “…Turku ia njofti Shqypnis njifarë autonomijet; na la gjuhën e kanunet t’ona – e kërkund s’lexohet në histori se ky mbyti qinda mijash shqyptarësh njiheri… veç ndieni tesh si u suellën kristiant ballkanikë me Shqypni e shqyptarë. Në vjetin 1912 kërset lufta turko-balkanike e balkanikët pushtojnë Shqypninë. E mirë, shka bajnë këta? Njiheri mbysin pak me thanë, 200.000 dyqindmijë shqyptarë… veç si të munden me e farue kombin shqyptar…

Serbija kishte mbytë afër dyqindmijë shqyptarë në Kosovë… e Greqia ma se pesëdhetë mijë vetë n’Epir… Sot Konferenca e Paqit lypë, qi shi ndër kto vise të bahet plebishiti, për të caktuem kufijtë e Shqypnisë. Ironi e helmueme! Prej ktyne punvet, për mos me folë të tjera, duket çiltas se shqyptarët, prej pikpamjet kombtare, kanë pasë arësye me drashtë ma fort prej kristjanvet se sa prej Turqvet. Turku si për princip, si n’teori, ia ka pas njoft Shqypnis nji farë autonomijet, sado qi e pat kundërshtue përparimin e tij në Balkan. … ”

(At Gjergj Fishta OFM, “Shqyptart e të drejtat e tyne”, ribot., Shejzat, maj-gusht 1972, Romë, f 4-5; f 15; Redaksia ka vënë shënimin: “Teksti shqyp i konferencës së mbajtun frengjisht prej Emzot Luigj Bumçit, Ipeshkvit të Lezhës, në nji sale t”Universitetit katholik në Paris; Shih edhe botimin e origjinalit në fb; Siç thuhet, simbas disa zërave, në Paris nuk ia kishin pranuar për ta mbajtur këtë lloj fjalimi, për faktin se, Qeveria e Durrësit kishte anuar nga Protektorati-Proteksionizmi Italian dhe po ashtu për frymën protestuese kundra Antantës e Traktatit të Versajës. Pra At Bumçi e kishte lexuar në një formë private. AL.)

Edhe kopjac-mbretuci i vetëshpallur Mbreti i Shqyptarëve dhe shpëtuesi gjenetik e gjenealogjik i derës së sulltanëve otomanë, i inkurajuar nga këto analistë, na kishte hedhur disa hipoteza-teza, madje edhe ma të avncueme: “Për pesë shekuj unitetin e kombit shqiptar e mbrojti Turqia. Po të mos ishte Turqia, Shqipëria nuk do të shpëtonte sa nga pushtimi sllav as nuk do ta pengonte fshirjen e Shqipërisë nga harta e botës prej latinëve. Thelbin e ekzistencës sonë ne ia dedikojmë Turqisë”.  (cit. sipas, G. Shpuza, “Ataturku dhe shqiptarët”, ribot. 1994, f 85)

Diplomacia shqiptare e nxitur personalisht nga Ahmet Zogu, me këtoi ide na kishte nënëshkrue në Ankara me 15 dhjetor 1923 edhe Traktatin e Miqësis, Rrojtjes dhe Dashurisë së Përjetshme midis Republikës Turke dhe Qeverisë Shqyptare, i cili ende sot mbahet në një lloj konspiracioni! (Deklaratë e regjistruar verbale e Zogut, në takimin e me rastin e paraqities së lerave krendenciale të ambasadorit turk Rushan Eshref, 3 prill 1934. Cit. sipas f 84-85; po kjo broshurë, citon, Gaz. Paqia, Stamboll, dt 17 dhjetor 1923, art. Turqia dhe Shqipëria, f 45; po aty f 46, cit., Gazeta e Korçës, dt. 12 janar 1924,”Traktatet Turko-Shqiptare”; Dielli, 9 shkurt 1924; Gazeta Paqia, Stamboll, nr. 5, dt. 11 dhjetor 1923 etj; Ratifikimi i Marveshjeve nga Parlamenti Shqiptar me president A. Zogu, u kyen me 22 shkurt e 3 mars 1925, sipas AQSH, F. nr. 251, D 123, v. 1925, f 48, sip. Cit. f 53)

Ndërkaq, vu re se ishte ç’tjetërsuar retrospektivishte e gjith koha dhe lëvizja e ashtuquajtur si “Rilindja Kombëtare”! Realisht kjo vetë nuk e kishte patur këtë emërtesë, por kishte qenë thjeshtë një, “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, ku maksimumi vetëm një lloj autonomie kulturore kishte kërkuar, pa formuluar askund asnjë lloj kërkese zyrtare politike, për shkëptutje nga sulltanati turko-osman!

