Alfred Peza: Një alibi dhune nga frika për humbjen në zgjedhje!

Nga Alfred Peza –
Opozita shqiptare ngado që ta rrotullosh dhe çfarëdo që të pretendojë, ka vetëm një problem fondamental, të cilin nuk e zgjidh dot: Nuk e mundin dot Partinë Socialiste me votë! Nuk e kanë mundur asnjëherë pas zgjedhjeve të 1992, që u shndërrua në një “refendum popullor” për ndryshimin e sistemit. Edhe atëherë kur PS ka dalë në opozitë, nuk e ka mundur e djathta, thjeshtë e majta ka mundur vetveten!

Lulzim Basha e di shumë mirë këtë. Kjo që po bën sot, nuk është diçka e re. Partia Demokratike e drejtuar prej tij, nuk e ka për herë të parë që nuk do që të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 me Edi Ramën, Kryeministër.

Lulzim Basha nuk donte të hynte në zgjedhjet lokale të 2015 dhe besoj se shumëkujt i kujtohet se si “sebep” për këtë nxorri faktin se nuk hyhej në zgjedhje me hartën e ndarjes së re administrativo- territoriale të vendit. Tani vonë, kanë deklaruar se bojkotimi nga ana e PD i kësaj reforme, ishte një gabim i madh që nuk duhej bërë.

Lulzim Basha nuk donte që të hynte as në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017. Besoj se gjithkush e ka ende të freskët në kujtesë çadrën e tij të famshme në bulevardin e Tiranës, Republikën e Re dhe shumë përbetime të tjera. Për të ishte e pranueshme, vetëm ikja e Edi Ramës si kryeministër dhe krijimi i një qeverie teknike. Edhe pasi mori më shumë se gjysmën e ministrave dhe agjensive më të rëndësishme kombëtare, përsëri humbi duke marë plot 240 mijë vota më pak se PD-ja e Sali Berishës më 2013.

Lulzim Basha deklaron se nuk do që të hyjë në zgjedhje as tani më 2019. Ndryshe nga 2015 që nuk i pëlqente harta territorial dhe ndryshe nga 2017 kur donte qeveri teknike, tani kërkon as më pak e as më shumë, për “qeveri tranzitore”. Përsëri halli është i njëjtë: “Kuçedra” Edi Rama ka nisur e u del tashmë edhe në ëndërr, sepse u ka zënë burimin e pushtetit, aq shumë të ëndërruar.

Të gjitha llogaritë politike, elektorale, organizative, sondazhet, pritshmëritë dhe çdo gjë tjetër duket se nuk e çojnë dot opozitën tonë, drejt pushtetit me votë si në çdo demokraci tjetër normale. Ndaj as nuk e marin mundimin që të kenë një projekt politik, një plaftormë, një program, një strategji elektorale, një plan për ekonominë, një plan për drejtësinë, të kenë ide apo projekte për reforma. Nuk kanë e duket se as që do ulen ndonjëherë që ti hartojnë.

Pasi dështuan me çadrën para zgjedhjeve të 2017, me bojkotin e Parlamentit pas humbjes në zgjedhje, me pengmarrjen e protestave qytetare, me grabitjen e protestës studentore në dhjetor 2018, me instrumentalizimin e protestës së pedagogëve në javët e para të këtij viti, u ka mbetur vetëm një rrugë: Dhuna.

Pak rëndësi ka tashmë për opozitën tonë nëse gjuan me bojë, çizme, televizora, topa letre apo vezë në sallën e Parlamentit. Duke mos e mundur dot me votë, e rëndësishme është që ajo ta detyrojë mazhorancën me çdo çmim e mjet, që ti japi pushtetin në tavolinë. Ka kohë që as PD, as LSI dhe as aleatët e tjerë të saj, nuk dëgjojnë më as aleatët tanë strategjikë SHBA e BE, as OSBE, Gjermaninë dhe Britaninë, që kanë bërë e po bëjnë thirrje të pandërprerë kundër dhunës.

Opozita jonë e di shumë mirë se dhuna nuk ka sjellë dot në pushtet asnjë forcë politike në Shqipëri pas 1990. Megjithatë, ata duket se janë të vendosur që edhe më 16 shkurt, të shtunën në orën 11.00, të shkojnë sërisht drejt një proteste të dhunshme. Sepse Lulzim Basha këtë radhë nuk po i fton më qytetarët si çdo herë tjetër, që të shkojnë në protestë me familjet e bashkë me fëmijët e tyre, si edhe ai vetë. Asnjë politikan opozitar nuk po distancohet nga dhuna dhe askush nuk po bën thirrje për protestë paqësore.

E gjitha çfarë pritet të ndodhë, nuk është asgjë tjetër, veçse protesta e radhës e opozitës, në kërkim të alibisë së radhës, për humbjen në zgjedhjet e radhës. Zoti i ndihmoftë!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest

SHKARKO APP