Alfred Peza: “Revolucioni” i Qershorit 2019, një ditë më pas!

Nga Alfred Peza –
Shqipëria ka të paktën katër sfida madhore për të përmbushur gjatë këtij viti kalendarik:

Së pari, marrjen e datës për hapjen e negociatave të anëtarsimit me Bashkimin Europian;

Së dyti, zgjedhjet e përgjithshme lokale në 61 bashkitë e vendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Së treti, zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Republikës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Së katërti, ngitjen dhe fillimin e funksionimit të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK), një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri.

E përbashkëta e të gjitha këtyre sfidave është se do të realizohen as më pak e as më shumë, por në të njëjtën periudhë. Në muajin qershor. Pra, pikërisht në mesin e artë të këtij viti. Atëherë kur do të kemi mbërritur jo vetëm në gjysmën e 2019, por edhe në mesin e mandatit të dytë 4-vjeçar të mazhorancës qeverisëse socialiste.

Skenari ideal do të ishte që Shqipëria në qershor, të merte sëbashku me Maqedoninë e Veriut, siç edhe pritet, datën e hapjes së negociatave për të nisur menjëherë, përmbushjen e detyrimeve derisa në 2025 ndoshta, të mund të kishim një shans real për tu bërë vend anëtar i BE; Të realizonte zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standardet më të larta; Të kishim Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe nisjen e funksionimit të SPAK.

Nëse për zgjedhjet dhe për integrimin detajet që na çojnë deri në qershor, janë të njohura për publikun, të panjohura mbeten dy hapat e rinj që lidhen me reformën në drejtësi. Sipas Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, “gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet më 19 mars. Ligji na jep 3 muaj kohë për të përgatitur rregulloren dhe metodën e vlerësimit të kandidatëve.” Në qershor, Parlamenti pritet të votojë Nr. 1 të organit të ri të akuzës.

Në datën 7 shkurt skadon afati që Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka përcaktuar për paraqitjen e kandidaturave për SPAK. Nga 15 vende vakante, janë paraqitur deri tani, 8 kandidatë. Ka edhe 7 ditë të tjera kohë për plotësimin e 7 kandidaturave të tjera. Nisur nga kultura jonë e “minutës së fundit” me siguri që në 2-3 ditët e fundit të afatit ligjor, numri i kandidaturave që do të vrapojnë për të zënë radhën, me siguri do të jetë edhe më i madh sesa ai minimal i domosdoshëm.

Kjo është arësyeja se përse të dyja palët kryesore politike në Shqipëri, si mazhoranca ashtu edhe opozita, janë aq shumë të fokusuara e të fiksuara me qershorin. Sigurisht ka pika që edhe mund të takohen, por më së shumti, në mesin e këtij viti pritshmëritë e të dyja palëve janë në kahje të kundërta nga njëra tjetra.

Mazhoranca është e fokusuar tek suksesi i integrimit europian të vendit dhe tek ngritja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Nëse të dyja këto pritshmëri realizohen me sukses, atëherë edhe rezultati i zgjedhjeve do të jetë më i garantuar për PS dhe mazhorancën e saj.

Ndërsa opozita, më së shumti duket të paktën deri tani, e fokusuar tek strategjia e zgjedhjeve, pasi suksesi dhe dështimi i saj më 30 qershor, më shumë sesa me numrin e bashkive që do të fitojë apo humbi, lidhet me atë që pritet të ndodhë më pas. Duke përcaktuar më së shumti, shanset e rikthimit ose jo të saj në pushtet, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.

Rëndësia e “revolucionit” të qershorit, për qytetarët është edhe më e madhe sesa pritshmëritë e të dyja kahjeve politike në Shqipëri. Sepse një “ditë më pas”, nga korriku e tutje nëse Shqipëria ia ka dalë që të hyjë përfundimisht e pa kthim në rrugën e saj europiane, qytetari ynë do të jetë gjithmonë e më i fortë, ndërsa klasa politike pandalshmërisht më e dobët. Sepse drejtësia e re e Shqipërisë europiane, do të ketë në qendër të projektit të saj qytetarin dhe shtetin. Ndërsa SPAK dhe BKH, do të ketë në fokus, mekatarin dhe antishtetin.

AlpeNews.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?