Me këtë metodë dhe stil ishte fantazuar dhe ç’tjetërsuar qysh në emërtesën origjinale e gjith lëvizja e ashtuquajtur si, “Lidhja shqipëtare e Prizrendit, 10 qershor 1878”, kur si në realitet edhe në përmbajtjen e në kërkesat zyrtare, kjo kishte qenë e ishte prezantuar: “Xhemieti Ihtilahti Islamie”. Kjo lëvizje ku dukej qartë edhe dora e diplomacisë turke dhe personalisht e Sulltan Abdyl Hamidi II, përmblidhte kastën e lartë feudale panturko-islamike, përfaqësonte një lloj usulli dhe gati-gati një lloj xhihadi – mobilizimi fetar- ushtarak, me bazë aleancën fetare islame të të gjith etnive të myslimanizuara të gadishullit! Ky Xhemiet, ishte shprehur unanimisht e plot gojën me dy dokumente në gjuhën turqishte, “Kararname” dhe “Taalimat”: për qëndrimin nën Sulltanatin turko-osman, brenda një suaze të quajtur Rumeli!

Askërkund nuk përmendej zyrtarisht emri i ri Shqipëri në Dokument dhe askund nuk kishte ndonjë fomulim as për autonomi e jo ma për independencë! Dhe këto Dokumente Zyrtare, “Kararname e Taalimat”, i ishin dërguar Kongresit të Berlinit dhe Bismarkut!

Ta mbushje historinë me faza e dytë e tretë, me krahë opozitarë, duke sajuar edhe gjithfarë Lidhjesh degësh e nëndegësh etj, ndryshe nga prezantimi zyrtar, kësaj nuk i thoshin histori! Usulli në Xhaminë Bajraktarlije, na ishte adoptuar fillimishte si, “Liga e Prizrenit” e pastaj “shto miell e shto ujë”, u interpretua akoma më ndryshe, nga Bajo Topulli, Mehdi Frashëri, Xhafer Belegu etj.

Sikur të mos mjaftonin këto, mbi këtë lloj trashigimie falsifikuese, ishin mbivendoseshin edhe ato të fashizmit dhe imperos Italiane, në gjysmën e parë të shek XX.  Mustafa Mërlika Kruja, bazuar me entuziazëm mbi “poetin komtar epik Gjergj Fishta”, pretendoi të jepte edhe Leksione independence të krijimit të Shqypenisë së Madhe Ethnike. Me 30 maj 1941, do të shprehej para Akademisë Shkencave e Arteve të Italisë se, po atë Shqypni të Madhe që e kishin projektue me tolerancën e interpretimit Kur’anor, pashallarët shqyptarë mbrenda suazës së perandorisë turko-otomane, qysh nga 1830, po atë e kish synue me e realizue edhe Lidhja e Prizrendit, me kryeqytet Ohrin. Dhe këtë Shqypni të Madhe, të cilën e “kishte harrue mosmirnjohja e Europës plutokratike”, bashkë “me triumfin final të armëve fitimtare të boshtit fashist”, do të na e realizonin me filantropi, Duçja i Madh i Fashizmit dhe zheniu Adolf Hitler i Gjermanisë. (M. Kruja, “Karakteret natyrore dhe historike të Shqipnis së Madhe”, bot. shqip 1941; shih edhe Hylli i Dritës, nr. 7-9 Korrik – Shtatuer 1940, f 297, Telegrame…; po aty cit. art., “Katërdhet vjet Monarki”, f 298 – 392)

Një botim special i Hyllit të Dritës, i kohës së “bashkimit të kurorave “ me fashizmin italian, ia gjen edhe datën e hollësishme, 15 qershuer 1878, kur Xhemieti Ihtilahti Islamie, na ishte kthye automatikisht si: “Lidhja Shqyptare Prizrendit e cila tuj vue në zbatim Kanunin e Lekë Dukagjinit, do të kërkote e mbrojte tanësinë tokësore të Shqypnis, në katër Vilajete: Janinë, Shkodër, Manastir, Kosovë dhe shumë delegetën kërkuen me shti mbrenda kësaj administrate edhe Vilajetin e Salonikut dhe Sanxhakatin e Novipazarit… Lidhja në Prizren veprojte krejt si nji qeveri kombëtare…” (shih, broshurën “Shqypnija e Shqypetarët”, bot. Shtypshkonja Françeskane”, Shkodër, 1940, f 24-25 etj.)

