Arsyeja e vërtetë e vizitës së Ramës në Berlin

Nga Redi Varaku –

Përpjekja e Ramës për të maskuar arsyen e vizitës së tij në Gjermani dhe për ta vendosur atë në kuadër të rindërtimit është thjesht e dobët dhe banale. Sepse, arsyen e vërtetë e zbuloi vetë Kancelarja Merkel gjatë konferencës për shtyp.

Sigurisht, tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit është një ngjarje tragjike që meriton të adresohet, por mbetet strikt një çështje e Shqipërisë.

Nëse vërtetë do të donte të ndihmonte shqiptarët duhet thjesht të bënte një bilanc të situatës që t’ia paraqiste donatorëve, por as këtë gjë, që e ka dhe detyrë, ky nuk e ka bërë .

Por, me ç’duket viktizimi edhe pse është një kartë e pamoralshme, është e vetmja që i ka mbetur, sepse është aq i diskretituar sa askush nuk e beson më.

Vetëm një hipokrit si Rama mund t’ia lejojë vetes të luajë me sensibilitete të tilla, siç janë fatkeqësitë natyrore, për të mbuluar arsyen e vërtetë të kësaj vizite.

Objektivi kryesor i Berlinit dhe qëllimi kryesor i asaj vizite, sipas vetë kancelares gjermane në konferencën për shtyp, ishte dhe mbetet avancimi i integrimit, pra çështja e hapjes së negociatave me BE.

Dihet që për negociatat me BE Bundestagu ka vendosur nëntë kushte. Pra, në kontekstin diplomatik kjo vizitë është thjesht një raportim për ecurinë e zbatimit të nëntë kushteve të Bundestagut, që do të thotë zgjidhje e krizës nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

Qesharake ishte përpjekja për ta shitur këtë mbështetje si arritje të qeverisë , kur dihet botërisht që Gjermania tetorin e shkuar ishte mbështetësja kryesore e hapjes së negociatave me Shqipërinë, por me nëntë kushte.

Një përpjekje tjetër për të fshehur arsyen e vërtetë të kësaj vizite është sulmi i pacipë dhe krejt i panevojshëm ndaj udhëheqësve të Kosovës.

Por, kjo mbetet një shashkë propagande, sepse projekti i Jugosllavisë pa Kosovën ka vdekur. Kjo sipas përfaqësuesit të Trump, Grennell, por edhe për faktin që kjo temë as që u përmend nga Merkel në konferencën për shtyp.

E gjitha kjo sparkatë propagande tenton të krijojë idenë e gabuar që tashmë Berlini e ka harruar krizën e rëndë shqiptare dhe nëntë kushtet e Bundestagut.

Gjithsesi, pas deklaratës së Merkel kanë rënë të gjitha alibitë. Nuk ka dyshim që arsyeja e vërtetë e vizitës së Ramës në Gjermani është vetëm avancimi i procesit të integrimit, për të cilin kësaj rradhe nuk është angazhuar seriozisht vetëm Berlini, por dhe vetë Washingtoni.

Angazhim serioz në gjuhën jodiplomatike do të thotë ‘avancim me dhunë’ të plotësimit të nëntë kushteve dhe ‘avancim me dhunë’ të axhendës europiane të Shqipërisë.

SHKARKO APP