Artist në epokën e gënjeshtërt të Instagramit (FOTO)

Çdo mëkatar e ka një të ardhme, por edhe çdo shenjtor e ka një të shkuar… Me këto fjalë do të shfajësohej njëzetvjeçari Edlir Reka, i cili vetëm pak ditë më parë u shndërrua në një sensacion mediatik, pasi arriti të shfaqej në dy programe televizive duke gënjyer se pikturat e tij ishin vlerësuar me çmime ndërkombëtare, ku më të fundit, pretendonte djaloshi nga Berati, e kishte marrë nga MMMA – Muzeu i Artit Modern në Moskë, të Rusisë. Historia e Rekës, i cili pranoi në emisionin e pasdites së Rudina Magjistarit, se piktura e shfaqur nuk ishte e tij – ishte në fakt, siç edhe disa komentues të rrjeteve sociale demaskuan, një vepër e gjendur në Galerinë “Blusmith”, e cila ekspozon punët e artistit bashkëkohor kanadez, i njohur si Blu Smith – më ndërmendi një artikull që pata lexuar disa vjet më parë, sesi një vajzë e re nga Argjentina, kishte arritur të krijonte një personazh të rremë në Instragram, duke i mashtruar afro 90 mijë ndjekës.

Ishte viti 2014, kur Amalia Ulman i mashtroi të gjithë. Për katër muaj me radhë, ajo ishte kujdesur të kuronte profilin e saj të Instagramit, që dokumentonte jetën e një vajze, e cila synonte të arrinte në Hollivud. Personazhi i saj kaloi në tri faza. Në fillim ishte një vajzë e lezetshme, që pëlqente nuancat pastel të rozës dhe lepujt. Më pas u shndërrua në një vajzë seksi e agresive, derisa gjeti veten si perëndeshë e jetesës së shëndetshme. Personazhi i saj u shpërngul në Nju Jork, u nda nga i dashuri dhe gjeti një tjetër, ndiqte kurse baleti dhe iu nënshtrua kirurgjisë plastike ( zmadhim gjoksi që e sajoi duke vendosur fasha në kraharor), u deklaroi fansave edhe se priste një fëmijë madje, e të gjitha këto pa dalë fare nga dhoma e saj.

Në pikën kur afro 90 mijë ndjekësit e saj, u investuan duke ndjekur jetën e Ulmanit, ajo njoftoi se e gjitha kishte qenë një rreng. Që në vitin 2014, Ulman kishte marrë në konsideratë pushtetin e Instagramit. Pasi studioi trendet kryesore, që arrinin të tërhiqnin pas vetes më shumë ndjekës, Ulman ndërtoi projektin e saj, titulluar “Excellences & Perfections”, e cila dy vjet më vonë, do të shndërrohej në një sensacion botëror të botës së artit. Jo vetëm që ajo hodhi dritë në aftësinë e medies sociale për të mashtruar, por krijoi atë çka kritikët e trumbetuan si “kryevepra e parë e Instagramit.” Fotografitë e saj, të postuara për katër muaj në Instagram u përfshinë në dy ekspozita në Londër, një në grup në “Tate Modern” dhe një në Galerinë “Whitechapel”. Ky eksperiment e bëri këtë artiste – e cila deri pesë vjet më parë gjallonte vetëm në hapësirat virtuale të një platforme të medieve sociale – të hynte në institucionet më prestigjioze.

Ndërsa projekti i Ulman u kritikua nga përdoruesit e Facebook-ut dhe Instagramit – shumë prej të cilëve i kishte bërë për budallenj – si “një mashtrim”, ajo gjithashtu u lëvdua botërisht, sepse tërhoqi vëmendjen drejt marrëdhënies së pashëndetshme me platforma si Instagrmi dhe na kujtoi sesa e dyshimtë mund të jetë “e vërteta” online. Megjithatë Ulman nuk do t’ia kishte dalë të ekspozohej botërisht si një artiste e re – e cila çoi përpara një eksperiment sa artistik aq edhe sociologjik e psikologjik – pa dhjetëra mijëra ndjekësit. Ende nuk kishte dalë në sipërfaqe termi aq në modë, “influencer” e me gjithë këtë eksperiment artistik që e bënte aq të thjeshtë shpikjen e një personazhi të paqenë në rrjetet sociale, ato tre trende që Ulman pikasi janë ende në modë dhe vazhdojnë të thithin miliona ndjekës dhe kompani marketingu.