“Patriotët ethnikë” kolaboratorë me fashizmin e nazizmin gjerman, sajuan edhe një “Lidhje/Kuvend të Dytë të Prizrendit”, me një ide gjermane, ku pranonin edhe një Federatë Ballkanike me popujt fqinjë, me bashkëekzistencë të përnjinjishme dhe si, “lëvizje anti-imperialiste”. (shih, Mazar Sopoti, “Rilindia e Lidhjes së Prizrendit”, Hylli i Dritës, nr. 2, Fruer 1944, f 51- 58)

Siç po shihet e kemi historinë të mbushur plot me nga këto “Lidhje-Beslidhje” me tru bullari jeshil…

III.

Fillimisht, për aq sa i nevoitej si njeri ndër konsulentët historikë, prindi im Gj. Luka ishte bazuar edhe ai tek libri, Historia e Skënderbeut, bot. 1921 nga Fan Noli. Në atë kohë librin e M. Barletit e njihnin në latinishte vetëm disa persona me numërim, sepse shumica e konsultonin përmes italishtes.

Ndër të tjerët, edhe historiani Fan Noli kishte përdoruar fillimisht emërtesë kompozitën: “Kuventi i Leshit, 1 mars 1444”, të cilës i shtonte edhe emërtime e atribute të tjera. (Cit., f 31; f 110; f 112; f 113; f 114)

Kështu, Noli, kishte përdorur termat si: “Mbledhje”, “Aleancë” (f 110); dhe emërtesat kompozita: “Liga e Leshit”, (f 31); “Liga e Princëve Shqiptarë”, (f 112).  Noli nënvizonte se, mbasi Skënderbeu bëri çapin e parë kundra turqve, duke kontaktuar edhe me Huniadin, për marrjen e principatës atërore më 1443, do të ishte po ai që ndërmori një inisiativë të madhe: “Vendosi t’i thërresë të gjithë princërit e Shqiperisë në një mbledhje për të lidhur një aliancë dhe për të organizuar një ushtri të përbashkme për mbrojtjen e vendit. Po ku t’i thërriste? … Për të mos i mbetur hatri askujt, përfundoj ta mbledhë Kuvendin e Princërve në Lesh, të cilin ahere e kish Venetia”. (f 110)

Këtu dilte një pikëpyetje: A ishte vetëm kjo “hatërmbetja e feudalëve princëve shqiptarë”, arësyea dhe shkaku që kjo Mbledhje Aleance të ishte zgjedhja e Lezhës dhe a mund të quhej kjo eskluzivisht si: Kuvendi i Princave shqiptar?!

Realisht, thuhej se pjestarë ishin edhe venecianët, sepse qysh në Hyrje, Noli e kishte shprehur të shkruar: “tentativa e Skënderbeut, si kryekomandant i ushtrive aleate Veneto-Shqiptare, për një Kuvent të Dytë të Leshit të Princërve shqipëtarë dhe komandantëve venecianë në fund vitin 1467-1468” (f 13)

  1. Noli shkruante: “… duke u mbajtur Kuvendi në Lesh, i bëhej qefi edhe Republikës Veneciane, përkrahja dhe bashkëpunimi i së cilës ishin të domosdoshme… (f 110)… Kuvendi u mbajt në kathedralen e Shën Kollit, më 1 të Marsit 1444. U përfundua të formohet një Ligë e Princërve Shqiptarë dhe Skënderbeu u zgjodh me një zë kryetar i saj dhe kryekumandar i ushtrisë të Konfederatës”.6 (f 112)

Kishim pra, një “bërje qefi” nga njera anë, dhe një “domosdoshmëri” nga ana tjetër, të cilat natyrisht merrnin parasysh edhe interesa e realitete të shumë anshme, duke patur parasysh edhe aktorë edhe faktorë të tjerë.

Vetë ky shën 6, duke cituar Lavardinin, historiograf i shek XVI, sqaronte se Skënderbeu ishte caktuar edhe si Capitaneus Generalis i forcave të armatosura që do nxirrte Aleanca e Lezhës, pastaj si Kryeprinc. Madje, de facto, në rrangun popullor, Skënderbeu konsiderohej edhe si “Mbreti i Shqipërisë/Scanderbeg esleu roy d’Albani”, siç e shkruajti Lavardini!  (Lib. II, Kap. II, f 37)

Për kohën pak para se të vdiste Skënderbeu dmth 1467-1468, Noli kishte shkruar: “Pastaj Skënderbeu thirri Kuvendin e Princërve në Lesh që t’u shtronte aliatëve dhe Venetisë pllanin e tij dhe t’u kërkonte ndihmën ushtarake dhe financiare” (cit. f 264)

