Alfred Peza: Kur opozita e humb rrugën në oborrin e vet!

Nga Alfred Peza –

Ajo që i ka ndodhur opozitës sonë pas hedhjes së hapit “in extremis” për dorëzimin e mandateve të deputetëve të saj, duket si fabula e njohur e dikujt që ka menduar lëvizjen e fundit e cila ishte dalja nga sistemi parlamentar, pa menduar se çfarë e prêt pas asaj porte që po u mbyll e nuk dihet nëse mund ta gjeë dot më kodin, për tu rifutur sërisht.

Ditën e parë kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se duhet të organizoheshin për ti shpjeguar qytetarëve programin e PD, sepse pas dere mund të ishin zgjedhjet. Ndërsa ditën e dytë, mblodhi kryetarët e degëve të partisë së tij dhe deklaroi se strategjia ishte që të bënin protesta përpara godinës së Parlamentit çdo të enjte dhe se pas protestës së 16 shkurtit,- në 1 mujorin e saj,- të bënin edhe një tjetër në Tiranë, më 16 mars.

Udhëzimi i ditës së parë për të shpërndarë drejtuesit e PD dhe ish deputetët tashmë në bazë, për ti shpjeguar qytetarëve programin dhe alternativën e PD, është tipike një qasje elektorale e një strukture të organizuar politike. Por, PD dhe aleatët e saj kanë thënë se me këtë Kryeministër nuk do të hyjnë në zgjedhjet e përgjithshme lokale të 30 qershorit. Ndaj ky hap, më shumë sesa do ti motivojë, duket si një rrugë e sigurtë për ti demotivuar edhe më shumë opozitarët e vërtetë. Ata deri të enjten i kishin besuar liderëve të tyre kur u kanë thënë se me të dorëzuar mandatet, do rrëzohet jo vetëm Edi Rama, por edhe qeveria dhe mazhoranca e tij.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këto ditë, se është gjithmonë i hapur për dialog me opozitën. Por ai është shprehur kategorikisht kundër pranimit të kërkesës së saj për një qeveri tranzitore që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohëshme. Në takimin e ditës së dytë pas dorëzimit të mandateve të deputetëve, Lulzim Basha e përkufizoi kështu strategjinë e tij të re:

“Në javën e ardhshme, me 28 shkurt dhe 7 mars organizohet protesta kombëtare para Asamblesë kriminale që ka ozurpuar Kuvendin e Shqipërisë. Në datën 16 mars do zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombëtare me qëllim rrëzimin e ozurpuesit të qeverisjes së Shqipërisë Edi Ramës. Këto protesta kanë për qëllim maksimalizimin e pjesëmarrjes qytetare, bashkimit qytetar dhe zemërimit qytetar për reagimin e papërgjegjshëm të klikës kriminale që është kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve. Një gjë është e sigurt, hapi që kemi hedhur të enjten e kaluar nuk është pa kthim vetëm për opozitën, por është pa kthim dhe për Edi Ramën”.

Kur e dëgjon këtë deklaratë mëse të zakonshme, që i ofrohet shqiptarëve si një strategji e madhe opozitare për ta nxjerrë vendin nga ajo që ata e cilësojnë si situatë të jashtëzakonshme, atëherë vetëvetiu të vijnë ndërmend pyetjet:

Nëse opozitës sonë, e vetmja rrugë pas dorëzimit të mandateve, i paska mbetur ajo e organizimit të protestave një herë në javë përpara godinës së Parlamentit, atëherë përse duhej të dilte nga ajo sallë? Përse të mos alternohej edhe veprimtaria e fortë parlamentare e deputetëve të saj brenda Kuvendit, me atë të përkrahësve dhe mbështetësve të tyre jashtë?

Përse të mos vijohej nga brenda sallës së seancave plenare dhe nëpër komisionet parlamentare, qoftë debati politik, ndërmarrja e nismave dhe iniciativa ligjore që do të nxirrnin zbuluar me prova dhe faktet e pretenduara, të gjitha ato për të cilat opozita e akuzon qeverinë? Kush është ndryshimi mes një proteste të një opozite në rrugë dhe atë të një opozite që e ndërthur lëvizjen e saj me aksionin brenda sistemit, brenda Parlamentit dhe brenda të gjitha institucioneve legjitime të këtij vendi?

Këto dhe shumë pyetje të tjera të vijnë ndërmend kur pasi dëgjon kryetarin e PD dhe kupton se opozita jonë jo vetëm që nuk paska strategji pas dorëzimit të mandateve, por tani nuk paska më as rrugë për të përshkruar deri në premtimin e saj për fitoren finale. Sepse, ajo e ka humbur rrugën që tani brenda oborrit të SHQUP.

E vetmja rrugë që Lulzim Basha e ofroi si strategji, qenka ajo e vijimit të protestës së deputetëve si ish deputetë, nga brenda godinës, tashmë jashtë as në oborr, por fare përtej gardhit të saj. Gjynah. Sepse edhe në përallë, ujku tenton të gënjejë kecat duke futur këmbën e bardhë poshtë derës. E kur ajo nuk u hap, e provoi që të futej brenda, nga oxhaku. Ndërsa opozita jonë në realitet doli nga oxhaku, për të na e treguar këmbën e saj të bardhë, nga jashtë! Alpenews.al

SHKARKO APP