Që kultura moderne e teknologjisë e bën aq të lehtë fabrikimin e personazheve që nuk ekzistojnë, e pat parashikuar Hollivudi në fillim të viteve 2000, me filmin “Simone”.Viktor Taransky, i interpretuar nga aktori i njohur Al Pacino, një regjisor që lufton të mbijetojë në një industri, që as e kërkon, e as dëshiron vizionin e tij artistik, kupton potencialin e futjes së një personazhi të krijuar në mënyrë dixhitale në filmat e tij. Regjisori kupton se jo vetëm ai dhe studioja kinematografike, por e gjithë kultura popullore amerikane, e do Simonën. E megjithëse ai fiton famë dhe vlerësime nga kritika, përmes suksesit të aktores së ndërtuar në mënyrë digjitale, ai zbulon se ka vështirësi të përkufizojë identitetin e vet si artist dhe njeri dhe zbulon se gënjeshtrat për të mbuluar mosekzistencën e Simonës, po i ndryshojnë krejt jetën… Vetëm pasi u akuzua për vrasjen e saj, regjisori pranon se Simona në të vërtetë nuk është njeri, por një program kompjuterik, ndërsa vetë filmi ngre vetëdijen sesi prodhohej gënjeshtra, duke përdorur teknikën e efekteve vizuale, speciale. Në një sekuencë pas titrave, Viktori shfaqet duke krijuar filmime të rreme të Simonës në një supermarkatë, të cilën e sheh një nga admiruesit e saj, duke e besuar si të vërtetë.

Edlir Reka, në profilin e tij të Instagramit kishte arritur t’u mbushte mendjen ndjekësve të tij se pikturat që ai postonte – duke përdorur dukshëm teknikat e fotomontazhit – ishin krijuar prej tij dhe jo vetëm kaq, por ishin ekspozuar dhe vlerësuar me çmime nëpër botë. Kishte arritur të mbërthente jo vetëm interesin e ndjekësve, por edhe të gazetarëve, që shpesh e shohin veten “në gjueti” të emrave dhe fytyrave të reja, me histori të veçanta, interesante dhe arritje, për t’ia propozuar publikut. Në emisionin e Rudina Magjistarit, Reka do të thoshte se së shpejti po përgatitej për një konkurs në Zelandën e Re. Më pas në Instagram do të postonte fotografinë e një pikture, të cilën shkruante sapo e kish përfunduar e me të cilën do të paraqitej në shtetin e largët. Ajo që u zbulua më tej, ishte se nuk bëhej fjalë për plagjiaturë, kopje apo influencë e ndonjë vepre të një artisti të madh – siç bëjnë rëndom studentët ndërsa përsosin dorën dhe teknikat në pikturë gjatë viteve të studimit për të gjetur më pas stilin e tyre dallues. Jo. Edlir Reka kishte përdorur teknikën e fotomontazhit, duke e vendosur veten në poza thuajse identike, pranë atyre pikturave moderne, të cilat i merrte nga profilet e autorëve origjinalë.

“Kur do të dalësh nga situata, nuk mendon të marrësh leje”, i përgjigjet ai Magjistarit, i pyetur nëse i kishte kërkuar më herët leje piktorit kanadez. Edhe pse ka pranuar të dalë në një emision të dytë tek Rudina Magjistari, pasi më herët ishte shfaqur aty, por edhe në emisionin “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon, në Top Channel – duke shpalosur çmimin e paqenë të marrë në Moskë, me të cilin pretendonte se kishte bërë krenar vendin – Reka, i kapur ngushtë përpiqej të gjente shtigje e të dredhonte në dërdëllitje të pafundme dhe citate, që nuk thoshin asgjë konkrete rreth arsyeve që e çuan atë të fabrikonte këtë gënjeshtër. Ishte etja për pesë minutat e tij të famës apo ishte një eksperiment i tij për të treguar se media mund të gënjehet kaq lehtë? Në ftesën e dytë tek Magjistari, Reka u parapri nga një insert, ku gazetarja thoshte se me një kërkim të thjeshtë në “Google” , zbulohej fare lehtë se pikturat e Rekës nuk ishin aspak të tijat, por të vjedhura nga piktorë të huaj. Të ishte e njëjta gazetare që ishte gënjyer nga Reka, në ftesën e parë që iu për t’u shfaqur në këtë emision televiziv?! A ka qenë vetë Reka që ka insistuar, duke i bindur stafet televizive se ia vlente ta kishin të ftuar apo ishin këto stafe të emisioneve që e kishin kontaktuar, pasi i kishin hulumtuar profilin e tij në Instagram?

