Alfred Peza: Energji të çuara krejt dëm nga opozita

Nga Alfred Peza -Nëse ju duhet ndonjëherë një model ideal, sesi një grupim arrin që ta dështojë me sukses të plotë, një aksion politik që e organizon vetë, atë mund ta gjeni nga “A”-ja tek “Zh”-ja, tek protesta e sotme e opozitës sonë. Për ta shpjeguar sa më thjeshtë këtë, po mundohem që të rendis disa prej shkaqeve që çuan tek ky dështim.

E para, opozita më shumë sesa të zhvillonte protestën e radhës, si një ushtrim demokracie pas 10 muajsh ndërprerje prej saj të këtij “sporti”, u duk sikur hyri në garë me studentët e dhjetorit për ti treguar vetes dhe shqiptarëve, se kush mund të nxirrte më shumë njerëz në shesh.

E dyta, nga frika se një forcë tjetër po ia merte institucionin më të rëndësishëm të një opozite në demokraci, që është sheshi i protestës,- menjëherë sapo dështuan në përpjekjet titanike për tia grabitur kauzën,- nxituan që të dilnin sa më parë vetë aty.

E treta, nga ky nxitim për të demonstruar superioritetin numerik, opozita e humbi garën me mundësinë për tiu imponuar qeverisë, sepse e bazoi atë tek dhuna. Ndërsa studentët e vërtetëm e bazuan atë tek forca e së drejtës së tyre, të cilën ia imponuan qeverisë me paqe.

E katërta, pasi e organizoi, opozita nuk i doli për zot aksionit të saj. Pasi u mblodh disa herë në takimet e liderëve të partive aleate dhe në forumet drejtuese të PD e LSI ku caktuan edhe ditën edhe orën e protestës, ajo më pas e mohoi atë.

E pesta, nga frika e dështimit, duke dashur që tia linin në derë popullit dështimin, ishte populli ai që ia la “dopio gjashtën” në dorë opozitës.

E gjashta, duke dashur që të fshiheshin pas popullit, liderët e opozitës bënë gabimin foshnjarak, duke u munduar që ta shisnin një protestë të zakonshme të radhës, për “revolucion”. Duke harruar se nëse vërtetë do të ndodhë ndonjëherë ky revolucioni i vërtetë, gjëja e parë që ai do të bënte, ishte që të fshinte kastën e vjetër politike, që do të thotë në radhë të parë, edhe vetë lidershipin e opozitës sonë.

E shtata, opozita vuri publikisht një bast të pasinqertë, të cilin as ajo vetë nuk e besonte. Monika Kryemadhi deklaroi disa herë nëpër studiot televiziove se nëse Edi Rama nuk ikën në datën 16, ajo dhe Lulzim Basha do të jepnin dorëheqjen, më 17 shkurt. Një opozitë që nuk është gati të lëshojë mandatat e deputetëve, sigurisht që as nuk ka, e as nuk mund të ketë kurrë liderë, që të kenë guximin që të lëshojnë kolltukët e kryetarit.

E teta, shqiptarët i kanë shkuar nga pas shumë udhëheqësve nëpër histori, por kurrë për një kohë të gjatë atyre që tjetër thonë, tjetër bëjnë dhe tjetër mendojnë. Sepse liderët e opozitës sonë thanë se do ta mbanin të rrethuar kryeministrinë, derisa ta detyronin Edi Ramën që të largohej dhe do ti bindeshin për këtë, vetëm vullnetit të qytetarëve. Por çuditërisht vetëm pas 5 orësh, ishte vetë kryetari i opozitës ai që u tha protestuesve të shpërndaheshin, a thua se po i njoftonte për fundin e një pikniku.

E nënta, opozita jonë duke mos patur një kuazë, një projekt, një program, një strategji, një qëllim, një objektiv real e të arritshëm potik dhe një datelines për protestën, doli prej saj shumë më e dobët, më pak serioze dhe më e paqartë sesa kur hyri. Kjo e bën Edi Ramën shumë më të fortë në sytë e opozitarëve dhe liderët që ata ndoqën më 16 shkurt në bulevard, shumë më të dobët dhe më të pabesueshëm se më parë.

E dhjeta, opozita gaboi që nuk dëgjoi aleatët tanë SHBA e BE por as OSBE, Gjermaninë e Britaninë e Madhe, etj për tu distancuar nga dhuna mbi institucionet. Ajo hodhi gurin dhe besoi se e fshehu dorën, edhe kur thirrja e tyre u përsërit, në mënyrë që PD dhe LSI të deklaroheshin qartë dhe prerë kundër dhunës. Ndaj, opozita sot është më e pabesueshme, jo vetë përpara shqiptarëve, por edhe përballë ndërkombëtarëve.

Pas kësaj, opozita ka kohë dhe mundësi që të reflektojë, për të kuptuar se çfarëdo që ajo bëri më 16 shkurt, ishte nga pikëpamja e përfitimit politik, si të shkonte për të gjuajtur peshk me një aeroplanmbajtëse. Ishin energji të çuara krejt dëm. Nië dështim i panevojshëm, por i pritshëm nga ana e një opozite e cila ka lindur 30 vjet më parë nga një protestë, por që sot ajo e shpërdoroi atë si një institucion të shenjtë të qytetarëve në demokraci.

AlepNews

SHKARKO APP