Duke i peshur të gjitha këto hë për hë dukej se, Noli, në bot. e 1921, diçka nuk e kishte vlerësuar me realizëm ose e kishte minimizuar rolin e Republikës Venecjane dhe të aleatëve të saj, qoftë në qytetet tona e qoftë në princat, sundimtarët fqinjë sllavojugorë dhe qytetet e tyre.  Simbas Nolit, dukej sikur kjo Lidhje Shqiptare na paskësh qenë eskluzivishte e princave feudalë shqiptarë! Kishim këtu një tendencë subjektiviste të imponuar nga Noli, apo kështu e kishte përshkruar vetë Barleti?! Realisht Noli, në disa vende e kishte kritikuar edhe Barletin për tendenca filoveneciane, për disa mbulime e madje edhe për shpikie të një të ashtuquajturi Testament, ku Skënderbeu ia linte Principatën e qytetin e Krujës, Venecies!

Pra nëse qysh në ditën e parë kjo Lidhj-Beslidhje kishte qenë vetëm alban-epirote/ose si e deformuar shqiptare, atëhere pse na dilte termi konfederatë në botimin e vitit 1921?! Pse nuk ishte përdoruar asnjëherë ky term nga historiografia dhe nga asnjë historian i joni, përveç se te Nolit?! Përse emërtimi fitues Albania, apo Epiri ose edhe Maqdonia, emërtime që ishin në përdorim në proçesin e nacionalitetit, një proçes ende i pakonsoliduar, duheshin ndërruar në tekstet tona të shek XX, automatikisht me emrin e ri Shqipëria, kur ky vetë si emërtim gjeografik as në 1878, nuk ishte përdorur dhe nuk kishte patur asnjë njohje zyrtare?!

Përdorimi i një sasie terminologjike njëherësh, si dublime e si sinonime te Noli dhe sidomos përdorimi i termit Konfederatë, e çuan Gj. Lukën, në një verifikim shkencor:  Duhesh analizuar e krahasuar teksti origjinal i Marin Barletit dhe tekste e dokumente kohore të tjera! Lidhia – Besëlidhja, Mbledhja e Lezhës kishte qenë fillimishte si një Aleancë thjeshtë me një dominim nacional të princave alban-epirot apo kishte brenda edhe një Aleancë konfederative me karakter e përmbajtje internacionale?! Si ndodhi që ajo u çthur dhe degjeneroi edhe në konfrontim ushtarak?!

[Qysh në ditët e para mbas 29 nëntorit 1944, kishte patur edhe një eksperiencë personale. Duke u njohur me origjinalet e vendimeve të Kongresit të Përmetit, ku liheshin hapur të dy varjantet, i ishte dashur të hapte literaturat mbi Konfederatën Ballkanike të propozuar qysh nga Kongresi i Bazelit 1914 të cilën parullë e kishte propoganduar në Shqipëri edhe KONARE, dhe të sqaronte të gjitha ndryshimet midis një Konfederate Ballkanike dhe një Federate Ballkanike. Këtë bakllavanë e fundit, duke spekulluar nga ngjajshmëria e termit, po na e servirte Jugosllavia e Re e Titos!

Meqenëse ishte edhe kryredaktori i gaz. “Jehona e Shkodrës”, qysh në numrin e parë, në art., “Nga robënija në Liri”! Gjovalini nënvizoi: “…lufta e soçme vllaznore kundra anmikut të përbashkët, ka hjedhë bazat e para të shëndoshta për nji KONFEDERATË BALLKANIKE, me të drejta të barabarta popujsh”. (“Jehona e Shkodrës”, 21 dhjetuer 1944, f 1, art. Redaksional) Konfederata Ballkanike, me të drejta të barabarta popujsh indipendentë shihej si një mundësi e ardhshme mbasi Shqipënia Demokratike të kishte përparue mjaftueshëm ekonomikisht dhe kulturalisht, absolutisht nuk kishte ndonjë ngut imediat.]

Duke patur pararysh edhe se pas ngjarjes në Nish më 1443, “koha nuk priste”, të çonte në mendimin se me, “një rrugë dy punë”: ishte realizuar një aleancë mes princave alban-epirotë dhe atyre ilirikë fqinj sllavojugorë, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu kishte një kontribut të vlerësuar dhe në pjesën tjetër kishte edhe dorën e rëndësishme Republika Veneciane.

