Balerinët e njohur shqiptarë në Itali bëhen bashkë për të mbledhur fonde për të prekurit nga tërmeti

Solidariteti për t’u bërë njësh me dhimbjen e shqiptarëve, të cilët më 26 nëntor u goditën nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi 51 viktima dhe la pas qindra banorë të plagosur dhe pa banesa, ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Shqiptarët, dhe jo vetëm, kudo ku banojnë, janë aktivizuar për të mbledhur fonde për të prekurit nga tërmeti.

Një iniciativë vjen edhe nga përtej Adriatikut, ku këtë herë janë balerinët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, emrat më në zë të artit, që janë mbledhur bashkë, për t’u ardhur në ndihmë viktimave që la pas ky tërmet.

“Një komb, një gjak, një flamur”, është nisma e balerinëve shqiptarë, Bernard Shehu, Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, të cilët do të organizojnë një shfaqje baleti, të drejtuar nga Dorian Grori dhe Rezart Stafa, ku fondet që do të mblidhen do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti. Shfaqja gala do të mbahet më 23 dhjetor në teatrin e Komunës së Cagli-t.

SHKARKO APP