Alfred Peza: Lufta që kërkon vetëm një sakrificë: Rri në shtëpi!
Nga Alfred Peza –
Të gjitha studimet e derisotme duke nisur nga ato të epidemiologëve e virologëve dhe deri tek kalkulimet kompjuterike e matematikore, përputhen në të vetmen pikë gjatë kryedebatit të ditës, rreth pandemisë globale të koronavirusit: Mënyra e vetme për ta përballuar Covid-19, në kushtet e mungesës së vaksinës kundër saj, është qëndrimi mbyllur në shtëpi i qytetarëve dhe distancimi maksimal nga jeta sociale.
Përvoja fillestare e Kinës, por sidomos orët më tragjike të historisë së vet të lashtë, që po kalon ditët e fundit fiqnji ynë më i afërt perendimor Italia, janë pasqyra më e qartë për të parë se çfarë mund të ndodhë, nëse nuk mësojmë nga gabimet e të tjerëve. Por, mbi të gjitha nëse ne vetë, nuk i bindemi të vetmit angazhim që na kërkohet në këtë situatë lufte ku ndodhemi: Të qëndrojmë të mbyllur në shtëpi!
Kjo luftë megjithëse e ndryshme nga Lufta e II Botërore së cilës iu referua Kancelarja Merkel në fjalimin e saj përpara kombit, ka në thelb të njëjtën sakrificë. Dikur në sheshbetejë përpara makinës më të madhe ushtarake të historisë së njerëzimit të asaj kohe, ndërsa sot, përpara një armiku të padukshëm, që i është avitur gjithë shoqërisë njerëzore pa as më të voglën zhurmë, por me të njëjtën bilanc të zi jetësh njerëzore.
Kryeministri britanik Winston Churchill, në fjalimin e tij historik përpara Dhomës së Komuneve i tha popullit të vet në maj të vitit 1940 se nuk kishte “asgjë tjetër t’ju ofroj përveç gjakut, mundit, lotëve dhe djersës. Kemi përpara nesh një përvojë të hidhur. Kemi përpara muaj të tërë vuajtje dhe lufte. Do pyesni ju: cili është qëllimi ynë? Kam vetëm një përgjigje: Fitore me çdo kusht, pavarësisht se sa e gjatë apo e vështirë është rruga jonë. Pa fitore, nuk ka mbijetesë”.
Pas 80 vjetësh, jemi sërisht në luftë. Eshtë një luftë e re, në një kohë tjetër e me armë të tjera, por me pasoja të njëjta për jetët tona. Çdo lider politik sot kudo në botë, ka të njëjtin qëllim që kanë patur të gjithë udhëheqësit e vendeve të sulmuara nga armiku i përbashkët nazi-fashist, gjatë Luftës II Botërore: Fitoren me çdo kusht, pavarësisht se sa e gjatë apo e vështirë do të jetë rruga jonë. Sepse “pa fitore, nuk ka mbijetesë!”
Sot është në lojë mbijetesa e njerëzimit dhe bashkë me të, edhe mbijetesa e kombit shqiptar. E për ta fituar këtë luftë, për të dalë më të fortë prej saj, e për të vijuar mbijetesën tonë historike ka vetëm një rrugë: Të qëndrojmë në shtëpi. Të kujdesemi për veten. Për familjet tona. Për të afërmit, miqtë dhe dashamirësit tanë, duke qëndruar sot larg tyre, për të vijuar nesër të gjithë sëbashku, përpara drejt së ardhmes.
Megjithë sportivitetin “alla shqiptar” që u demonstrua fillimisht kur pandemia trokiti në Europë, e vërteta është se në ditët e para të shpalljes së kësaj lufte nga Kryeministri Edi Rama edhe në Shqipëri, pati një reagim të menjëhershëm e të admirueshëm kolektiv nga ana e qytetarëve. Por, me kalimin e kohës, filluan që të jepen shenjat e para të lodhjes, të mungesës së durimit, e të mosbindjes ndaj rregullave të vendosura. E për rrjedhojë mediat kanë raportuar ditët e sidomos orët e fundit, situata dhe pamje që dëshmojnë për mungesë të vetpërmbajtjes kolektive dhe shkelje të protokolleve strikte, për një situatë unikale si kjo.
Në debatet për dallimet mes shteteve që janë goditur më shumë dhe atyre më pak nga pandemia, ka dominuar teza e shpjegimit të humbjeve më të mëdha njerëzore, në vendet ku demokracia liberale kuptohet nga qytetarët si ikje nga rregullat e autoritetit shtetëror dhe mungesa e disiplinës kolektive, si pjesë e kulturës së tyre historike. Italia është përcaktuar një model i tillë. Kemi ëndërruar historikisht që ti ngjajmë fqinjëve tanë përtej detit në shumëçka, por është hera e parë që nuk duhet ti imitojmë asesi, shkaqet që sollën këtë pasojë të tmerrshme që po shohim çdo ditë atje.
Për ta thjeshtëzuar sadopak e për ta bërë më të rrokshme nga të gjithë rëndësinë e asaj që kërkohet sot si maksimumi i sakrificës sublime nga të gjithë ne, mjafton të themi se disa javë, apo disa nga muajt në vijim, nuk janë asgjë në jetën e një njeriu. Por, ato mund të gjithnë gjithçka për të ardhmen e secilit prej nesh, të shoqërisë sonë dhe të mbarë njerëzimit. Sakrifica jonë e vetme, është të qëndruarit mbyllur, brenda në shtëpi? Kjo është lufta jonë. Kjo është; ose humbja, ose fitorja jonë. A e bën dot?!