Alfred Peza: Opozita, drejt shkrirjes apo drejt likuidimit!

Nga Alfred Peza –
Brenda të njëjtës ditë, pavarësisht se në distanca gjeografike të ndryshme, lideri i mazhorancës dhe i opozitës shqiptare kanë trajtuar në komunikimet e tyre publike, të njëjtën tezë politike. Pak rëndësi ka në këtë rast, nëse kemi të bëjmë me një “ping-pong” verbal të luajtur në distancë, një takim me “biorryma” mes tyre, apo një komunikim harmonioz politikanësh që e dinë mirë tashmë se kush është “dhëmbi” që dhemb, e ka nevojë për prekjen e gjuhës së tyre.

Edi Rama nga Librazhdi dhe Lulzim Basha nga Shkodra, janë munduar që ti bëjnë prognozën opozitës shqiptare, pas daljes nga sistemi me djegien e mandateve të deputetëve dhe prespektivëm e saj në raport me qëndrimin ndaj zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Debati në distancë është bërë mbi të njëjtin sistem referimi dhe për të njëjtën çështje: Çfarë do të ndodhë me opozitën shqiptare, nëse nuk futet në zgjedhjet lokale! Nisur nga kjo, është shumë e rëndësishme që të bëhet edhe ballafaqimi i qëndrimit të dy liderëve kryesorë politikë të vendit.

Mediat raportuan se Edi Rama është i bindur se dy partitë e opozitës që dogjën mandatet do të shkojnë drejt shkrirjes, pasi sipas tij ato kërkojnë të marrin pushtet në tavolinë dhe këtë socialistët, ai thotë se s’do ua japin. Në takimin “Bashkia që duam” në Librazhd Kryeministri ironizoi protestat e opozitës dhe kryetarët e dy partive të saj.

Ndërsa në raportimin për Lulzim Bashën u tha se paralajmërimin që nuk do të ndalet nga beteja e nisur me qytetarët për votën e lirë, e dha edhe gjatë ceremonisë përkujtimore të 2 Prillit në Shkodër. Futja në zgjedhje pa opozitën sipas tij, është një përpjekje e Ramës për ta likujduar atë.

Në këto qëndrime, Kryeministri parasheh shkrirjen e dy partive të opozitës shqiptare në të ardhmen, nëse ato pas djegies së mandateve, do të vazhdojnë me rrugën e tyre të qëndrimit jashtë sistemit politik të vendit. Ndërsa Kryetari i PD, me futjen e PS në zgjedhje pavarësisht futjes ose jo të tyre, i frikësohet asaj që ai e cilëson si “likuidimin e opozitës” shqiptare.

Megjithëse në pamje të parë si “shkrirja” ashtu edhe “likuidimi” i opozitës duken e njëjta gjë, në thelb kemi të bëjmë me dy gjëra krejt të ndryshme. Pavarësisht se të dyja të çojnë në të njëjtin fund politik, rrugët e përshkruara deri atje janë krejt të kundërta.

Nëse ndodh “shkrirja e opozitës”, në këtë rast kemi të bëjmë me një proces politik që ecën përmes një rruge të pashmangshme, por të zgjedhur në mënyrë koshiente nga vetë lidershipi i forcave politike, që e bëjnë atë. Kjo do të thotë se ky proces “kimik”, është i shmangshëm nëse në vend të rrugës së paprecedentë të zgjedhur për të dalë jashtë sistemit, kërkohen standardet dhe garancitë e duhura për tu rikthyer në lojë, duke shmangur në këtë mënyrë vetasgjesimin e pashmangshëm politik.

Ajo që po ndodh sot realisht në skenën politike shqiptare, është pikërisht procesi i vetshkrirjes së partive opozitare, nga përpjekja e dëshpëruar për tiu imponuar kodit të rregullave të lojës në demokraci, nëpërmjet prishjes së tyre atëherë kur e kuptuan se nuk mund ta fitonin dot atë në mënyrë tradicionale.

Kur Lulzim Basha flet për likuidimin e opozitës, atëherë dikush duhet ti kërkojë të na tregojë;

Se dorëzimi i mandateve të deputetëve të PD, LSI dhe aleatëve të tyre nuk është bërë me vullnetin e tyre të lirë.- siç edhe na kanë thënë deri më sot.

Se dalja nga sistemi, nuk është bërë me gëzimin e pamatë të zbatimit të urdhërit dhe të vendimit të marë për ta nga sovrani,- siç edhe kanë deklaruar!

Se vendimi për të mos u futur në zgjedhjet e 30 qershorit, nuk është marë nga forumet e tyre drejtuese, pasi e bojkotuan vetë komisionin e reformës zgjedhore edhe kur iu ofrua fleta e bardhë për të shënuar çdo gjë që kërkonin si garanci.

Ndaj, në këto kushte, është shumë e qartë për gjithkënd, se askush jo vetëm që nuk ka tentuar, por as që i kishte shkuar ndonjëherë ndërmend, që ta likuidonin opozitën tonë. Për një arësye fare të thjeshtë: Kur dikush shkon me dëshirë drejt aktit të vetvrasjes, askush nuk ka kohë që të bëjë plane për ta vrarë atë. E shumta që mund të bëhet, është të kujdesemi që të mos e përmendim kaq shpesh “litarin”, në shtëpinë e opozitës!

Facebook Twitter Google+ 

SHKARKO APP