Gj. Luka, i kërkoi një ndihmë sqaruese të vëllait Kol Luka dhe prof. Injac Zamputit. Nga një rezyme e dy albanologëve sado sipërfaqësore, dilte se Noli nuk i ishte përmbajtur strict në përkthime e analiza, tekstit të Barletit. Kështu përshembull term direkt si Konfederata, nuk dilte te Barleti, por pjestarët quheshin “të konfederuarit”! Kjo formë dilte kur Skënderbeu po bënte përpjekje për të rimbledhur edhe një herë “të konfederuarit”/confæderatos ad conʃilium congregaret. (Barleti, Vita…, Lib. XIII)  Kishin qenë këta të konfederuar, ishte përdorur ky term edhe më 1444?

Në Librin XIII, i binte të ishim në vitet 1467-1468, kur tashmë shpresat dhe vetë Kryqëzata e Piut II, kishte falimentuar…

IV.

Shumë vite më vonë, prindi dhe unë patëm mundësinë ta njihnim F. Nolin edhe në ripunimin e dytë të vitit 1948, (bot. 1967 tek ne), por edhe të njiheshim direkt me përkthimin shqip të M. Barletit (përkth. S. Prifti, 1964 e ribot. 1967). Qysh në vitin 1962, ish përkthyer edhe disa copa sintezë nga Barleti, siç ishte njëra që emërtohej “Kuvendi i Lezhës”. Këtu në origjinal Skënderbeu shënohej, “Albanorum Princeps” dhe përdorej edhe termi Maqedonia. Ndërkaq tradita “alla shqiptarçe – alla turka”, ku kishte Maqedoni, impononte automatikisht  përkthimin si, Shqipëri, ose, ku shkruhej “Skënderbeu luftëtar për lirinë e Epirit”, automatikisht Epiri zëvendësohej me Shqipëri! Dhe se ku kishte Shqipëri aso kohe… ?!  (shih, “Bur. të Zgj. Për Hist. Shqip.”, Vëll II, shek VIII-XV, Tiranë 1962, Dok, nr. 190, f 286 – 289)

Ne konstatuam se, megjith përmirësimet për të futur rolin e borgjezisë merkantiliste, rolin e ndihmave financiare të jashtme akorduar Skënderbeut nga papët etj, Noli në botimin e 1948, përsëri çalonte. Përsa i përket mbledhjes së Lezhës, ai i ishte përmbajtur pak a shumë po atyre termave dhe konceptimeve në nivelin e botimit të vitit 1921, si: “Lidhje Aleance me krerët e fiseve shqiptare dhe fqinje dhe me Republikën e Venedikut”; “Kuvendi vendosi të themelonte një Lidhje të Princave shqiptarë”. (F. Noli, “Historia e Skënderbeut, bot. 1967, f 83-85)

Syrit të mprehtë të lexuesit Gjovalin, nuk i kishte shpëtuar ai interpretimi si, “lufta e Skënderbeut në dy fronte, kundra venedikasve dhe kundra Sulltanit”! A thua ishte ndarë ose shkëputur përfundimisht Skënderbeu dhe disa nga princat alban-epirotë nga Sulltani turk, mbas ngjarjeve të v. 1443-1444?! Pse Sulltani, e urdhëron Mustafain, sanxhakbeun e njohur të Shkupit, që të mos e godiste Skënderbeun ndërsa po luftonte kundra Republikës së Venecies?! (HS, Lib. III, f 144-145)

Për finalen 1467-1468, Noli në 1948, mjaftohej vetëm me një frazë: “…u thirr në Lezhë një Kuvend i Lidhjes për të gjetur mënyrat dhe mjetet se si mund t’i arrihej qëllimit”. (cit, f 147)

Duke konfrontuar ato dokumente që u botuan më 1962 (cit.) dhe ato dokumente që kish botuar vetë Noli, tashmë hapej panorama. Kishte disa indicie ku mund të shiheshin më qartë edhe rezervat edhe dredhime-spërdredhimet dhe lojrat diplomatike që bënte vetë epirot-albani Skënderbeu si Princi/Kryeprinci dhe Princat e tjerë, ku vepronin edhe si bukëshkalë, ku kërkonin edhe falje e pendese, ku edhe ia dilnin t’ia hidhnin paq, etj …

Na dilnin Dokumente se, Skënderbeu, në fund vitin 1447, pastaj 1448-1449, ende ruante një “lloj afrimi e miqësie me Turkun i paguante edhe tribut vjetor”, pra nuk I kishte këputur të gjitha urat! Dhe jo vetëm kaq, por ende edhe kur do të bëhej në konspiracion Traktati i Gaetës, më 1451, ende Skënderbeu dhe farë e fisi i tij “paguajnë tributin ose haraçin që tani janë të detyruar t’ia japin Sulltanit”; dhe “Skënderbeu dhe farë e fisi i tij tani blejnë kripë nga magazinat e Sulltanit”… (Shih, F. Noli, “Hist. Skënd”, bot. 1967, Dok. nr. 9; nr. 10; nr. 11, f 214-222; nxjerrë nga Ljubiç, Listine, Vëll. IX, f 282-283; f 301-303; Cerone, Vëll. XXIII, f 172-173. Krahaso me “Bur. të Zgj. Për Hist. Shqip.”, 1962, Dok. nr. 196; 197; Dok. nr 203, Traktati i Gaetës, 26 mars 1451, f 308-310 etj.)

