Amplituda e ndershmërisë

Nga Xhevair Lleshi

Në një nga ligjëratat e zakonshme për ndershmërinë, psikologu japonez Shinobu Katajama (2006), i Universitetit të Tokios, përcaktoi dukurinë e famshme të “amplitudës së ndershmërisë”, e cila gati-gati përputhet me amplitudën e temperaturave dhe matet me shkallë. Niveli i sjelljes, testimet e saj, matjet e herëpashershme në klasa, auditore, grupe të ndryshme sociale etj., krijojnë mundësinë e njohjes së kësaj dukurie. Sa më e ulët të jetë gjerësia midis dy niveleve, për shembull 20 shkallë me 25 shkallë, aq më i lartë është edhe niveli i shprehjes së ndershmërisë. E kundërta ndodh me gjerësinë e madhe të dy niveleve (për shembull 5 shkallë me 25 shkallë) do të thotë se shprehja e pandershmërisë është e një niveli të lartë. Po ç’janë shkallët, nivelet, dukuritë e ndershmërisë? “Ju, të paktën e dini se ç’është ndershmëria! – shkruan Katajama. – Më e keqja do të ishte të mos njihnit pikërisht këtë gjë, e cila është edhe dukuri, edhe shkallë, edhe e matshme pa ndonjë instrument, edhe e dukshme me sy të lirë. Mjafton ta shohësh sjelljen e një njeriu dhe kaq mjafton…”

Ç’do të thotë kjo? Fare e thjeshtë. Ti, i nderuar mik, mban një fjalim, të frymëzuar natyrisht, që mbart brenda një pasion të hatashëm, ku lëviz një mendim i thukët dhe interesant, ku gëlon ironia dhe humori, ku secila nga fjalët bën efekt dhe pret më në fund suksesin. Mirëpo nuk ka duartrokitje si gjithnjë, ka vetëm një pëshpërimë habie!Ose edhe fishkëllima! Pra, nuk të kanë miratuar, nuk të vlerësojnë pozitivisht. Ku vajti eleganca dhe fjalët e bukura? Çfarë kapën pjesëmarrësit në këtë fjalim? Përkrahësi yt, më tepër se kushdo, e nuhat fill pas fjalëve se ç’fshihet pas “gjethes së fikut” të mendimit tënd dhe reagon me shpërfillje. Kështu ndodh gjithandej. Efekti i mendimit nuk e shpërfill dot pandershmërinë. Ky efekt ndihet menjëherë. Për shembull të kapesh pas një gremçi dhe aty të mbahesh fort, madje ta kthesh atë në strumbullar idesh dhe pastaj ta kthesh në platformë të veprimtarisë sate! Kuku nanë, ç’ndodh! Kjo është pasthirrma e njohur për këtë situatë. Ky “gremç” i ngjan pikë për pikë gozhdës së Nastradinit, i cili atë deshi si pronë të pashitshme të shtëpisë së tij. Një gozhdë e ngulur në thellësi të sarajeve! Ec e duro Nastradin efendiun teksa kalon tri herë në ditë nëpër korridoret e sarajeve për të varur xhaketën e tij. Po kështu e var xhaketën e mendimit të saj edhe kërkesa absurde e një force politike, e një analisti të enjtur nga fiziografia e lartë e temperaturës së mendimit të tij të paepur!

Pra, pandershmëria, ose e kundërta ndershmëria, nuhaten menjëherë. Kushdo që bashkëbisedon me dikë e sheh qartë se deri ku arrin e vërteta. Pra, këtu janë shkallët e ndershmërisë, nivelet dhe vetëparaqitja si dukuri. Ti thua, deklaron, por nuk provon dot. Atëherë je i pandershëm. Ti gënjen dhe kuptohet je i pandershëm. Ti ditën shkon me një grua tjetër dhe në darkë i betohesh për ndershmëri gruas sate! Ti ditën përgjërohesh për fatin e njerëzve që vetë i ke ngujuar në situatë absurdi dhe natën shkon në tavernë, duke shijuar një argëtim vërtet bezdisës. Ty të thonë ja tek është rruga dhe ti tallesh, sepse e ke fiksim mendimin tënd, domethënë je kthyer në një hamshor për të ndërzyer mendjen e të tjerëve dhe të lozësh pastaj me topin e përgjegjësisë.

“Kur unë u shpjegova studentëve më të aftë, – shkruan përsëri Katajama (2006), – për idenë perëndimore të njeriut të ndershëm, ata shtangën. S’ka nevojë të thurësh lavde për ndershmërinë, po dolën fjalët nga zemra kuptohen menjëherë dhe asgjë nuk mund të ndërlikohet as me greva, demonstrata, mbledhje të dhunshme etj. Ideja perëndimore për ndershmërinë nuk ekziston siç e kuptojnë në Kinë dhe në vendet ish-komuniste. Është një gjë krejt tjetër, prandaj dhe lindorët futen në vetëdhunim…”

Njerëzit mbivlerësojnë ndikimin e mirëqenies në ndershmërinë klasike. Për të marrë pjesë në një tubim njerëzit kthehen në klakerë, domethënë si duartrokitësit e vjetër të teatrit që paguheshin për këtë “punë”… Edhe ngjarjet ekstreme si mosrealizimi i një synimi të madh, paralizimi nga një aksident etj., kanë ndikim për të të bërë klaker të politikës dhe një njeri që merr nëpër këmbë nderin tënd.

Sjellja e njeriut është e varur nga karakteri, nga personaliteti dhe temperamenti i akcilit, lider, artist, gazetar, punëtor, fermer etj. E njëjta sjellje ose ngjarje ka dy a më tepër pamje, ndryshe e vizaton një politikan e ndryshe një gazetar. Më pranë të vërtetës është gazetari, sepse ka më tepër kredite për të qenë i paanshëm. Nga ana tjetër po shtohen dita-ditës klakerët, të cilët e shtojnë riskun e ndershmërisë, e gjanojnë atë, i japin më tepër frymëmarrje amplitudës. Këta, “të ndershmit e mëdhenj” i gjen në manifestime të hedhura me mjaft bujë, i gjen edhe duke ndarë tortën e fitores, në festa e orgji, duke u ngjitur me mundim në malin e fitores e në mjaft forma të tjera.

*UEGEN & Instituti i Trashëgimisë dhe Edukimit

SHKARKO APP