Megjithatë, Edlir Reka nuk është krejt një fabrikim i rrjeteve sociale. Ai është diplomuar në liceun artistik të qytetit të tij dhe i ka disa piktura të punuar njëmend prej tij. Më herët se të shfaqej në këto televizione kombëtare, Reka dot shfaqej me një ekspozitë në instalacionin “Reja”, të vendosur në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve, titulluar “Rrugëtim Frymëzues”. Aty do të shfaqte vetëm veprat e krijuara prej tij, ku veç telajos, pikturon edhe në tjegulla.

Edhe pse i vetëdijshëm se po gënjente, Reka do të shprehej se ishte shumë i tronditur dhe se titujt e portaleve e kishin bërë të ndihej keq. E pranoi se piktura e paraqitur si fituese në një konkurs ndërkombëtar – përshkrimi që i bënte ai ngjarjes me hollësi irrelevante e bënte të dyshimtë vërtetësinë e rrëfimit të tij, qëkur u shfaq në Top Channel – e megjithatë, vijoi t’i qëndronte pretendimit se atë çmim në Moskë e kishte fituar vërtet, duke u shprehur se atje kishte çuar një pikturë, “me pamje krejt tjetër”, fjalë krejt të varfra për një piktor, i cili nuk përdor hollësi të teknikës apo të temës së tablosë. Emocionet që ai përshkruan nga fitorja e çmimit të parë në Rusi, tingëllojnë më shumë si të kishte qenë një koncert rroku – me brohoritma emri dhe ovacione – sesa të një konkursi të arteve pamore.

Lajmi i pikturës së kopjuar nga Blu Smith, i mbërriti edhe vetë autorit, i cili në faqen e tij zyrtare në Facebook do të shkruante “Një histori shumë e çuditshme mashtrimi që vjen nga Shqipëria. E kush do ta merrte me mend se arti im do të ishte kaq dramatik”, shkruante Smith, i cili më vonë do të postonte sërish, duke thënë se ishte koha ta linte pas këtë episod, pasi i riu kishte kërkuar falje dhe se i kuptonte veprimet e tij. “Imitimi është forma e sinqertë e lajkatimit”, do të shprehej Smith. Moderatorja e emisionit të pasdites, Rudina Magjistari, me një ton të shtruar e me shumë këshilla për të riun, duke e inkurajuar të bënte atë që ishte arti i tij i vërtetë dhe se gënjeshtra i kishte këmbët e shkurtra, do t’i thoshte Rekës se kishte një talent të lindur për aktrim, duke shtuar se nuk ishte ironi, por një vëzhgim i sinqertë i saj.

Në fund, Reka, pasi do të thoshte se nuk ishte i vetmi piktor që kishte kopjuar, tha i bindur se do të vazhdonte në fushën e pikturës, por edhe të aktrimit, duke folur në shumës e shpesh duke e ndarë “unin” nga “Edliri” si të ishin dy njerëz të ndryshëm. Megjithëse për disa ditë u kthye kryefjala e thuajse të gjithë portaleve online, që flisnin për “artistin mashtrues” , duke na kujtuar edhe njëherë iluzionin e së vërtetës virtuale, Elir Reka do ta mbyllte fjalën e tij – ashtu si edhe profilin e tij të Instragramit që e ka kthyer privat – për mediet online, duke u thënë të kenë kujdes, sepse një fjalë e tyrja ndikon rëndë tek njerëzit si ai.

Duke iu kthyer edhe njëherë eksperimentit artistik të së resë nga Argjentina, pesë vjet më parë, pjesa më e rëndësishme e performancës së saj ishte lehtësia me të cilën ajo i mashtroi mijëra e mijëra njerëz. Mbase ajo nuk ishte i pari sensacion i rremë, i krijuar nga platforma si Instagrami, ku ccdo ditë me miliona njerëz nga e gjithë bota postojnë fotografi ku shpërfaqin një jetë luksi dhe perfekte, me shumë gjasë të manipuluar përmes montazheve dhe teknikave të tjera online, por parashikoi një fenomen të shpërfaqur viteve të fundit, që shkon edhe përtej Instagramit…tek prodhimi i lajmeve të rreme.

Burimi: Gazeta Si

SHKARKO APP