Mbasi Princi Skënderbe, zoti Nikoll Dukagjini dhe zotërit e tjerë të Epirit (përkthyer Shqipërisë!), luftojnë për pushtimin e Vaut të Dejës, Principata e Lek Zaharisë, Mbishkodrës dhe Shkodrës, duke e humbur edhe luftën, më 4 tetor 1448, detyrohen qysh në fillim, “të pranojnë çdo lloj faji, dhune dhe fyerje ndaj Republikës së Venecies”. Vetëm mbas këtij pranimi, zhvillohen traktativat për një marrëveshje të re e cila pastaj edhe ratifikohet më 21 prill 1449 etj.

Mbi të gjitha në Ratifikimin e “Marëveshjes së Paqes” theksohet edhe se: “Republika e Venecies duke patur parasysh edhe kapitujt që kishte në Marrëveshjen e Paqes në fuqi me Teukrin, nuk ka mundësi ta marrë përsipër mbrojtjen e shtetit të Skënderbeut as ta shkëpusë atë nga afrimi dhe miqësia me Teukrin”.

(shih, Noli, cit. Dok, nr. 9 dhe Dok. nr 10, nxjerrë nga Ljubiç)  

Shikoni pra jemi në vitin 1449 dhe kemi një armëpushim diplomatik midis Republikës së Venecies, Sulltanit të Turqisë dhe Shtetit të Skënderbeut e Zotërve të Epirit. Kur kishte shkapetie të rënda dhe të gjitha palët ishin të lodhura, natyrshëm do të kishte edhe statuskuo të tilla. Edhe diplomati Skënderbe ka manovruar me diplomaci, duke e mbajtur mirë edhe me turkun edhe me Republikën dhe madje kjo i rekomandohet edhe nga dijenia e Republikës!

Na del se heroi Skënderbe nuk na paska ndenjur natë e ditë duke luftuar me pallë çveshur si heronjtë mitologjiko-biblikë!

Nuk do vononte dhe Skënderbeu duke i konsideruar  Aleancën e Lezhës 1444 dhe Marrëveshjen e Paqes 1448-1449, si thjeshtë “letra pa vlerë”, kishte kontaktuar nën rrogoz dhe  do të nënëshkruante fshehurazi Traktatin e Gaetës më 1451! Tashti paraqitien hyjnore të heroit të përkrahur nga qiellorët, do t’ia ushqente dhe përhapte Selia e Shenjtë dhe Alfonsi i Napolit, të cilët e shfrytëzuan heroin me kalë flutures Pegas, me përkrenare me Skjap, me mburojë me shqiponjë dhe me shpatë kryq, si Mbrojtësin e Kristianizmit dhe Evropës etj, vetëm për interesat e tyre!

E shfrytëzuan sidomos kur e patën bythën pisk edhe në gjendjen e brendëshme në Itali, kundra anzhuinëve, që përkraheshin nga Franca. E detyruan Skënderbeun të bënte paqe 10 vjeçare me Sulltan Mehmetin dhe të zbarkonte me ushtri të konsiderueshme në Itali, duke sakrifikuar edhe popullin e vet.  “Thonë se mizëria e njerzve që hipi në anijet ishte aq e madhe, sa që dukej se në Epir, në Maqedoni dhe në Iliris’kish mebtur frymë njeriu… shumë anije ishin nisur nga gjiri I Rizonit, nga limani i Durrësit, nga Aulona/Vlora, nga i gjithë bregu i Epirit dhe i Ilirisë. Shumë të tjerë ishin nisur vetëm për plaçkitje…” (Barleti, HS, f 402)

Po na dilte se në transportim ishin shfrytëzuar edhe anije të nisura nga Vlora, e cila ishte bazë e Sulltan Mehmetit II aso kohe!

