Alfred Peza: Ra ky koronavirus dhe Bashkimi Europian më në fund na pa!

Nga Alfred Peza –
Ndoshta është e shkruar për popujt e vegjël të rajonit historikisht të trazuar të Ballkanit, që fati të mos u buzëqeshë dot kurrë atëherë kur do të kishin dashur, në mënyrë që ti jepej dora për të kaluar në anën tjetër të historisë, duke e lënë pas njëherë e përgjithmonë të shkuarën e trazuar. Fakti që BE po kujtohet pikërisht tani, në këto ditë të pandemisë globale ndaj Covid-19, për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e tregon këtë.

Pas Luftës II Botërore, nisi Lufta e Ftohtë mes lindjes komuniste dhe perëndimit kapitalist, derisa ra Muri i Berlinit. Kanë kaluar plot 30 vjet nga ky moment dhe megjithë ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në rajonin tonë, shtetet e Ballkanit Perendimor janë zhgënjyer jo pak herë nga filozofia e ndjekur nga Brukseli zyrtar, ndaj projektit të zgjerimit. U desh që të vinte kjo lufta e re me koronavirusin, që Këshilli Europian të mund të thotë “Po”-në e shumëpritur, ndoshta gjatë kësaj jave.

Ky vendim shihet si përcaktues për vijimin e qëndrimeve pro europiane të popujve të rajonit por edhe si një garante e stabilitetit të tij në të ardhmen. Në një letër dërguar Këshillit Europian, 73 eurodeputetë shkruajnë se “po kërkojmë të vendosim një datë specifike për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe t’u japim mundësinë këtyre vendeve për të filluar negociatat pasi i kemi mbajtur ata në pasiguri për vite. Është me shumë rëndësi, pasi në këtë mënyrë do të japë energji të re për reformat dhe përparimin në rajon, ndërsa BE rifiton besueshmërinë në rajon.”

Sipas Progres Raporteve të Komisionit Europian, për të tretin vit radhazi, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha standardet e kërkuara për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE. Por pavarësisht kësaj, humoret e liderëve të tyre, nevojat e ditës dhe axhenda e brendshme politike e shteteve anëtare, ka prevaluar mbi parimet themelore të vendosura në themelet e Bashkimit Europian, nga etërit e saj themelues. Bllokimi i vendimit në tetorin e 2019, për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninën e Veriut, u cilësua gjerësisht si një gabim i madh historik.

Ndërsa tani që të gjitha shtetet anëtare të BE janë në luftë për të përballuar veç e veç, armikun e përbashkët që i kanoset mbijetesës së njerëzimit me emrin Covid-19, duket se vëmendja është rikthyer dhe shanset janë më të mëdha se kurrë, që “tymi i bardhë” të dali nga oxhaku i çatisë së Këshillit Europian. Më shumë se ironike, e gjithë kjo situatë tingëllon shumë cinike në fakt për ne popujt e vegjël, por që sigurisht nuk është se do na bëjë që ti gëzohemi këtij vendimi, më pak sesa ai të kishte ardhur shumë më natyrshëm dhe në rrethana shumë më normale për jetët tona dhe të BE.

Këtë radhë më shumë sesa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duket sikur 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, janë më të interesuara ato vetë për tia hapur më në fund rrugën, procesit të zgjerimit. E kjo për shumë arësye. Goditjet e pamëshirshme që koronavirusi po i jep sistemit të globalizimit, tregon sesa të pafuqishëm përballë sfidave të së sotmes e të së ardhmes, janë të gjitha shtetet kur sulmohen njëkohësisht veç e veç. Kjo luftë ka vënë në pikëpytje, çdo arritje të njerëzimit që deri më sot, e cila deri dje konsiderohej e pathyeshme dhe e patjetërsueshme.

Në këto kushte, pyetja e shtruar më së shumti për zgjidhje, është ajo që lidhet me dilemën, sesi do të jetë bota pas koronavirusit. Askush nuk është në gjendje që të kthejë një përgjigje shteruese sot. Por, ajo për të cilën bien dakord të gjithë, është se bota pas kësaj, nuk do të jetë kurrë si më parë. E për rrjedhojë, as Europa. As Bashkimi Europian. As Ballkani. E as Shqipëria!

Si do të jenë ato? Kjo mbetet për tu parë. Përsa i përket Shqipërisë, e vetmja gjë që nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, është orientimi ynë euro-atlantik. Ndaj, ne nuk kemi luksin që të bëjmë sot, sikur nuk na pëlqen që Bashkimi Europian, mund të na ftojë pas pak orësh edhe zyrtarisht, për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Përsa i përket vetë Brukselit zyrtar, askush nuk vë dot bast, se BE do jetë dhe pas luftës së koronavirusit, një projekt po aq optimist sa çishte në dekadat kur u themelua dhe u formësua. Ajo që kuptohet deri tani, është fakti se u desh që të binte ky koronavirus që BE të shohi me sy tjetër bashkë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, edhe Ballkanin Perendimor. A është vonë për këtë? Një shprehje e urtë popullore na mëson se “asnjëherë nuk është vonë, për të bërë gjëra të mira”!

SHKARKO APP