Në “Historia e Skënderbeut”, bot. 1967, f 94 – 105, në përkthimin shqip, kishim të gjith përshkrimin e nevojshëm, të atij bashkimi, të të gjith komponentëve në rrangun etnik nacional alban e epirot, në rrangun e fqinjëve ilirikë = sllavojugorë dhe të Republikës Veneciane, ku nënvizohej: “Skënderbeu, sikurse atëhere kur iu desh t’i hynte rreziqeve… veproi me shumë urtësi… duke menduar se ç’punë të madhe  kishte vendosur të bënte, se ç’barrë të rëndë kishte marrë mbi supet dhe duke patur frikë se fuqitë e veta  nuk do të ishin mjaft të zonjat për të përballuar e përtëritur gjith ato luftra, të cilat ai si ndonjë profet i pagabuar paralajmëronte… vendosi se para së gjithash, duhej hyrë në një aleancë dhe në një fare besëlidhje të përherëshme me princërit dhe sundimtarët fqinj, epirotë e ilirikë… u gjet, pra me shumë vend që të caktohej për të gjithënjë Mbledhje e përbashkët diku në një vend të Epirit… në qytetin e Lissos – Alessium… i pari arriti Arianit Golem Topia…

Nuk munguan edhe princërit e pathyeshëm venecianë, për pushtetin e të cilëve mund të mburreshin atëhere, që të hesht për Shkodrën time, shumë qytete mjaft të dëgjuar dhe një pjesë jo e vogël e Epirit. Më në fund ajo mbledhje këshillimi… Fati i keq veç me pushtetin e vet të pamëshirshëm, e goditi Skënderbeun me një sëmundje të rëndë dhe e largoi nga ajo fushatë. (për pushtimin e Valmit/Elbasanit AL) Në kohën dmth, kur Skënderbeu e kishte shetitur me kalë tërë krahinën për të shikuar ushtrinë dhe kish arritur më në fund në Lisos, për të thirrur atje në mbledhje shokët dhe të konfederuarit, – sepse qytetin e Lisos, që i bindej pushtetit venedikas, Skënderbeu e donte me një mënyrë të veçantë, – e zunë një palë ethe të forta…” (“Hist. Skënderbeut”, bot. 1967, f 94 – 105 dhe f 488)

Aleanca e lidhur në Lezhë, në fakt as nga Noli dhe as nga tekstet e historiografisë zyrtare e makete, të botuara më vonë në RPSh, përsëri nuk u përshkrua asnjëherë as me nivelin e realitetit që paraqiste M. Barleti dhe po ashtu as në terminologjinë reale origjinale!

Dhe këtë tendencë retrospektivishte arbitrarishte dhe antishkencërishte do ta vazhdonte me ngulm e gjith e ashtuquajtura historiografia socialiste shqipëtare, madje duke futur në përdorim si proçes edhe termin e konceptimin orjental me “kom”, si: “Formimi i kombësisë shqiptare në shek XI”; “Formimi i Principatave Feudale shqiptare shek XIII-XIV”, etj. (Shih, “Historia e Shqipërisë, Vëllimi i Parë, bot. i dytë, 1967, f 169-171; f 191 etj)

Në botimet “Konferenca e Dytë e Stud. Albanologjike, 12-18 janar 1968”, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes të Skënderbeut, figura dhe roli i Gj. K. Skënderbeut, si mbrojtësi i qytetërimit evropian-perendimor u ngritën në zenith, ndërsa në të njejtën kohë me po atë stilin ekzagjerues ekstremist i mëshonin edhe një lloj Skënderbeu pishmanli e shadetli, ku e paraqisnin si dikur edhe Profetin Isa që deklarohej islam bashkë me havariunët. Skënderbeu në finale i zhgënjyer nga disa Papë, sidomos nga Kalksti III, Piu II dhe në finale edhe nga Pali II, deklaronte më 1467: “Tani e turje ishte më mire të luftonte kundra kishës se sa kundra turqve. Nuk e kisha besuar kurrë që të ekzistonte në botë një shpirtligësi e koprraci e tillë se tek këta priftërinj”; “Qëllimi i Sinjorisë së Venecies priret të pushtojë atë qytet Krujën, por më parë do tja jap atë Sulltanit me gjithë çka mbetet”.  (Konf. II, Stud. Alb. Bot. 1969, Referati prof. A. Buda, f 39; Stavri N. Naçi, f 57; Kasëm Biçoku, 73 etj)

Si kishte mundësi që historiografia shqiptare të deformonte dhe të sajonte interpretime që shtrembëronin deri edhe vetë tablonë që kishte paraqitur historiografi i Albanisë, Marin Barleti, njohës dhe dëshmitar i ngjarjeve dhe dokumenteve bashkëkohore?! (shih edhe “Studime për Epokën e Skënderbeut”, II, 1989 etj)

Siç dukej qartë e ashtuquajtura shkurt si, “Hyrje në Histori, Lidhja e Lezhës”, në fakt na paskish qenë më e gjerë se aq! Termave të Nolit, përkthyesi S. Prifti i nxitur edhe nga disa konsulentë, u shtonte edhe një përforcim konceptimi, nga Lidhje – si Beslidhje, fuste dhe barazonte termat kom(b)ësi e komb(b) të barazvlershëm dhe identikë me termat e proçesit dhe evolucionit evropian perendimor etj!

Por, përsëri ne mbetëm në cektinë… Për ta përmbyllur si të thuash atë Testament kurioziteti, mbas vdekjes së prindit, dekada më vonë sigurova skanimin e komplet teksteve të M. Barletit dhe të mjaft Dokumenteve të tjerë. (shih skanimet e paraqitura)

Dilte se realisht historia ishte përdhunuar e shtrembëruar… Etërit e Shenjtë të Vatikanit, kryesisht tre papë dhe feudalët aragonezë të Napolit, me premtime të rrejshme e të vetëdijshme të parealizueshme ia kishin krehur bishtin e furnizuar egon autokratike duke e paraqitur gati-gati si një shenjtor profet i zbritur hyjnor! Ata kishin projektuar edhe një lloj Zbulese si Parashikim Apokaliptik kristian të shek XV, në imitimin e antikës: kur Cjapi i Perendimit – Aleksandri i Madh, ia kishte thyer kokën Dashit të Orjentit – Darit II të Persisë. Në këtë edicion të ri mesjetar, protagonisti dhe konkurrenti më kryesor për këtë rol, do të ishte i piketuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Cjapi dhe shqiponja e Perendimit, kundra dy Sulltanëve turko-osmanë si Deshët e Orjentit islamik…

Vetë Papati, Alfonsi dhe sidomos Ferdinandi personalisht, filluan t’i premtonin se: “…do ta vendoste në krye të gjith ushtrisë së kryqëzatës, se do ta shpallte Mbret, jo vetëm të Albanisë, por edhe të Epirit, të Maqedonisë, të Thrakës dhe të gjithë Romës së Re, madje e propogandoi edhe si shënjtor hyjnor, sepse ky Princ ishte i dërguar, i zbritur nga qielli për vepra të pavdekshme për çështjen e krishterimit dhe të mbronte dhe lartësonte besimin katolik dhe ortodoks”. (HS, f 418)

Ferdinandi i Napolit, edhe me njëfarë ironie brenda ishte shprehur: “Ti e krahason zakonisht morinë e komanduesve dhe hegjemoninënë e një të vetmi me dy shtazë, nga të cilat njera kish shumë kokë, kurse tjetra vetëm një. Këto shtazë, duke iu shmangur shigjetave të gjuetarëve, u futën në trungun e një druri zgërbonjë… Shtaza që kishte një kokë, për shkak se u mundua mennjëherë e shpejt, mori arratinë dhe u tërhoq në një vend të sigurt. Përkundrazi, ajo që kishte shumë kokë, duke u menduar për një kohë të gjatë se me ç’mënyrë të shpëtonte, i lau llogaritë menjëherë e rrëmbyer nga zjarri. E njejta gjë, thua ti ngjet edhe me Republikën apo Demokracinë, të cilat shemben e perëndojnë duke u rrënuar nga zgjatia e pafund e mendimeve dhe këshillave. Prandaj për ty është gjithmonë shumë mirë, po të jetë se i gjith drejtimi bëhet nga një krye i vetëm shumë i ditur… Me këto ti i vetmi në shekullin tonë, mund të matesh padyshim me tërë lashtësinë…” (H.S., f 418-419)

Historiografisë së re i bie detyra, ta analizojë dhe diskutojë da capo me përkthime e analiza korrekte, me kërkime të reja arkivore etj dhe pastaj të nxjerrë konkluzione sa më korrekte.

Në fund të këtyre tre dekadave, pas gati 30 vjet demokraci anarkiste, Republikës së Shqipëris/Albanisë i propozohet një shans: antarësimi e integrimi në Komunitetitn Evropian, bashkë me të gjithë të konfederuarit e tjerë të nacioneve të gadishullit. Çdo të bëjë kasta e lartë, do vazhdojë si deri më sot të grindet, të llapazanojë, të bëjë perversitet e destruktivitet, të manifestojë pishmanllëk e shadetllëk, firmosje e ç’firmosje, duke ruajtur Integrimin e antarësimin në Konferencën e Vendeve Islamike dhe ish Traktatin e Besëlidhjes me Turqinë të vitit 1923-1925, apo do kalojë përfundimisht me Komuntetin Evropian…?! Kjo është dilema finale…Kështu vazhdon ende të spekullojë historiografia e shqipetarologjisë.

SHKARKO APP